Edi Rama: Kur pushteti fillon e dhunon gjithçka, duhet rrëzuar!
(Botuar me 3 shtator 1998 në KOHA JONE)
Intervistë me Ministrin e Kulturës, Edi Rama për KOHA JONE.
Le të bisedojmë kësaj radhe për ngjarjen dramatike të arrestimit të gjashtë ish-funksionarëve të lartë të pushtetit të Berishës dhe efektet e saj. A e shihni të arsyeshëm fillimin e një gjyqi për krime kundër njerëzimit ndaj personave të arrestuar në këtë kohë që ju vetë e quajtët të vështirë?
Nëse është ose jo e arsyeshme hapja e një procesi gjyqësor, këtë, në një vend demokratik, e vendos organi i akuzës dhe e gjykojnë instancat përkatëse, pra gjykatat. Për vetë faktin që pushteti gjyqësor në zhvillimin e përgjegjësive të tij, si trup i pavarur e i ngarkuar për të bërë drejtësi, nuk njeh kohë të vështirë ose kohë optimale, më duket jo vetëm e kotë por dhe kundër produktive që të kërkojmë përgjigjen e kësaj pyetjeje. Ajo që duhet të na shqetësojë të gjithëve, si qytetarë a administratorë të këtij shteti, është fakti se sa ky proces do të kryhet sipas të gjitha normave të një vendi demokratik, duke respektuar nga fillimi gjer në fund të gjitha të drejtat e të pandehurve, të cilët, siç dihet, deri në çastin e vendimit përfundimtar të gjykatës, konsiderohen të pafajshëm. Shprehje e këtij shqetësimi, duke mbajtur parasysh pikërisht shembujt e hidhur të së kaluarës, është edhe kërkesa e koalicionit qeverisës për monitorim të procesit nga instanca të specializuara ndërkombëtare.
A e konsideroni respektim të të drejtave të të pandehurve arrestimin e tyre në mes të natës?
Po sikur arrestimet të ishin bërë në mes të ditës, a nuk do të thoshim se policia bëri show ditën për diell duke u futur ankthin komshinjve të shkallës, banorëve të pallatit, kalimtarëve etj.? Ajo që vërtet stononte në procedurën e arrestit, nëse familjarët e të pandehurve thanë të vërtetën, ishte komunikimi i policisë me të pandehurit. Jo, “Shef! Vishu se do vish me ne!”, jo, “S’kemi ç’i bojm po do ta hajm edhe ne i cop buk!”, jo mosdhënia qartë e arsyes së arrestimit dhe mospasja e dokumenteve përkatës! Këto po që janë shprehje shqetësuese të mungesës së seriozitetit nga ana e shtetit.
A mendoni se do të bëhet vërtet drejtësi sikur të dënohen vetëm protagonistët e njërës palë?
Qofsha i gabuar, por unë nuk mund ta pranoj konceptin “palë” në këtë histori. Këtu është fjala për një akuzë të përcaktuar ndaj disa individëve dhe jo ndaj palës që ata përfaqësonin apo përfaqësojnë. Nga ana tjetër, këtë akuzë nuk e bën një palë kundërshtare, por organi ligjshëm i akuzës, i cili është Prokuroria e Republikës dhe, për më tepër, të gjashtë këta persona nuk akuzohen për rrëmujën e vitit të kaluar apo, më saktë, për ato akte të kundërligjshme që lidhen me atë periudhë e, që janë të amnistuara tanimë, por për tentativën për të kryer krime kundër njerëzimit, e cila, nëse provohet, nuk shoh si mund të kalojë pa u dënuar apo sesi mund të amnistohet. Dhe këto “nuanca” nuk duhen harruar kurrsesi në komentet e këtij rasti. Ashtu siç nuk duhet harruar, kur flasim për shkurt-marsin në përgjithësi, se duke kërkuar “barazi në gjykimin e palëve”, ka shumë rëndësi të mbahet parasysh fakti që veprimtaria antidemokratike e kastës politike të Partisë Demokratike nuk filloi në vitin 1997, por shumë më parë. Kjo veprimtari nuk u kurorëzua në shkurt-mars të atij viti, po në 26 maj të një viti më parë, kur kasta e ish-Presidentit i dha një goditje vdekjeprurëse, mu në embrion, demokracisë shqiptare, duke i mohuar popullit shqiptar të drejtën e votës në provimin e parë themelor të demokracisë dhe duke shfaqur hapur prirjen e saj për t’iu imponuar me dhunë shqiptarëve një formë qeverisjeje bajraktaro-fashiste. E përsëris, shqiptarëve, popullit shqiptar, jo thjesht palës së kundërshtarëve politikë. Shkurt-marsi i vitit të kaluar nuk qe tjetër veçse epilogu tragjik i krejt historisë së qëndrimit në pushtet të kastës së ish-Presidentit. Duke e shkëputur këtë epilog nga kapitujt e shkallëzuar paraardhës të veprimeve antidemokratike të pushtetit të kastës drejtuese të Partisë Demokratike, na del e pamundur ta pranojmë si legjitime kryengritjen e armatosur të popullit në revoltë. Dhe, detyrimisht, lindin pastaj kërkesat, në fakt absurde, për të gjykuar me metrin e njëjtë të drejtësisë si kastën që e provokoi zemëratën e popullit, ashtu edhe të ashtuquajturit “nxitës” të revoltës popullore.
Ndërsa, duke kërkuar të dënohen “nxitësit” në fjalë, siç del nga britmat e krerëve të Partisë Demokratike apo nga aluzionet e bëra në shtyp e në median elektronike ditët e fundit, kërkohet në fakt, me ose pa vetëdije, dënimi i vetë kryengritjes së vitit të kaluar. Po më thoni ju lutem: Si mund të dënohet ajo kryengritje?! Dënimi i saj do të ishte dënimi i njërit prej mësimeve më të lashta të historisë, i cili thotë se popullit i lind jo vetëm e drejta, por edhe detyra, të ngrihet kundër qeverisë së tij, me çdo mjet, në çdo moment që kjo e fundit shkel mbi popullin. Dhe, kur ngrihet për të përmbysur qeverinë e tij, një popull e di mirë se pse e bën dhe se çfarë kërkon. Dua të them që askush nuk mund ta nxisë e ta hedhë popullin në aventurë jashtë vullnetit të atyre që përfshin ky koncept, siç ëndërrojnë për shembull sot krerët dritëshkurtër të Partisë Demokratike.
Pra, shkurt fjala, kërkesa për të dënuar edhe të ashtuquajturit nxitës të palës tjetër, për gjithë sa më lart, më duket paradoksale. Këtë paradoks e ushqen fakti se kur kërkohet dënimi i “nxitësve” të palës tjetër – dhe, e përsëris, të mos harrojmë që kjo “palë tjetër” ishte vetë populli në revoltë – shkurt-marsi shkëputet, me ose pa vetëdije, nga i tërë grafiku logjik i rritjes së zemëratës popullore në vitet e sundimit të kastës së ish-Presidentit.
Nga ana tjetër qëndron problemi i spekulimit të rrezikshëm me këtë gjyq nga ana e lidershipit të Partisë Demokratike dhe shkallëzimit të akteve të dhunës nga ana kësaj partie…
E them me bindje se, nëse ka sot në Shqipëri njerëz që i gëzohen arrestimeve në fjalë, këta janë, mbi gjithë të tjerët, krerët e asaj partie, dhe, nëse ka një ndër ta që fërkon duart i lumtur, ky është mjeku i tyre mendjehumbur! Kjo që po them nuk është e vështirë të kuptohet kur sheh vorbullën e re të histerisë që frymëzojnë të tërë këta persona.
Megjithatë, unë do të doja ta shihja problemin më gjerë, jo thjesht duke i treguar me gisht krerët e Partisë Demokratike si përgjegjësit e vetëm për këtë situatë – dekurajuese sa për shqiptarët aq edhe për të tërë të huajt që kanë ose duan të vendosin lidhje shpirtërore e materiale me Shqipërinë në funksion të ardhmërisë së saj – sepse, sidoqoftë, qysh prej një viti e ca, topi është në fushën e qeverisë. Mendoj se qeveria ka paguar gjatë gjithë kësaj periudhe haraçin e dobësive të veta psikologjike mbi të gjitha dhe të malit me vështirësi të trashëguara ose të vetushqyera në vijim. Tash e tutje duhet bërë e pamundura që, sidomos për haraçet e dobësive të qeverisë, të mos paguajë as ajo shumicë dërrmuese që e ka votuar këtë qeveri për t’i ndryshuar faqen Shqipërisë dhe as ajo pakicë që e ka votuar Partinë Demokratike për t’i bërë opozitë qeverisë e jo për të frymëzuar goditjen me gurë a me armë të drejtuesve të këtij vendi apo për të stimuluar akte banditeske si ai, më i fundit, i zënies së rrugëve nacionale e i marrjes peng të udhëtarëve krejt të pafajshëm.
A mund ta shtjelloni pak mendimin tuaj?
Ka një përshtypje të përgjithshme sipas të cilës faktori PD, sado e sido të radikalizohet, nuk mund të përbëjë ndonjë rrezik serioz për vendin. Mua më duket naive që problemi aktual i Shqipërisë të reduktohet te gjëegjëza e rikthimit apo e mosrikthimit në pushtet të këtij faktori. Në fakt problemi i sotëm i shoqërisë sonë është ku e ku më kompleks, dhe në këtë kompleksitet faktori PD ka një rol që mund të maksimalizohet ose minimizohet në varësi të asaj çka bëjnë në funksion të së ardhmes shumë faktorë të tjerë, si për shembull institucionet e shoqërisë civile, partitë e koalicionit apo të opozitës normale, Parlamenti, Presidenca e Republikës, vetë qeveria jonë dhe aleatët e saj perëndimorë, të cilët, afërmendsh, nuk i rreshtova në fund për nga rëndësia, por për të nënvizuar që përgjegjës për gjendjen konfuze në vend jemi në radhë të parë ne shqiptarët.
Nuk dua t’i jap leksione askujt, por më duket e pafalshme, për ne të gjithë, që, deri në momentet që po flasim, megjithëse janë me mijëra, në mos qofshin të gjithë, shqiptarët që e dinë se në Shqipëri veprojnë rryma gërryese korrupsioni, megjithëse janë me dhjetëra, në mos qofshin të gjithë, njerëzit e politikës që e dinë se përbindëshi i korrupsionit, e cili po e ha përditë trupin e shoqërisë sonë, ka bërë fole në kafazin e ngushtë të kraharorit të klasës politike shqiptare, nuk ka asnjë “peshk” të vetëm politik, lëkurë blu ose lëkurë rozë, sado të vogël, që të ketë rënë në rrjetën e drejtësisë nën akuzën për korrupsion. Nëse vazhdohet kështu, atëherë s’është çudi që, shumë më shpejt nga sa mund të parafytyrohet, njerëzit e politikës shqiptare të jenë kthyer të gjithë në kukulla që do të lëvizin vetëm andej nga do t’i drejtojë dora e padukshme e krimit të organizuar, ndërsa Shqipëria do të jetë një ferr përvëlues për këdo që do të guxojë të hapë gojën. Dhe atëherë lamtumirë politikë e interesave kombëtare dhe drejtësi a shtyp i pavarur! Të ndenjurit në pritje të goditjes së paralajmëruar por ende të parealizuar gjëkundi kundër korrupsionit, dekurajon shqiptarët e ndershëm e bashkë me ta edhe investitorët potencialë të matanë detit dhe, nga ana tjetër, stimulon shpirtin e dhunës që sundon aktualisht në Partinë Demokratike. Kjo parti, e cila do të duhet doemos t’i japë një ditë përgjigje ca pyetjeve goxha të vështira lidhur me abuzimet e papërfytyrueshme që janë bërë gjatë qëndrimit të saj në pushtet me pasurinë kombëtare dhe me të ardhurat individuale të shqiptarëve, ka filluar të tundë flamurin e luftës kundër korrupsionit thjesht për të ricikluar të kaluarën e saj të zezë në këtë aspekt. Por edhe partiakë të tjerë të mirënjohur, të krahut që qeveris apo edhe të opozitës së distancuar nga skalioni i përditshëm histerik i krerëve të Partisë Demokratike, i kanë hyrë, nëpërmjet medias, një loje pasqyrash me fenomenin e korrupsionit, thjesht për t’i krijuar vetes një aureolë ndershmërie duke mos dhënë në fakt asnjë provë e asnjë emër konkret! Në këtë mënyrë, e gjithë klasa politike e këtij vendi po i jep votuesit shqiptar një provë të vetme, provën e hidhur se vjedhja masive e atdheut që ndërmori kasta në pushtet e demokratëve do të vazhdojë sikur a thua asgjë s’ka ndodhur, bile hajdutët e veshur me imunitet politik ose të gjithë të tjerët që u mbarojnë punët e zeza të natës, të djeshëm, të sotëm apo të nesërm, nuk do të largohen në drejtim të panjohur, si pjesa dërrmuese e kriminelëve ordinerë, por do të bëjnë ligjin rreth sofrës së politikës.
Atëherë nuk mbetet veçse të shpresojmë që Prokuroria e Përgjithshme ta shprehë pavarësinë e saj duke hapur edhe dosjen e korrupsionit?
Fjala juaj në vesh të Perëndisë, s’kam ç’them tjetër.
Po përtej këtij aspekti?
Le të marrim një aspekt tjetër, ndoshta më të prekshëm. Qëkur kjo qeveri është votuar, numërohen me dhjetëra policë të vrarë nga dora e krimit të organizuar, ndërkohë që, kriminelët që kanë marrë hakun që u takon, janë shumë pak në krahasim me ata që vazhdojnë të livadhisin rrugëve për të zënë vetë rrugët ose për të vënë gjoba e marrë jetë njerëzish të pafajshëm. Një segment i krimit të organizuar në Shqipëri – dhe këtë e dinë tashmë edhe peshqit e Liqenit Artificial – ka lidhje të vjetra me lidershipin Partisë Demokratike, për hesap të të cilit, deri dje, jo vetëm grabiste pasurinë e Shqipërisë e të popullit shqiptar, por edhe godiste ditën e natën protestuesit e opozitës, gazetarët, intelektualët, ndërsa sot godet ku të mundet shtetin e ri e shqiptar. Çfarë është bërë për t’u ndalur dorën? Asgjë substanciale. Ekzekutorët kryesorë të skemave halucinante që ka projektuar e vazhdon të projektojë mendja e sëmurë e kryetarit të Partisë Demokratike mund t’i gjeni në krye, në mes e në fund të turmës së abonuar në mitingjet paqësore të asaj partie klithmash kundër paqes e stabilitetit. Prania “në politikë” e këtyre elementëve mban peng jo vetëm Partinë Demokratike, por vetë Shqipërinë, sepse jo vetëm nuk lejon askënd në atë parti që ta këshillojë doktorin të shkojë të vizitohet te psikiatri, jo vetëm bllokon rrugët nacionale të Shqipërisë apo terrorizon njerëzit, por paralizon edhe krejt procesin e investimeve të huaja, aq jetike për vendin tonë. Në vijim të arsyetimit tim, më duket gjithashtu e patolerueshme, për vetë të ardhmen e Shqipërisë e jo vetëm për qeverinë, që të përsëriten rëndom gabimet e paraardhësve tanë famëkëqij, qoftë me format klienteliste të rekrutimit të njerëzve të administratës në dëm të meritokracisë, qoftë me mënyrat sterile të komunikimit me njerëzit që na kanë zgjedhur apo, sidomos, me kalkulimet e kota dhe dritëshkurtra nga frika paralizuese se mos bota na quan komunistë. Shprehje e këtij kalkulimi është edhe lënia pazarit e fanatikëve të armatosur politikë, të cilët, grushtbashkuar rreth një enveristi të transformuar në fashist siç është zoti Doktor, nxisin turmën e Sheshit “Skënderbej” dhe të tërë ata që duan “shesh të bëjnë përshesh” për përmbysjen me dhunë të pushtetit që fitoi votat e lira për të qeverisur Shqipërinë pa përsëritur gabimet e atyre të cilët populli i rrëzoi duke rrëmbyer armët! Të tëra këto, e të tjera sa të duash, kanë sjellë që historia aktuale e Shqipërisë të bëhet përgjatë kilometrit katror ku ngrihen selitë e forcave politike kundërshtare e ku shtrihet karatymnaja e thënieve dhe kundërthënieve midis këtyre forcave, ndërkohë që në mijëra kilometrat e tjerë katrorë të këtij vendi jetojnë me qindra mijëra njerëz që kanë një mijë halle e probleme të përditshme jetese, të cilët, e them me bindje, sot kërkojnë mbi të gjitha një gjë: Që politika, të paktën, mos u marrë frymën që mezi e mbajnë gjallë!
Mos duan të thonë të gjitha këto se e konsideroni të dështuar qeverinë ku bëni pjesë edhe vetë?
Kurrsesi! Kjo qeveri ka akoma të gjithë kohën që lypset për ta thënë mirë fjalën e fundit. Dhe unë kam bindjen se qeveria ku bëj pjesë mund të lerë një kujtim të mirë te njerëzit, duke bërë të mundur që ky shekull të mbyllet me një kapitull shpresëdhënës. Çdokush me mend në kokë e di që faqja e këtij atdheut tonë, të mbajtur peng historikisht nga prijës të marrë, nga njerëz pa vizion, nga klane primitive e nga të tjera forca të errësirës, përfshirë edhe fuqi të huaja që nuk e kanë dashur kurrë përparimin e kombit tonë të vogël, nuk mund të ndryshohet as për një e as për katër vjet, edhe sikur në qeveri të jenë vetë mentorët demokracisë botërore. Por, nga ana tjetër, e dimë të gjithë se katër vjet dalin e teprojnë për të bërë ndryshime të ndjeshme e të pakthyeshme. Kur flas për defektet e qeverisjes aktuale as më shkon ndërmend ta errësoj dritën e atij qiriri shprese që kjo qeveri ka ndezur. Dëshiroj vetëm të them, me gjithë zemër, se mund e duhet të bëjmë shumë më tepër që për kombin tonë të mos ndalë më ora e ndryshimit dhe e integrimit në Familjen Evropiane.
Çfarë shihni si hapat që duhen ndërmarrë për sa thatë?
Oh, janë shumë, por le të themi se del përditë e më në pah nevoja për një komunikim të hapur e intensiv me njerëzit e dekurajuar, me ata që përbëjnë të ashtuquajturën shumicë të heshtur, dhe me opinionin publik ndërkombëtar për t’i bërë të njohura synimet tona atdhetare e, njëkohësisht, për të demaskuar në formë përfundimtare obskurantët e “Sheshit Skënderbej”, të cilët, duan të kthejnë me çdo çmim kohën e tyre të errët. Nuk ka pse shteti i ri shqiptar ta ndalë më dorën ndaj çdo akti që krerët e Partisë Demokratike frymëzojnë në tribunën e “Sheshit Skënderbej”, i cili gjatë jashtëqitjeve të tyre orale duket si një epruvetë ku kombi nxjerr zorrën e tij të trashë, nuk duhet që shteti i ri shqiptar të lejojë kurrkënd të kërkojë përmbysjen me dhunë të qeverisë dhe të veprojë për shkatërrimin e atij pak muri që ne kemi arritur të ngremë gjer më tash nëpër institucionet e këtij shteti. Është koha që shoqëria shqiptare ta ndajë përfundimisht nyjen gordiane ku rri lidhur si me dorë të Djallit e ardhmja e Shqipërisë. Nëse vërtet nuk duam të zgjerohet pafundësisht shtegu i atij besimi të errët sipas të cilit Shqipëria nuk do të bëhet kurrë, nëse nuk duam që, si gjithmonë për fajin tonë, të rifillojë të vizatohet rreth këmbëve tona qerthulli vicioz i së kaluarës tonë të palavdishme, nëse duam vërtet që t’i japim krahë shpresës së ringritjes morale e materiale të kombit shqiptar, ka ardhur koha që të gjithë, në radhë të parë si qytetarë, të nxjerrim mësimet që na takojnë.
Në këtë udhëkryq historik vetë partitë e koalicionit e të opozitës normale duhet të formulojnë qëndrime të përgjegjshme në funksion të së ardhmes së Shqipërisë dhe të shqiptarëve jashtë kufijve të saj e të mos funksionojnë si grupime të përçara nga tehu i traditës së mjerë politike të këtij vendi, vetë Partia Demokratike duhet t’i nënshtrohet përfundimisht rregullave të lojës demokratike, qoftë duke zbuluar, ajme, një frymë vetëkritike, qoftë duke u penalizuar pa ngurrim për çdo hap të kundërligjshëm, ndërsa koalicioni qeverisës duhet të rendë me nxitim për t’i bërë realitet premtimet për një Shqipëri me rend publik, rrugë, ujë, drita, rritje investimesh materiale e shpirtërore dhe shanse të barabarta për të gjithë shqiptarët ose, në të kundërt, le t’i rikthehet parakohës së caktuar konsultimit me votën e popullit. Dhe unë jam i bindur se po të veprojmë me më shumë zemër e patriotizëm për ta ndryshuar këtë vend, të bindur se nuk ka rrugë tjetër përveç reformave radikale dhe gjithëpërfshirjes patriotike e jo thjesht politike, që do të thotë përshpejtim i divorcit me të kaluarën në të gjitha drejtimet dhe rekrutim në administratë i njerëzve më të zotë, pa dallim krahine e feje politike, ne do të arrijmë të dalim me faqe të bardhë nga kjo periudhë tejet e vështirë për të gjithë Shqipërinë. Ndryshe, askush, as Zoti vetë nuk do të na përkrahë!
Intervistoi: AUREL SIMONI