Ferdinand Radi për “Regjisorin anarkist”, Kujtim Spahivogli

Aktori Ferdinand Radi shkruan në gazetën “Koha Jonë”, e martë 26 Korrik 1994, një memuare për regjisorin Kujtim Spahivogli, me rastin e 62 vjetorit të lindjes, e për koincidencë të keqe dhe 7 vjetorit të vdekjes. Aktori me një stil shumë elegant sjell në kujtesë përmes fragmenteve të bisedave, që shpërfaqin të kaluarin e Kujtim Spahivoglit, studentit që krye shkëlqyeshëm në Moskë në vitin 1956 studimet e larta për teatër. Po, diktatura nuk u mjaftua me asgjë mizore që bëri ndaj tij, deri sa t’i kërkonte të hiqte dorë nga arti. Por kujt? Kujtim Spahivoglit, i cili në vitin 1956 emërohet aktor në Teatrin Popullor. Roli i tij i parë në skenën e Teatrit Popullor ishte Xherxhinski në dramën “Orët e Kremlinit”, dhe më pas vijnë një sërë rolesh në dramat “Majlinda”, “Në anën tjetër”, “Dragoi i Dragobisë”, “Hamleti”, etj. Por më shumë ka punuar dhe u shqua si regjisor në Teatrin Popullor dhe si pedagog në Institutin e Lartë të Arteve. Ka vënë në skenë pjesët: “I Çuditshmi”, “Gratë gazmore të Uindsorit”, “Në tufan”, “Shtëpia në bulevard”, “Drita”, “Karnavalet e Korçës”, “Qielli i kuq”, etj.

E risjellim në kujtesë këtë publikim në gazetën “Koha Jonë” të 30 viteve më parë, si një homazh për të madhin e artit skenik, kryesisht atij komik, Ferdinand Radi, dhe për aktorin dhe regjisorin, Kujtim Spahivogli, i cili pati një kalvar persekutimi dhe sakrificash, për fajin e vetëm se diti të bënte art dhe të ishte një nga përfaqësuesit më të spikatur të traditës sonë skenike.

Si një shlyerje për çfarë ai i kishte dhënë artit tonë dhe çfarë ai kishte hequr nën zgjedhën e diktatit komunist, pas vdekjes, në vitet ’90 i’u akordua titulli “Artist i Popullit”.

Albert Vataj

“Regjisori anarkist”

Ishte koha kur kompozimi i piktorit të madh Francesko Goja: “Jupiteri ha të birin”, po bëhej motua e këtij vendi.

Ishte koha kur shteti mesjetar i pangopur me viktima intelektualësh dhe ushtarakësh, kish filluar tashmë të hante artistët e tij. Ishte viti 1973, kur Jupiteri i uritur ju vërsul artistit të shquar, Kujtim Spahivogli nën okelion “Regjisor anarkist, me mendime estetizante”! Pra Shqipëria, që sipas ndarjes biblike nuk i takonte as parajsës, as purgatorit, por vetëm ferrit, po shkelte mbi shpirtra artistësh me djajtë e saj të kuq.

Kujtimi – Shih dritë më thonë shokët e partisë! Po kur t’i zënë sytë me poshtërsia ku ta shohësh këtë dritë?!

Kështu e nis kalvarin e tij tragjik Hamleti shqiptar. “Të rrosh apo të mos rrosh”. Është hera e parë që Hamleti Spahivogli monologon jashtë skene. Duke e shndërruar si punëtor betoni në urën e Mbrostarit Fier, Jupiteri jep porosi të veçanta për trajtimin e tij…

Kujtimi – Kur vajta në kantier të gjithë më afroheshin e pa më folur më shikonin si të habitur. Më dukeshin si tregtarë kuajsh që do të më zbulonin dhëmbët për të më përcaktuar moshën.

Si pasojë e presioneve të shumta, familja e Spahivoglit e sapo ngritur niset drejt divorcit. Atë ditë e pashë për herë të parë me lot në sy.

Kujtimi – E keni vënë re kur ndahen dy njerëz të afërt ? Po i pati sytë e përlotur edhe njeri edhe tjetri, ndarja është e përkohshme. Ama po qe njëri esëll, ehe, si bën çarje më asgjë.

… Kthehet sërish në Tiranë më 1979 por nuk i japin punë duke e lënë në mjerim me nënë Durijen plakë Nënë Durija – O Nando! Çfarë ka bo ky Kujtimi im që e ka zemru kaq shumë Enverin tonë?!

Më 1982 e largojnë përsëri nga Tirana. Ndërkohë me porosi të Jupiterit një skuadër policësh i shkatërron shtëpinë…

Kujtimi – Nejse, kjo do të kalojë. Çdo gjë do të kalojë megjithëse kjo gjendje është shumë e vështirë… Dhe shokët e partisë përsëri më “këshillojnë” mos u merr më me art! Po me se do ta mbush unë tërë atë zbrazëtirë në zemrën time?!

Dhe kështu nisi të zbrazej çdo ditë zemra e tij. Pas vdekjes së nënës më 1983 dhe vdekjes së motrës më 1986 vjen vdekja tragjike dhe e papritur e tij me 1987 si një prelud terrori në shpirtin e artistit.

Ferdinand Radi

 

 

SHKARKO APP