Gjergj Zefi: Kemi bërë një vrimë në ujë si qeveri e majtë!

Botuar me 5 shtator 1998 në KOHA JONE)

Nga Gjergj Zefi-

Pas një viti e ca qeverisje të koalicionit qeveritar, cili është gjykimi juaj për arritjet dhe mosarritjet?

Megjithë respektin e madh që kam për punën e shumicës së ministrave shqiptarë, megjithë përmirësimet e dukshme krahasuar me 1997, megjithë përpjekjet e stërmundimshme që po bëhen për rimëkëmbjen e institucioneve, unë sërish mund të them se kemi bërë “një vrimë në ujë” për sa kohë politika shqiptare vazhdon të mbetet e pareformuar, për sa kohë në themel të saj mbizotëron konflikti dhe mosmarrëveshja, për sa kohë qytetaria shqiptare është peng e armiqësisë primitive të lidershipit të saj politik. Nuk mund të ketë stabilizim të ekonomisë, nuk mund të ketë stabilizim të jetës shoqërore shqiptare pa u stabilizuar politika, pa u ricikluar mirëkuptimi dhe dialogu. Në politikë, dialogu është mjeti që avancon pronarët e zhvillimit të ideve drejt qëllimeve gjithmonë e më ambicioze, bën të besueshme konfrontimet mes grupeve që kanë mendime të ndryshme, por që ndërluftojnë për të afirmuar parimet e demokracisë si një mjet për të realizuar një strukturë shoqërore që t’u sjellë mirëqenie materiale dhe shpirtërore të gjithë qytetarëve. Në politikën shqiptare dialogu tashmë është kthyer në tabu dhe me sa shihet nuk ka asnjë shans për t’u realizuar.

Në këto kushte a mendoni se ka ndonjë opsion për zgjidhjen e krizës apo…?

Natyrisht, në politikë nuk mund të thuhet kurrë se nuk ka një zgjidhje. Politika në vetvete është arti i kthimit të së pamundurës në të mundur paçka se lidershipi i sotëm politik në Shqipëri e ka kthyer politikën në artin e kthimit të së mundshmes në të pamundur. Unë kam përshtypjen se në politikën shqiptare ka ndodhur konsumimi i figurave. Lidershipi i sotëm xhiron në vend pa arritur të ndryshojë dot asgjë. Kokat e nxehta i kanë zënë frymën politikës dhe lufta primitive ka rrezik ta çojë Shqipërinë drejt një çmendurie të dytë që do të ishte edhe fataliteti ynë i madh. Në këto kushte mendoj që shpëtimi ynë i vetëm do të ishin ndërrimet e mëdha. Unë mendoj se nuk është shumë e rëndësishme kush i ka fajet në këtë mes; e rëndësishme është se kjo kastë politikanësh nuk merret dot vesh dhe nga kjo mosmarrëveshje Shqipëria rrezikon shumë. Një ndër të këqijat e mëdha që ka çuar në krizën e politikës është pa mëdyshas monopolizimi i politikës nga një kastë njerëzish. Ne duhet t’i themi po profesionalizmit në politikë, por duhet të jemi kundër kthimit në monopol dhe me qëllim në vetvete të këtij profesioni. Shqiptarët nuk kanë arsye t’i referohen sërish të humburve ata duhet të kërkojnë fitimtarët. Ndaj, është urgjente nevoja për të përgatitur kushtet dhe për të përkrahur ndërrimet e mëdha.

Ju keni kritikuar vazhdimisht mbarëvajtjen e koalicionit. Cili është opinioni juaj sot pas më shumë se një viti?

Kam menduar gjithmonë se koalicioni është një garanci shumë e madhe për mbarëvajtjen e demokracisë. Megjithatë që në fillim kam dyshuar dhe kam qenë skeptik në realizimin e këtij koalicioni, kjo për faktin se ky koalicion u ndërtua jo mbi kolona politike, por mbi kolona morale. Dhe si i tillë mundësia, e rrënimit të tij ishte gjithmonë evidente. Megjithëse edhe njëqind herë po të më jepej mundësia, njëqind herë do të votoja për koalicionin, prapë mund të them se shumë gjëra nuk kanë funksionuar siç duhet. Shpesh herë janë shfaqur veprime megalomane nga mazhoranca e koalicionit, shpesh herë janë shfaqur shenja të superioritetit duke harruar marrëveshjen e bërë se në koalicion nuk do të gjykojmë mbi numrin e votave, por mbi kontributet e dhëna. Shtrirja në bazë të koalicionit vazhdon të mbetet ende shqetësimi kryesor. Megjithë takimin e tetorit në Pallatin e Kongreseve, ku u realizua marrëveshja e shtrirjes së koalicionit në bazë, çdo gjë mbeti në letër.

Kohët e fundit është folur shumë për një paketë antikorrupsion, madje pritet edhe një tryezë e partive të koalicionit për këtë problem?

Në vendin tonë kohët e fundit korrupsioni edhe kontrabanda ka qenë temë e ditës. Është ngritur një mjegullnajë e tillë, që të gjithë janë akuzuar dhe të gjithë kanë akuzuar. Kjo është një e keqe e madhe që nuk të le të kuptosh se ku fillon e ndershmja dhe ku mbaron e pandershmja.

Megjithatë mendimi im është ky: kontrabanda dhe korrupsioni nuk luftohen me llafe e tryeza pa fund e aq më pak me forca speciale e bllokim aksesh rrugore, kontrabanda luftohet me ndërhyrje financiare, me ligje ekonomike. Politika ekonomike e qeverisë duhet të orientohet përkundrejt frenimit të kontrabandës. Tarifat doganore, akcizat, transitet, duhet t’u nënshtrohen operacioneve të tilla financiare që të frenojnë kontrabandën. Ndryshe llafet kthehen në demagogji dhe akuzuesit në demagogë.

Ju keni kritikuar Presidentin e AD-së dhe drejtues të tjerë për mosfunksionimin e partisë. Si qëndron e vërteta?

E vërteta është se Partia Aleanca Demokratike ka një vit në gjendje të plotë letargjie. Nga një parti me aksesin më të madh politik në vend është kthyer në një parti pa nerv politik. Unë e kam kritikuar Presidentin Ceka se ka zgjedhur bashkëpunëtorë të paaftë për të çuar PAD në zgjedhje, se njerëzit te të cilët, ai është mbështetur do ta lenë në rrugë, se Partia nuk mbahet me bythë pambukë, që të lenë në “vijë të kufirit”, por se ajo kërkon njerëz të fortë e kurajozë që nuk të fërkojnë krahët kur e ke gabim, por ta thonë të keqen në sy dhe të ngrenë kur ti rrëzohesh.

Unë i them këto se Aleanca është shqetësimi im, është dhembja dhe vuajtja ime ndërsa për ata që i fërkojnë krahët Cekës, Aleanca është përfitimi i tyre. Në Aleancë, jemi shumë, ndaj dhe miku ynë Ceka duhet të kthehet te vlerat e vërteta. Një rikthim tek vlerat është një hap i sigurt drejt fitores së Aleancës.

Kohët e fundit opozita (PD) i ka shpeshtuar lëvizjet e saj të rrugës. Cili është gjykimi yt për këtë?

I kam ndjekur me vëmendje zhvillimet e fundit politike në Shqipëri. Kam përshtypje se rruga që ka zgjedhur për të marrë pushtetin PD është e gabuar. Unë nuk e paragjykoj ardhjen e PD-së në pushtet, por mjetet që po përdor janë tipike bolshevike. Dhe për këtë unë fajësoj Berishën si gjeneruesin e marrjes dhe të lëshimit të pushtetit përmes dhunës. Në PD ka shumë energji politike pozitive që natyrshëm mund të qeverisin vendin, por shefi i tyre është një politikan demode, i pandreqshëm që s’mund më t’i sjellë asnjë të mirë Shqipërisë e aq më pak atyre vetë. Ndaj mendoj që reformimi i PD-së, transfuzioni i gjakut të saj është një hap i rëndësishëm drejt ndërrimit të pushteteve në Shqipëri, ndërkohë që pushteti i sotëm po i thellon gabimet dita ditës. Është koha që Shqipëria t’i kthehet normalitetit, marrëdhënieve normale pozitë-opozitë, aq të domosdoshme për funksionimin e shtetit. Ndaj e theksoj edhe një herë që kokat e nxehta duhet të largohen, që politika të marrë frymë lirisht dhe që dhuna t’i hapë rrugë argumentit.

Cili është gjykimi juaj për arrestimin e 6 funksionarëve të PD-së?

Unë nuk jam njohur me procedurat e përdorura, por mund të them se në raste të tilla prokuroria ose duhet t’i futet çështjes me themel ose të mos i futet fare. Në Shqipëri, veprimet apo mosveprimet e prokurorisë janë varur gjithmonë nga politika. Shqipëria ka nevojë për një prokuror të vendosur e kurajoz që të mos ia dijë as për kërcënimet e Berishës e as për thëniet kompromentuese të Nanos.

“Unë nuk do t’i dhuroj Berishës kënaqësinë e burgut” (?!!) Ndaj mendoj që çështja ose duhet të gjykohet me themel ose të lihet fare. Gjykimet sa për kozmetikë kanë efektin e kundërt. A nuk ndodhi kështu edhe me gjykimin e anëtarëve të byrosë politike?

Intervistoi REDI SEJAMINI

SHKARKO APP