Fatos Tarifa: Imazhi i Shqipërisë dhe diplomacia publike efektive
(Botuar me 5 nëntor 2005)
Imazhi i Shqipërisë dhe diplomacia publike efektive
Nga Fatos Tarifa, PH.D
Shqipëria ka një problem imazhi. Ndërsa problemi vetë është serioz, ai bëhet edhe më i komplikuar nga një sërë faktorësh, të cilët janë më të shumtë dhe më të larmishëm nga sa kujtojmë ne zakonisht.
Problemi i imazhit të Shqipërisë është veçanërisht i mprehtë në Bashkimin Evropian, por ai nuk ndeshet vetëm në të. Shqipëria ka probleme me imazhin e saj edhe në hapësirën më të ngushtë gjeopolitike e kulturore të rajonit ballkanik. Se sa u përgjigjet imazhi që ekziston për vendin tonë realiteteve shqiptare është një temë më vete, në shtjellimin e së cilës mund të sillen argumente që variojnë nga ksenofobizmi ekstrem në realizmin e moderuar. Sidoqoftë, kjo nuk përbën objektin e këtij shkrimi.
Pikënisje për shtjellimet e mëposhtme është teza se, pavarësisht problemeve të vjetra apo të reja që presin zgjidhje dhe pikëpyetjeve të reja që janë krijuar, me progresin që ka bërë vitet e fundit Shqipëria nuk meriton të ketë këtë imazhin negativ që ka sot. Shumë zhvillime pozitive kanë ndodhur në Shqipëri, të cilat “bota” nuk i njeh sa duhet. Arsyeja është se vetë ne, shqiptarët, nuk bëjmë sa duhet për t’u treguar të tjerëve historinë tonë, jo thjesht historinë e së kaluarës, por historinë e ditëpërditshme që transformon realitetin shqiptar. Kjo është në fakt detyra e diplomacisë publike.
Termi “diplomaci publike” është përdorur për herë të parë më 1965 nga Edmund Gullion, një diplomat karriere i Shteteve të Bashkuara dhe më pas dekan i Fletcher School of Law & Diplomacy në Tufts University, kur ai krijoi në këtë universitet Qendrën për Diplomacinë Publike “Edward R. Murrow”. Departamenti i Shtetit i Shteteve të Bashkuara e përkufizon termin “diplomaci publike” si programe të sponsorizuara nga qeveria, të cilat kanë për qëllim të informojnë apo të influencojnë opinionin publik në vende të tjera”. Një konceptim i tillë i diplomacisë publike na lejon të dallojmë tre veçori esenciale të saj:
Së pari, diplomacia publike është transparente dhe e shpërndarë gjerësisht, në dallim nga diplomacia zyrtare, e cila (me përjashtim të rrjedhjeve rastësore të informacionit) është opake dhe bëhet nga institucione dhe me instrumente të përcaktuara mirë.
Së dyti, diplomacia publike transmetohet prej qeverive për një publik të gjerë, apo në raste të veçanta, për një publik “të zgjedhur” (siç janë aktualisht për Shtetet e Bashkuara popullsitë e vendeve të Lindjes së Mesme apo të vendeve myslimane, ndërsa për Shqipërinë kryesisht publiku i vendeve anëtare të Bashkimit Evropian), ndërsa diplomacia zyrtare transmetohet nga qeveria e një vendi të dhënë qeverive të vendeve të tjera.
Së treti, ndërsa problemet dhe çështjet për të cilat preokupohet dhe me të cilat angazhohet diplomacia zyrtare kanë të bëjnë me sjelljen dhe politikat e qeverisë, çështjet dhe problemet me të cilat preokupohet diplomacia publike kanë të bëjnë me sjelljen dhe qëndrimet e publikut të gjerë jashtë vendit apo të segmenteve të caktuar të tij.
Pasi kemi bërë këtë përcaktim të diplomacisë publike duke e dalluar atë nga diplomacia zyrtare, mund të themi se publikut të huaj mund t’i shpjegohen veprimet shpesh herë të panjohura apo të pakuptuara mirë të një qeverie të dhënë, në rastin tonë të qeverisë shqiptare, apo t’i bëhet i njohur progresi i realizuar në fusha të ndryshme të aktivitetit politik, ekonomik dhe social. Përveç kësaj, në atë masë që qëndrimet dhe politikat e Bashkimit Evropian apo të qeverive të vendeve të veçanta anëtare të tij ndikohen nga opinionet, sjellja dhe qëndrimet e qytetarëve të tyre (siç u vërtetua më së miri me refuzimin që francezët dhe holandezët i bënë Kushtetutës evropiane këtë vit), diplomacia publike mund të ndikojë në qëndrimet e qeverive të huaja ndaj vendit tonë duke ushtruar ndikimin e saj tek publiku i këtyre vendeve.
Por sa kuptohet dhe sa bëhet kjo diplomaci publike në Shqipëri? Sa ndihmon në këtë mes Ministria e Punëve të Jashtme si institucioni i specializuar, apo diplomacia zyrtare si instrumenti kryesor i politikës së jashtme të vendit tonë? Cilat organizma apo institucione shtetërore në Shqipëri bëjnë apo sponsorizojnë diplomacinë publike? Në ç’forma dhe me ç’mjete e realizojnë këtë? Sa të angazhuar janë në sferën e “shërbimit” diplomatik publik sektorë të ndryshëm të shoqërisë civile? Cilit publik të huaj i referohet dhe bën “subjekt” informimi diplomacia e tyre publike?
Nëse i marrim së bashku, apo veç e veç, të gjitha këto pyetje dhe mundohemi t’u përgjigjemi atyre do të shohim se s’ka shumë për të thënë. Në Ministrinë e Punëve të Jashtme, ku duhej të kishte një departament apo drejtori të veçantë të diplomacisë publike, ky term nuk evokon thuajse asgjë. Diplomatët më të rinj, të cilët në kurse të ndryshme kualifikimi jashtë vendit mund të kenë dëgjuar leksione mbi diplomacinë publike, nuk shohin asnjë hapësirë reflektimi apo veprimi as brenda institucionit të tyre, as në sferën publike të shoqërisë shqiptare, e cila, e fragmentarizuar dhe e polarizuar në mënyrë të tejskajshme siç është, krijon pak mundësi për një diplomaci publike efektive nga ana e organizatave të ndryshme joqeveritare që veprojnë në hapësirën e saj.
Thelbi dhe roli i diplomacisë publike për të cilën ka nevojë Shqipëria janë të informojë dhe të influencojë opinionin e huaj publik, veçanërisht atë evropian, mbi ato transformime rrënjësore që janë kryer në vendin tonë që nga shembja e sistemit të socializmit shtetëror si edhe mbi vlera të tilla themelore humane si pluralizmi, liria dhe demokracia, të cilat duke u bërë dita ditës pjesë e realitetit politik e shoqëror shqiptar rezonojnë me vlerat e qytetërimit evropian dhe ato të komunitetit transatlantik.
Kjo konsideratë e përgjithshme natyrshëm çon në një pyetje, së cilës deri më sot askush s’ka marrë mundimin t’i japë përgjigje: a duhet që qeveria shqiptare të jetë transmetuesja e vetme, ose kryesore, e përmbajtjes së diplomacisë publike jashtë vendit apo ajo duhet ta ndajë këtë funksion me organizata dhe shoqata të tjera joqeveritare si edhe me institucione akademike dhe organizata serioze të biznesit? Me fjalë të tjera, çfarë të mirash “private” apo “publike” mund të gjenerojë realiteti shqiptar për t’u bërë atraktiv dhe i pranueshëm për publikun evropian?
Shqipëria, një vend i vogël dhe më i varfër se të gjithë shtetet e tjerë të Evropës ka mundësi të kufizuara për të eksportuar në tregun e saj apo në tregun global “të mira private”, me çka unë kuptoj sende të përdorimit privat, gjë që në vetvete nuk shërben për të motivuar diplomacinë publike. Në shtete ekonomikisht të zhvilluara, siç janë Shtetet e Bashkuara, vendet kryesore të Bashkimit Evropian, Japonia, Kanadaja dhe së fundi Kina, interesat tregtare kanë shërbyer dhe shërbejnë për të energjizuar dhe përmirësuar “diplomacinë publike” të këtyre vendeve. Talenti amerikan për të shitur anë mbanë globit muzikën e Madonës, filmat e Hollivudit, Pepsi-Kolën dhe Koka-Kolën, këpucët atletike të Majkëll Xhordanit apo hamburgërat e MakDonaldit ka pasur dhe ka në vetvete përmbushjen e një elementi, sado anësor, të “diplomacisë publike”, pasi ai ka popullarizuar vlera të caktuara të kulturës popullore amerikane dhe ka promovuar në shumë vende dhe rajone të botës një imazh pozitiv për Amerikën. E njëjta gjë mund të thuhet, ndonëse në kuadër të një hapësire gjeografike më të kufizuar, për kulinarinë italiane, verërat, muzikën, kinematografinë dhe turizmin e këtij vendi, për industrinë gjermane, veçanërisht atë të prodhimit të automobilave, për artin, filozofinë, modën dhe rivierën franceze, për eksportet kryesore të Holandës (naftën e Shellit, Heinekenin, tulipanët dhe produktet e Filipsit), për Nokian e Finlandës, Volvon e Suedisë etj.
Por le të shohim shtetet anëtare më të reja të BE-së. Zgjerimi i biznesit kapitalist dhe i aktivitetit tregtar të shumë prej këtyre vendeve në tregun e Bashkimit Evropian, në atë të Shteteve të Bashkuara, në Rusi, në Ballkan dhe deri në tregun latino-amerikan (verërat hungareze dhe sllovene, këpucët çeke, prodhimet bujqësore të Polonisë, bregdeti kroat e të tjera), kanë qenë dhe po bëhen gjithnjë e më shumë “të mira private” në përdorim të një mase gjithnjë e më të gjerë njerëzish nga shumë vende të zhvilluara të botës, të cilat kanë ndihmuar në promovimin e përshtypjeve dhe të një imazhi pozitiv për vendet prodhuese të tyre. Në kanalet më të fuqishëm televizive si CNN, BBC apo Deutche Welle dhe në revista të tilla popullore si Travel Magazine sheh të promovohen kultura dhe arti hungarez, bregdeti kroat, folklori dhe plazhet e Bullgarisë, çka është në vetvete një funksion dhe rezultat i diplomacisë publike që bëjnë institucionet politike, organizatat kulturore dhe grupet e biznesit në këto vende për të krijuar një imazh sa më pozitiv në komunitetin evropian dhe atë ndërkombëtar.
Është e vërtetë se muzika, arti, turizmi, vera, etj janë kryesisht të mira “private” (apo “kolektive”) të cilat evokojnë kryesisht eksperiencat individuale të njerëzve dhe deri diku edhe eksperiencat e grupeve të caktuar. Konsumatorët privatë tërhiqen lehtësisht pas tyre duke parë, dëgjuar, ndjerë apo shijuar dhe në këtë mënyrë reagojnë pozitivisht apo negativisht ndaj tyre dhe në një mënyrë të caktuar edhe ndaj vendit që i prodhon ato. Imazhi i një vendi, në fund të fundit, s’është veçse rezultat i eksperiencave individuale dhe kolektive të përsëritura të qytetarëve të huaj për aspekte të veçanta të organizimit shoqëror, shkallës së qytetërimit modern, kulturës dhe mënyrës së jetesës së tij. Sa i thellë është në këtë aspekt kontrasti midis imazhit të Shqipërisë dhe imazhit të shumë prej vendeve të tjerë të rajonit tonë. Bregdeti bullgar as që i afrohet bregdetit të Shqipërisë për nga bukuria e tij, por evropianët preferojnë më mirë plazhet bullgare në Detin e Zi se sa bregdetin shqiptar të Adriatikut apo të Jonit.
Verërat sllovene apo maqedonase nuk kanë të krahasuar me shumë nga verërat që prodhohen në Leskovik, Përmet dhe Librazhd, por ato i gjen në supermarkato të Amerikës. Po kështu edhe rakia apo djathërat bullgarë nuk janë më të mirë se rakia apo djathtat që prodhohen në Shqipëri, por të parat kanë gjetur treg shitjeje edhe në Shtetet e Bashkuara ndërsa djathin dhe rakinë e vendit të tyre shqiptarët që banojnë në Amerikë apo që e vizitojnë atë vazhdojnë t’i marrin me vete në çantat dhe valixhet e tyre. Sa ka menduar deri më sot dhe sa mendon shteti i sotëm shqiptar për ta ndryshuar këtë situatë, e cila nuk është në asnjë mënyrë fatale? Ç’është bërë dhe ç’mendohet të bëhet nga Ministria e Ekonomisë dhe e Tregtisë për të promovuar interesat ekonomike të vendit tonë dhe për t’u gjetur tregje shitjeje produkteve shqiptare, pra për të bërë atë “diplomaci publike” që i takon kësaj sfere të aktivitetit shoqëror? E njëjta pyetje ka vend të bëhet për agjencitë private të investimeve apo Dhomën e Tregtisë. Sepse sa kohë që qytetari i thjeshtë francez, holandez, gjerman, austriak apo spanjoll nuk do të shohë asgjë shqiptare në tregun e vendit të tij, por do të gjejë produkte Made in Slovenia, or Made in Poland, or Made in Romania, për aq kohë Shqipëria nuk do të jetë pjesë e hartës mendore të qytetarëve evropianë, të cilët, pavarësisht vendimeve politike që merren në Bruksel, janë ata që do të votojnë në fund të fundit për alternativën evropiane të vendit tonë.
Por le t’u kthehemi për një çast atyre çka mund t’i quajmë “të mira publike”. Të tilla janë sistemi demokratik, toleranca, paqja sociale, rendi, shteti i së drejtës, pozita e gruas në shoqëri, respektimi i të drejtave të minoriteteve etj.
Ndërsa në rastin e të mirave “private” cilësia e tyre ka të bëjë me shijet, kërkesat dhe eksperiencën individuale të njerëzve (fjala vjen një CD me muzikë të Dona Samërs apo Stingut, apo një shishe verë italiane mund të konsumohen nga një individ i veçantë, pa qenë nevoja që ato konsumohen edhe nga të tjerë), të mirat “publike”, nga ana e tyre, përjetohen në funksion dhe në varësi të shkallës së cilësisë së tyre, si të mira nga të cilat përfitojnë të gjithë qytetarët. Kështu, për shembull, vlerat demokratike, si një e mirë “publike”, nuk mund të konsumohen nga çdo individ i veçantë nëse ato nuk janë pranuar dhe nuk respektohen kolektivisht nga e gjithë shoqëria. Kjo është ajo kategori vlerash që, në fund të fundit, përcaktojnë imazhin e një vendi jashtë kufijve të tij si një shtet i lirë dhe demokratik, imazh mbi bazën e të cilit Perëndimi, ose Evropa, na pranon ose jo të bëhemi anëtarë në familjen e saj.
Nëse për shkak të nivelit të ulët të zhvillimit të saj ekonomik Shqipëria nuk ka mundur të krijojë një imazh pozitiv si partner ekonomik i vendeve evropiane, për shkak të institucioneve të saj të dobëta shtetërore, krizave të përsëritura politike dhe mungesës së stabilitetit në vend imazhi i saj si një vend demokratik në Evropë ka qenë dhe vazhdon të jetë përgjithësisht negativ, madje më negativ edhe se imazhi i Maqedonisë, fqinji ynë, i cili është formuar si shtet i pavarur vetëm 13 vjet më parë dhe ka një strukturë etnike heterogjene, për shkak të së cilës vetëm gjatë katër viteve të fundit ky vend ka njohur dy kriza ndëretnike serioze.
Imazhi i një vendi është si nami i njeriut. Imazhi negativ ashtu si edhe nami i keq janë vështirë të ndryshohen. Ato s’janë vetëm perceptime subjektive individuale apo stereotipa që krijohen për shkak të zakonit. Ashtu si nami i mirë apo i keq i një individi krijohen mbi bazën e cilësive dhe të mënyrës së sjelljes së tij kur këto perceptohen si eksperienca individuale nga individë të tjerë, edhe imazhi i një vendi krijohet mbi bazën e të mirave “private” dhe “publike” që prodhon ai vend dhe të sjelljes së tij ndaj qytetarëve të vet dhe publikut të huaj. Imazhin negativ për Shqipërinë Evropa dhe qytetarët e saj nuk e kanë krijuar apriori, ngaqë na kanë inat, apo ngaqë na konsiderojnë më pak të zhvilluar. Ky imazh është krijuar nga vetë ne shqiptarët, jo si popull, pasi të huajt gjithnjë kanë çmuar dhe çmojnë shumë nga cilësitë dhe virtytet e popullit tonë, por nga arkitektura politike që kemi ngritur ose kemi pranuar të drejtojë jetën e shoqërisë sonë dhe nga mënyra se si e kemi ngushtuar sferën publike, në të cilën shoqëria civile do të duhej të funksiononte si një institucion demokratik.
Mendoni për një çast ç’të mira “publike” kemi krijuar ne shqiptarët të paktën që pas Luftës së Dytë Botërore e këtej, të cilat kanë qenë kuti me të cilin Evropa ka matur shkallën e progresit tonë shoqëror dhe prizmi përmes të cilit ajo ka krijuar imazhin e saj për vendin tonë: një shtet autoritarist komunist dhe një vetizolim thuajse i plotë nga zhvillimet kryesore të kontinentit tonë për gati gjysmë shekulli; një kaos i vërtetë ekonomik e social në fillim të viteve 90 dhe imazhet shokuese të dhjetëra mijëra refugjatëve në atë periudhë, të cilët në Evropë u quajtën “boat people” (njerëz të anijeve); një shtet autoritar, liri e kufizuar për shtypin dhe shkelje e të drejtave të njeriut në mes të viteve 1990-të; krim i organizuar në shkallë të gjerë; një krizë e thellë ekonomike, sociale e politike pas shembjes së skemave piramidale të tipit “Ponzi” më 1997; një krizë tjetër politike më 1998; institucione të dobëta shtetërore dhe kriza të përsëritura qeveritare të shkaktuara nga lufta brenda llojit; shkallë e lartë korrupsioni në administratën shtetërore, një elitë politike tepër e fragmentuar dhe pjesërisht e inkriminuar, për të cilën e ardhmja evropiane e Shqipërisë ka më pak rëndësi se mirëqenia personale apo e ardhmja politike e tyre si individë.
Ky ka qenë brumi që kemi gatuar vetë ne shqiptarët dhe me këtë brumë Evropa nuk ka pranuar të na hapë dyert e saj. Gjatë dhjetëvjeçarit të fundit Hungaria, Sllovakia, Estonia, Lituania, Sllovenia provuan se ishin jo thjesht gjeografikisht më pranë Evropës (pasi vendet baltike janë më larg qendrës gjeografike të kontinentit tonë se Shqipëria), por politikisht, ekonomikisht dhe mbi të gjitha të socializuar më shumë dhe më mirë se ne për t’u bërë qytetarë të komunitetit evropian. Kjo duket se ka ndodhur vitet e fundit, të paktën në perceptimin e Brukselit dhe të publikut të gjerë evropian, edhe me disa nga vendet e rajonit tonë si Kroacia, Bulgaria dhe Rumania, imazhi i të cilave në Evropë duket se është përmirësuar ndjeshëm në krahasim me imazhin e vendit tonë, jo se rumunët apo bullgarët janë më të kulturuar, më të aftë, apo më evropianë se ne, porse ata kanë ditur të bëjnë një diplomaci zyrtare dhe një diplomaci publike shumë më të mirë, më efektive dhe më produktive se vendi ynë. Madje kjo mund të thuhet edhe për fqinjin tonë të lindjes, Maqedoninë, trokitjet e së cilës në dyert e Bashkimit Evropian po i dëgjojnë në Bruksel.
Por a kemi krijuar ne shqiptarët të mira “private” dhe “publike” në këto 15 vitet e fundit, për të cilat diplomacia zyrtare shqiptare, përmes kanaleve të saj të informacionit, dhe një diplomaci publike më e mirë mund të kishin informuar dhe mund të informojnë strukturat burokratike të BE-së dhe publikun e gjerë evropian mbi cilësitë e çmuara të popullit tonë, mbi vlerat e kulturës, të artit dhe të letërsisë shqiptare, mbi konstituimin shpirtëror evropian të kombit tonë etj? Sigurisht që po. Dhe nëse diplomacia zyrtare e shtetit shqiptar ka qenë kurdoherë shumë prapa realiteteve të brendshme më pozitive të vendit tonë, diplomacia publike, e organizuar në sistem dhe e sponsorizuar nga shteti, ka qenë dhe vazhdon të mbetet një fëmijë jetim, të cilit shumëkush nuk ia di as emrin.
Kjo s’do të thotë se shqiptarët nuk kanë ditur të bëjnë dhe nuk bëjnë diplomaci publike. Veprat e Islamil Kadaresë, gjeniut të letërsisë shqipe dhe një prej shkrimtarëve më të mëdhenj të kohës sonë, të përkthyera gjerësisht në Evropë, kanë qenë dhe mbeten një arsenal i jashtëzakonshëm i mundësisë intelektuale të popullit tonë për të fituar admirimin e Evropës. Një miku im intelektual në Uashington, i lidhur me qarqet më të larta të administratës amerikane, pasi u takua me Kadarenë në Tiranë, disa kohë më parë, dhe pasi lexoi disa nga veprat e tij, më pohoi se Kadareja është një shkrimtar po aq evropian sa edhe shkrimtarët francezë, gjermanë apo anglezë, madje më i madh se të gjithë ata shkrimtarë evropianë që ai kish lexuar deri atëherë. Të entuziazmuar nga “zbulimi” që kish bërë në personalitetin, letërsinë dhe filozofinë evropiane të Kadaresë, ky njeri, sapo u kthye nga Tirana në Uashington, i dërgoi “Gjeneralin e ushtrisë së vdekur” si dhuratë për Krishtlindjet Këshilltares së Presidentit Bush për Çështjet e Sigurimit Kombëtar Condoleezza Rice. Kur shërbeja si ambasador në Holandë Ismail Kadarenë e kërkonin kudo, madje edhe në komisionin e politikës së jashtme të parlamentit të atij vendi që të fliste për Shqipërinë, por të fliste edhe për Evropën. Kadareja ka qenë dhe mbetet një simbol i karakterit evropian, properëndimor të vendit tonë dhe si i tillë një vlerë e çmuar për krijimin e një imazhi pozitiv dhe properëndimor të popullit tonë.
Mua nuk më intereson shumë nëse Edi Rama është tani kryetar i Partisë Socialiste, por ajo që ka bërë ai për Tiranën është ndoshta diplomacia më e mirë publike në dobi të Shqipërisë. Duke e transformuar Tiranën nga një fshat i madh në një qytet metropolitan modern, madje në kryeqytetin më dinamik të Ballkanit, Rama ka bërë shumë për të ndryshuar pozitivisht imazhin e vendit tonë në Evropë dhe në Shtetet e Bashkuara. Transformimi urban rrënjësor që është kryer në Tiranë gjatë këtyre 4-5 viteve të fundit është një tregues optimist mbi mundësinë e transformimeve të thella ekonomike, sociale e kulturore në shkallë vendi nëse në krye të punëve vihen njerëz të aftë dhe me vizion evropian. Tirana e vitit 1992, ajo e vitit 1998 apo Tirana e vitit 2000 nuk kishin vend në Evropë, por Tirana e vitit 2005 është një qytet evropian, më shumë evropian se Shkupi, Sofja, Bratislava apo Zagrebi. Ajo që ende nuk është krejtësisht evropiane në Tiranë është politika, ndërkohë që edhe në Zagreb, edhe në Bratislavë, edhe në Sofje edhe në Shkup politika e këtyre vendeve është evropianizuar në një shkallë më të lartë. Ose, të paktën, ky është imazhi i këtyre vendeve në Bruksel dhe në publikun e gjerë evropian.
Që Kadare është një gjigant i letërsisë së sotme botërore këtë e thotë çdo njeri i informuar në Perëndim. Që Rama e ka transformuar Tiranën në një qytet modern evropian këtë e thonë “The New Yorker”, “The Guardian”, “Times magazine” etj. Veprat e këtyre dy individëve të shquar janë, secila në llojin e vet, diplomaci publike në vetvete, efektet e së cilës kanë çuar në një përmirësim të dukshëm të imazhit të Shqipërisë në këto vitet e fundit. Por ndërsa Evropa dhe Amerika i çmon ata dhe mesazhet emancipuese dhe demokratike që përçojnë arritjet e tyre, në Shqipëri Kadareja dhe Rama janë vënë shpesh herë nën goditjen e individëve që s’kanë bërë kurrë asgjë me vlerë në jetën e tyre apo të grupeve të caktuara që, pavarësisht retorikës demokratike e perëndimore, janë shumë larg vlerave të vërteta të demokracisë perëndimore. Imazheve pozitive për Shqipërinë që përçojnë në publikun e gjerë evropian letërsia e Kadaresë dhe e shkrimtarëve të tjerë më të mirë të vendit dhe Tirana e transformuar u kundërqëndron në një mënyrë gati anuluese imazhi negativ që krijojnë vetë shqiptarët duke sharë dhe përgojuar çdo arritje pozitive, çdo vlerë të mirë dhe individët që qëndrojnë prapa tyre. Dhe imazhi që krijojnë dhe ruajnë të huajt për ne, jo vetëm në Evropë por edhe fqinjët tanë, është ai i një vendi që “s’bëhet” dhe i një populli që “s’e gjen dot me veten e vet”, imazh ky të cilin, shpesh herë e ushqejmë vetë ne, shqiptarët, dhe jemi po ne ata që ua servirim atë të huajve në një mënyrë që na tregon të pa qytetëruar dhe qesharakë në sytë e tyre.
Këto imazhe negative na kanë mbajtur dhe do të na mbajnë edhe më tej jashtë Evropës. Nëse në vitin 2002 Shqipëria nuk u ftua të anëtarësohet në NATO dhe më 2004 nuk u bë anëtare e kësaj organizate kjo nuk ndodhi ngaqë vendi ynë ishte më mbrapa Bullgarisë apo Rumanisë në procesin e reformimit demokratik të forcave të armatosura, porse imazhi i saj në Uashington dhe në Bruksel ishte më negativ se imazhi i shtatë demokracive të reja që iu shtuan Organizatës së Atlantikut Verior. Mesazhin se Shqipëria nuk ishte “akoma gati” për t’u ftuar në NATO më 2002 në Uashington unë e kam kuptuar kryesisht si një çështje imazhi të vendit tonë. Njëlloj besoj ka ndodhur edhe në Bruksel: të jesh “gati” për t’u pranuar në NATO apo në Bashkimin Evropian, sado përgatitje të bësh për ta merituar anëtarësimin në këto institucione, nuk mjafton nëse imazhi i Shqipërisë vazhdon të jetë negativ.
As Spanja më 1982, as Letonia, Bullgaria apo Rumania më 2004 nuk ishin “gati” për t’u bërë anëtarë të NATO-s respektivisht në ato vite. As Greqia më 1981, as Portugalia më 1986, as Lituania apo Sllovakia më 1994 nuk ishin “gati” as politikisht, as ekonomikisht dhe as teknikisht për t’u bërë pjesë e Komunitetit Evropian (dy të parat) apo e Bashkimit Evropian (dy të fundit). Por këto vende ishin gati në një drejtim tjetër: ato kishin krijuar një imazh pozitiv në Bruksel dhe në Uashington, imazhin si vende “normale” dhe “demokraci të konsoliduara”. Ky imazh i bëri ato pjesë të familjes evropiane dhe të komunitetit transatlantik më shumë sesa vetë shkalla e zhvillimit të tyre politik dhe ekonomik në kohën e pranimit. Sado përpara të shkojë reformimi i shoqërisë shqiptare dhe sado t’u afrohet ajo kritereve të pranimit në NATO dhe në Bashkimin Evropian, Shqipëria nuk do të mund ta bëjë dot hapin final për t’u bërë pjesë e këtyre institucioneve nëse imazhi që u transmetojmë ne Uashingtonit dhe Brukselit është ai një vendi, i cili akoma nuk është gati”, i cili akoma nuk është i sigurt në rrugën e vet, apo i cili akoma e mban vështrimin prapa në kurthet dhe udhëkryqet e historisë së tij ballkanike (të dominuar gjatë gjysmës së mileniumit të dytë nga sundimi otoman dhe në gjysmën e dytë të shekullit të 20-të nga sundimi komunist) dhe jo përpara, drejt së ardhmes së tij evropiane.
Cilatdo qofshin besimet apo filozofitë tona politike, ne duhet vetëm të kujtojmë Uinston Çërçillin, i cili më shumë se një gjysmë shekulli më parë, në mënyrë të mençur dhe elokuente ka thënë: “Në qoftë se ne hapin një sherr midis të kaluarës dhe të sotmes ne do të shohim se kemi humbur të ardhmen”. Kjo filozofi e mençur e Çërçillit, për lavdinë etj të pavdekshme dhe për të mirën e mbarë njerëzimit, sugjeron se vlerësimi i së kaluarës duhet të ndihmojë në promovimi ne ideve dhe të qëllimeve të reja për të zhvilluar më tej shoqëritë tona dhe për të përmirësuar jetët tona. Kjo është mënyra se si e kuptoj unë vetë karakterin emancipues të historisë. Sado e vështirë që të duket, shqiptarët duhet më së fundi të lënë mënjanë çfarëdo lloj mërish apo pretendimesh moralo-historike që mund të kenë ndaj jetës dhe mirëqenies së të tjerëve, siç duket se kanë bërë edhe popujt e tjerë të Evropës Qendrore dhe Lindore, të cilët tashmë janë bërë apo do të bëhen së shpejti anëtarë të familjes evropiane. Shqiptarët akoma nuk e kanë kaluar dot një test shumë të rëndësishëm, pa të cilin pretendimi ynë për të hyrë në Evropë nuk mund as të legjitimohet as të përmbushet. Ky është “testi i faljes dhe i amnistisë” në frymën e Spanjës së pas Frankos, një vend që u ngrit mbi dekada të tëra të mbushura me vuajtje, zemërim, faj, armiqësi, urrejtje, përçarje dhe luftë civile. Nëse Spanja, Gjermania, Polonia, Kroacia apo Rumania e kanë kaluar këtë test të rëndësishëm të maturisë së tyre politike si demokraci të konsoliduara apo në konsolidim e sipër, nuk ka arsye pse Shqipëria të dështojë. Veçse suksesi apo dështimi ynë nuk varen nga Evropa. Hyrja ose jo e Shqipërisë në Evropë varet nga suksesi apo dështimi ynë.
*Ish-Ambasadori Shqipërisë në SHBA