Fatos Lubonja: Fenomeni Berisha dhe fenomeni Nano

(Botuar me 25 Janar 1998 në KOHA JONE)

Nga Fatos Lubonja

Fenomeni Berisha

Dikush që e ka njohur Berishën nga afër ka thënë në kohën kur ky ishte president, se po të vinte puna që këtij njeriu do t’i duhej të linte pushtetin, ai do të kapej tk kangjellat e hekurta të presidencës dhe nuk do të shkulej prej andej pa e tërhequr zvarrë me gjithë kangjella. Kjo profeci u vërtetua në një mënyrë shumë më tragjike. Berisha nuk u kap në kangjellat e Presidencës, por në rrënjët e Shqipërisë dhe nuk po do të ikë nga politika pa e shkulur rrënjësh Shqipërinë.

Kohët e fundit këtë lloj qëndrimi kryeministri Nano e quajti “fenomeni Berisha”. Po ç’është fenomeni Berisha në jetën psiko-sociale shqiptare?

Berisha dhe disa që e rrethojnë përbëjnë një pjesë të vogël, por të rëndësishme të shoqërisë shqiptare me disa karakteristika tepër të njohura dhe të dallueshme. Ai futet në atë kategori njerëzish që nuk njohin kufij moralë, që në më të shumtën e rasteve nuk janë koherentë, të parashikueshëm dhe logjikë, që nuk e njohin pendesën, që nuk i durojnë dështimet dhe reagojnë ndaj tyre me një agresivitet dhe egërsi që njerëzit normalë as mund ta imagjinojnë. Një psikosociolog i njohur, duke folur për këta lloj karakteresh, thotë psikopatë të parëndësishëm, por në të vërtetë, këta kanë luajtur rol të rëndësishëm në histori. Pikërisht sepse janë të shfrenuar, pa asnjë lloj droje, të aftë për çdo lloj tradhtie dhe gënjeshtre, këta dalin në skenë në periudhat e turbullirave politike dhe kanë një ndikim të madh te  turmat. Ndikimi i këtyre te turmat buron pikërisht nga inkoherenca e tyre logjike dhe emocionale. Ata janë të aftë të përçojnë dhe të ngjallin shfrenim.

Një personazh i tillë, gjithë sipas psikosociologut, ka qenë Hitleri, i cili arriti të paralizonte deri trurin e një populli logjik, si ai gjerman. Edhe komunisti fanatik Berisha se u shndërrua në besimtarin Berisha, në tolerantin Berisha, në demokratin Berisha, në antikomunistin e egër Berisha, në nacionalistin Berisha, në të pajtuarin kombëtar Berisha, në zogistin Berisha, vetëm e vetëm për të pasur një flamur për t’i hedhur hi syve këtij populli dhe një kalë lufte për të shprehur etjen e tij agresive për sundim.

Ndërkaq, kur marrim në analizë karakteropatinë e Berishës, këtyre karakteristikave universale u duhet shtuar fakti se kemi të bëjmë me një provincial ambicioz, i zbritur nga një zonë e prapambetur malore ku, sipas traditës, mashkulli rritet me kultin e burrit dhe të nderit, me çka kuptohet dominimi i më të fortit ndaj më të dobëtit, ku dështimi, rrahja apo vrasja, konsiderohen humbje e nderit që mund të vihet në vend vetëm nëpërmjet hakmarrjes, ku, më e rëndësishme sesa ligji dhe e drejta është përkatësia në një klan apo në një tjetër. Këta lloj burrash nuk njohin ideal tjetër përveçse fitimit të mejdanit me çdo kusht dhe sundimit të të tjerëve.

Në Shqipëri këta karakteropatë agresivë dhe të dhunshëm janë shumë më të suksesshëm sesa qeniet normale, dmth ato qenie që respektojnë të tjerët, që njohin pendesën dhe gabimin, që dinë të heshtin e të tërhiqen kur e shohin se nuk i duan. Një nga arsyet pse ndodh kështu, është se në Shqipëri vazhdon të mbisundojë kulti i dhunës dhe jo ai i mençurisë dhe ndershmërisë, respekti ndaj atij që di t’ua shtypë kokën të tjerëve dhe t’u kallë frikën. Duke gjetur mbështetjen e shumicës, që priret t’i respektojë për shkak të forcës që tregojnë apo t’i hapë rrugën si të marrit, këta lloj njerëzish i eliminojnë njerëzit normalë, të cilët pak nga pak e shohin veten në vend të dytë dhe të tretë. Ky kult i të dhunshmit u zhvillua edhe më gjatë pesëdhjetë vjetëve komunizëm, kur shtetin e drejtuan ata që e kishin marrë pushtetin me dhunë dhe që dinin të ushtronin dhunë, kurse njerëzit e mençur, në më të mirin e rasteve mund të ishin vetëm shërbëtorët e tyre.

Megjithatë fenomeni Berisha është diçka më komplekse se kaq. Sikur të ishte i vetëm, ai sot mund të ishte një bajraktar i vogël që do të shtypte një grup të vogël njerëzish ashtu siç ka qenë dje një sekretar partie i vogël që qethte rininë. Mirëpo, siç e thamë më sipër, jo vetëm fati, por edhe disa atribute të caktuara e çuan atë lart, në majë të një bajraku më të madh, shtetit. Gjatë pesë vjetëve të pushtetit të tij ai ndërtoi një “shtet gangsterësh” të mbështetur kryekëput mbi dhunën dhe krimin. Për arsyen e thjeshtë se në Shqipëri mund të pasuroheshin lehtë vetëm dy kategori: ata që merreshin me punët e paligjshme dhe politikanët, të cilët mund t’ua hapnin apo t’ua mbyllnin atyre këto punë, u krijua lidhja midis njerëzve të etur për pushtet dhe atyre të etur për para që jo rrallë përmblidheshin tek një person i vetëm. Kështu lindën lidhjet e politikanëve, gazetarëve pro qeveritarë dhe policisë, me grupet kontrabandiste dhe mafioze. Kuptohet se tek kjo lidhje, ku nuk dallohej mirë se ku mbaronte politikani, gazetari apo polici dhe ku fillonte mafiozi, elementi forcë apo dhunë, si element vendimtar i jetës së gangsterëve, ishte mjaft i rëndësishëm. Zgjedhjet e 26 majit i siguroi pikërisht kjo bërthamë gangsterësh që ishte edhe bërthama e regjimit të Berishës. Rreth kësaj bërthame sigurisht kishte edhe njerëz normalë, të cilët pak nga interesat, pak nga implikimi për shkak përfitimesh, pak nga dobësia dhe frika, ishin mbledhur rreth tij.

Pas rënies së Berishës, partisë së tij iu largua apo iku pjesa më e madhe e njerëzve normalë. Megjithatë duket se bërthama aktive ose një pjesë e mirë e saj, ka mbetur. Këta njerëz gjatë këtyre pesë vjetëve krijuan rrjetin e tyre, i cili, me ardhjen në pushtet të koalicionit të qendrës së majtë u shqetësua pasi kuptohet se ky rrjet ishte burim përfitimi dhe jetese për një grup jo të vogël njerëzish. Shumë fije u prenë sepse u vunë në krye shefa të rinj. Etja për pushtet e njerëzve si Berisha dhe etja për para e mafies së përjashtuar nga rrjeti, bëri që ata të vihen menjëherë në lëvizje. Tek kjo lëvizje e ka burimin politika destabilizuese që po bën ky grup gangsterësh. Ngjarjet e dhunshme të kohëve të fundit si shpërthimet në Gjirokastër, sulmi mbi komisariatin e policisë në Shkodër, prerja e ujit qytetit të Durrësit, hedhja në erë e depove në Burrel, kanë pa dyshim lidhje me veprimtarinë destabilizuese që kryen ky grup. Jo pak herë në histori kemi parë se në epoka trazirash një grup i vogël njerëzish, që nuk ndalet përpara përdorimit të çfarëdolloj mjeti, mund të krijojë rreziqe shumë të mëdha kur ka përballë një popull apatik dhe një pushtet të mefshtë e të korruptuar. Sikur të mos kishte qenë diskreditimi ndërkombëtar i këtij grupi dhe mbështetja që i jep Evropa qeverisë aktuale, sot Shqipëria do ta vuante shumë më rëndë veprimtarinë e këtij grupi. Megjithatë, fenomeni Berisha, si fenomen i lidhjes kriminale ndërmjet gangsterëve të pushtetit dhe gangsterëve të parasë, mbetet rreziku kryesor që ka sot Shqipëria. Ai jo vetëm po shkatërron të mira materiale, por po paralizon energjitë pozitive të këtij kombi dhe po vret përditë e më shumë shpresën.

Fenomeni Nano

Ndërkaq, përpara shqetësimit në rritje të opinionit publik ndaj këtij rreziku, kryeministri aktual Nano thotë: “nuk më shqetëson fenomeni Berisha, por radikalizimi i opinionit kundër tij” dhe shton se përderisa nuk i ka lejuar vetes hakmarrje (ndaj Berishës që e futi në burg) nuk do t’ua lejojë atë të tjerëve.

Pak nga pak edhe këto qëndrime të Nanos po meritojnë të quhen “fenomeni Nano” në kuptimin pezhorativ që ka marrë kjo fjalë në shtypin shqiptar. Po si do ta përcaktonim fenomenin Nano? Ndryshe nga Berisha, Fatos Nanos nuk i është dashur të rropatet e të çajë me bërryla për të realizuar ambiciet e tij në regjimin komunist. I lindur në Tiranë, nga një familje e privilegjuar, ai i ka ngjitur normalisht shkallët e suksesit dhe ka pasur shumë më pak komplekse të krijuara nga origjina sociale. Në një kohë kur Berishës i duhej të luftonte me fanatizmin e enveristit fanatik për të ngjitur shkallët e ambicies, Nano ka ditur të shijojë jetën me mundësirat më të mira që lejonte ajo kohë, duke njohur, mesa duket, edhe mjaft nga të metat e regjimit. Futja e tij në Partinë e Punës duket të ketë qenë më shumë një kërkesë familjare, që ai të gëzonte të gjitha të mirat e mundshme nga regjimi, sesa një etje e fuqishme për karrierë. Normalisht një njeri si Nano duhet të kishte marrë pjesë në lëvizjen demokratike në vitin 1991, krahas shumë të tjerëve të brezit të tij që vinin nga e njëjta origjinë. Nuk dihet qartë pse mbeti në PS, për shkak se ndjehej tepër i detyruar ndaj atyre që i kishin bërë privilegje, për shkak se në PD nuk do të kishte vendin që pretendonte apo për shkak se e kishte të vështirë t’i kundërvihej autoritetit të etërve komunistë. Duhet të jenë të tria së bashku nga pak. Gjithsesi një gjë është e sigurtë:

Kryesia e PS atij iu dhurua nga Ramiz Alia, i cili mendonte se duke patur nxënës të bindur në krye të partisë së tij mund t’i tërhiqte fijet e politikës së asaj partie si të donte vetë. Kështu në vitin 1991-1992, Nano u shfaq në politikën shqiptare më tepër si një urë që përdori Ramiz Alia për t’ia kaluar pushtetin PD-së sesa si një burrë shteti i vendosur.

Futja në burg i rriti karizmën dhe mitin, duket se i ka rritur edhe delirin e pushtetarit, megjithatë hija e asaj kohe, kur ai u bë simbol i rënies së një regjmi, vazhdon ta ndjekë nga pas dhe po do të marrë emrin “fenomeni Nano”. Fenomeni Nano është karakteristik për një pjesë të mirë të stafit të ri të PS-së. Përgjithësisht në krye të saj ndodhet “jeunesse doré” (rinia e artë) e komunistëve. Këta janë njerëz të shkolluar më mirë se të tjerët, më tolerantë dhe më të hapur. Veçse ata kanë një të metë të rëndësishme. Futja e tyre në parti në një kohë kur Partia e Punës ishte e diskredituar, tregon se shumica e tyre u janë nënshtruar autoritetit të etërve komunistë ose kanë qenë njerëz të prirë drejt përfitimeve materiale. Fakti që ata nuk janë rebeluar dot në emër të një ideali tjetër, por, përkundrazi, edhe pse mund të kenë qenë kundra, janë vënë në shërbim për të pasur përfitime, bën që figurës së tyre t’i mungojë karizma e heroit dhe vendosmëria e idealistit. Po ashtu kjo origjinë i ka lënë në një pozitë elitiste, pa lidhje të thella shpirtërore me popullin. Ndërkaq duket se ata mbajnë mbi vete edhe kompleksin e fajit të etërve të cilëve nuk iu kundërvunë kurrë, përkundrazi iu trashëguan partinë.

Një plazmim i tillë karakterial duket se i pengon ata të ndërmarrin veprime të guximshme. Për të vepruar, shpesh ata ndjejnë nevojën e mbështetjes së një autoriteti më të lartë. Në këtë rast ky autoritet është Evropa e cila, fatkeqësisht, gjithmonë i ka kuptuar fenomentet ballkanike pas të vjelave. Sikur Shqipëria të mos kishte përpara një rrezik kaq të madh sa ç’është veprimtaria destabilizuese e gangsterëve të Berishës, e cila zhvillohet në një terren tejet të varfër, me një popull që po mbetet gjithnjë e më shumë i paarsimuar, gjithnjë e më i pashpresë dhe pa jetë shpirtërore, një teknokrat i ftohtë si Nano ndoshta do të ishte krejtësisht i pranueshëm. Mirëpo Shqipëria është në një situatë që kërkon shumë dashuri, shumë guxim dhe shumë sakrifica, deri edhe të jetës. “Guximtari – shpëtimtari” thotë një fjalë e popullit. Duket se edhe mungesën e këtij guximi duhet ta fusim në fenomenin Nano.

Deklaratat e Nanos mbi tolerancë dhe pajtim në një kohë kur Berisha punon sheshit për shkatërrimin, nuk tregojnë kulturë demokratike. Ato më shumë tregojnë frikë dhe pafuqi të shtetit që ai drejton ndaj dhunës dhe agresivitetit të gangsterëve. Pas ngjarjeve terroriste në Shkodër, duket se më në fund ai do ta dëgjojë zërin e atyre që i quajti “njerëz të thjeshtë” të cilët, me instinktin e tyre politik e njohën se kush ishte Berisha vetëm tre muaj pasi erdhi në pushtet. Vetëm se, ndërkaq, ka humbur shumë besim në radhët e tyre dhe do t’i duhet shumë më tepër vendosmëri, guxim dhe punë konkrete për ta rifituar atë. Kuptohet, nëse do të binte në krizën që ra Berisha me 1997, Nano nuk do të kapej mbas kangjellave të kancelarisë dhe aq më pak do të shkulte rrënjësh Shqipërinë. Pa dyshim atë nuk e karakterizon egërsia dhe paturpësia e komunistëve antikomunistë si Berisha. Por rreziku Nano është një tjetër. Ai fare mirë mund ta lëshojë nga supet barrën e pushtetin që ka marrë duke thënë: “kaq munda ta mbaj”. Mirëpo Shqipëria atëherë do të mbetej në baltë e do të binte pre e një anarkie, të cilën shpejt do ta sundonte dora e krimit ose dora e Berishës, çka është pothuajse e njëjta gjë.

“Fenomeni Nano”, i shprehur në formën e një politike më të arsyeshme, por gjithsesi të mbetur brenda kufijve të përfitimeve personale të politikanëve, dhe i zhveshur nga guximi, inspirimi dhe vendosmëria, nëse nuk korrigjohet energjikisht, mund të rezultojë po aq shkatërrimtar për Shqipërinë sa edhe “fenomeni Berisha”.

SHKARKO APP