Edi Rama shkruan për KOHA JONE: Fjala e lirë dhe liria e fjalës
(Botuar me 5 qershor 1998 në KOHA JONE)
Edi Rama shkruan për KOHA JONE: Fjala e lirë dhe liria e fjalës
“Duke abuzuar jo rrallë me pushtetin e tij të pakontrolluar, shtypi shqiptar ka shfaqur e shfaq në momente të caktuara po ato tipare të përbindshme që përpiqet të nxjerrë në pah në fytyrën e tri pushteteve të tjera dhe kësisoj ai bëhet pararojë e së keqes” (nentitull)
Në pranverën e nxehtë të vitit të kaluar gazeta New York Times më kërkoi me urgjencë një shkrim, të cilin e shkrova deri në të gdhirë dhe e faksova, sipas marrëveshjes me redaktorin përgjegjës, në paradrekën e së nesërmes. Pak orë më vonë, në të kthyer, gjeta në sekretarinë telefonike tri mesazhe nga redaksia e gazetës. Më kërkonin për redaktimin dhe nuk më kishin gjetur. Nuk kam pse e fsheh, u habita krejt kur gjatë kontaktit të mëpastajmë telefonik redaktori më tha se, megjithë urgjencën, e kishin shtyrë botimin për një ditë më vonë pasi nuk mund ta bënin një gjë të tillë pa marrë aprovimin tim mbi tekstin përfundimtar. Habia ime u bë edhe më e madhe kur konstatova se redaktimet për të cilat duhej medoemos pëlqimi i autorit, jo vetëm nuk e preknin thelbin e shkrimit por kishin të bënin kryesisht, me përmirësimin e anglishtes.
Pa u zgjatur me moralin e kësaj përralle po hyj drejt e në temë. Qëkurse jam kthyer nga subjekt në objekt të shtypit më është dhënë, për fat të keq, mundësia që ta shoh nga një kënd tjetër punën e tij dhe të përjetoj në kuadrin “e ngushtë” të punës sime atë që në fakt ndodh në shkallë shumë më të gjerë: Abuzimin e Papranueshëm me Lirinë e Fjalës. Nuk më shkon mendja për asnjë çast që, largqoftë, të vë në dyshim bindjen time se ligji më i mirë për shtypin shqiptar është ajo pikë e Kanunit të Lekë Dukagjinit ku thuhet, “Lajmësi nuk ka faj”, por, thënë kjo, dua vetëm të shpreh një bindje tjetër që kam. Flas për bindjen se aplikimin normal të këtij ligji nuk mund ta garantojë kurrkush tjetër përveç ndërgjegjes profesionale të gazetarit, në mënyrë që pafajësia e tij e garantuar të mos kthehet, siç po ndodh rëndom, në një garanci për ta ushtruar këtë profesion fisnik duke shitur dokrra.
Ndoshta dëshira për ta folur e shkruar sa më mirë gjuhën time më ka bërë “më të ndjeshëm se ç’duhet” ndaj barbarisë gjuhësore të shtypit shqiptar, ndoshta prirja ime përgjithësisht “joshqiptare” për të mos i bërë gjërat shkeleshko nuk më le që ta shoh me gjakftohtësi “padijen objektive” të masës dërrmuese të gazetarëve tanë, ndoshta kanë të drejtë disa miq të mi të shtypit kur më thonë si me të qeshur, “Mos u kruaj me ne se të nxjerrim bojën”, por ja që mesa duket “nuk jam bërë ende ministër” dhe kësisoj nuk mendoj se është mençuri që “për ta mbajtur mirë me shtypin” duhet të jesh indiferent karshi defekteve të tij.
Sepse, fjala vjen, ç’duhet të bëj unë vetë kur, qysh se emri im u shpërfaq në listën e qeverisë, në faqet e shtypit apo më saktë akoma në faqet e atyre dy gazetave të vetme që shfletoj përditë e ku kam shkruar për vite me radhë, lexoj vazhdimisht shtrembërime të fjalëve të mia ose, ca më keq, fraza e deri edhe një intervistë të sajuar me fjalë të nxjerra nga karatymanaja e kafeneve? Dhe afërmendsh që këtë pyetje nuk e shtroj as ngase nuk e di përgjigjen e as për ta katandisur kokoshin në një thelë, sepse këtë shkrim modest nuk po e botoj për të hapur polemika idiote rreth vetvetes por me dëshirën e mirë që të ndikoj sadopak, njësoj si më parë xhanëm, në favor të një gazetarie të përgjegjshme.
Jo më kot e fillova me njërin prej shembujve më të shkëlqyer të botës moderne. Ne shqiptarët e dimë mirë se ç’do të thotë abuzim me pushtetin, kemi edhe shembuj të mjaftë traumash, shpeshherë të pariparueshme, që ky lloj abuzimi ka shkaktuar në individë të veçantë apo për të tërë shoqërinë. Prandaj nuk më duket pa vend të them se, bash ashtu siç lufton me të drejtë abuzimet e të tri pushteteve të tjera, pushteti i katërt, shtypi pra, i cili është i vetmi pushtet me duar krejt të zgjidhura, duhet të kontrollojë të tjerët duke u vetëkontrolluar në funksion të misionit të tij. Sepse, duke abuzuar jo rrallë me pushtetin e tij të pakontrolluar, shtypi shqiptar ka shfaqur e shfaq në momente të caktuara po ato tipare të përbindshme që përpiqet të nxjerrë në pah në fytyrën e tri pushteteve të tjera dhe kësisoj ai bëhet pararojë e së keqes. Edhe diçka të vogël. Sot, për fat të mirë, nuk është më koha kur njeriu shkatërrohej me anë të shtypit pa e pasur as të drejtën e shfaqjes në publik e as atë të replikës së drejtpërdrejtë, koha kur, bie fjala, mund të përrallisje ç’të doje për Fishtën pasi e kishe kyçur në Burgun e Harresës. Pra, përderisa për fatin e keq të të gjithë dokrraxhinjve fjalën e shkruar nuk e merr era, kur lëmë fjalë të shkruara le të kujtohemi më parë se kemi lënë për sot e për nesër dëshminë e mençurisë ose të marroqllëkut tonë.
EDI RAMA