Ilir Babaramo: Fatos Nano, jo qytetar nderi

(Botuar me 11 Prill 1996 në KOHA JONE)

Nga Ilir Babaramo-

Tepelenë – Gjykata e Tepelenës i dha dje fund dilemës juridike: të jetë ose jo “qytetar nderi” lideri i burgosur socialist, Fatos Nano. Në seancën e djeshme gjyqësore një trup gjykues i Gjykatës së Tepelenës i kryesuar nga kryetari i saj, Pëllumb Vehbiu, ka shqyrtuar kërkesë-padinë e ngritur nga Prefektura për anulimin e vendimit të bujshëm të këshillit bashkiak të qytetit të vogël Jugor. Në përfundim të seancës gjyqësore të pranishmit kanë dëgjuar vendimin: gjykata ka pranuar kërkesë-padinë e Prefekturës. Ligjërisht, tashmë Nano nuk është më “qytetar nderi” i qytetit ku vetëm 4 kilometra larg tij vuan dënimin që prej 3 vjetësh. Ndërkohë liderët lokalë të Bashkisë së Tepelenës bëjnë të ditur se çështjen do ta vazhdojnë edhe në shkallët e tjera gjyqësore. Në 15 Mars, vetëm 5 ditë pas fjalimit të Berishës në Tepelenë, ku Presidenti i Republikës sulmoi ashpër kundërshtarin e tij politik Fatos Nano, këshilli bashkiak i Tepelenës i dominuar nga socialistët, shpalli sfidën më të madhe që PS ka ndërmarrë ndonjëherë kundër pushtetit të PD gjatë këtij viti. Lideri i burgosur socialist Fatos Nano u shpall “qytetar nderi” i Tepelenës. Por PD vendosi që sfidës t’i përgjigjej me sfidë. Nëpërmjet prefekturës së Jugut pezulloi vendimin e bujshëm, ndërkohë që i është drejtuar gjykatës së Tepelenës duke kërkuar anulimin e vendimit. Madje PD nuk ju drejtua vetëm gjykatës por edhe rrugës. Dy ditë pas shpalljes së Nanos “qytetar nderi” me motivin “për një kontribut të shquar në demokratizimin e vendit”,  PD lokale organizoi një miting ku rreth 400 pjesëmarrës protestuan përballë godinës së Bashkisë. Gjithsesi në bazë të ligjit për funksionimin e pushtetit lokal arbitër midis prefekturës që kërkonte anulimin e vendimit dhe Bashkisë që këmbëngulte në vendimin e marrë mbetej gjykata. Në seancën gjyqësore të zhvilluar dje në mesditë, palët kanë këmbëngulur përsëri në qëndrimet e tyre. Në fillim janë dëgjuar pretendimet e palës paditëse, lexuar nga juristi i prefekturës Adrian Koshi, i cili ka sulmuar këshillin bashkiak për mosrespektim të anës procedurale në marrjen e vendimit. “Data dhe rendi i ditës u bëhet e ditur banorëve të qytetit nëpërmjet shtypit lokal, gjë që nuk është kryer. Në relacionin e paraqitur para marrjes së vendimit nga kryetari i Bashkisë mungon firma e juristit të këtij institucioni dhe sekretarit të Bashkisë. Burgu i Bënçës është jashtë territorit dhe juridiksionit të bashkisë së Tepelenës. Duke e shpallur Fatos Nanon një të dënuar ordiner, “qytetar nderi” të Tepelenës, fyen gjithë banorët e këtij qyteti”. Këto kanë qenë  argumentet e Prefekturës që insistonte në anulimin e vendimit në fjalë. Ndërkohë, kryetari i këshillit bashkiak, Xhevdet Xhemali, që përfaqësonte palën e paditur, ka insistuar në vendimin e marrë.  “Nano e meriton të jetë qytetar nderi, sepse ai ishte i pari që nëpërmjet Zërit të Amerikës ka kërkuar rrëzimin e sistemit komunist. Edhe nga burgu i Bënçës ai vazhdon të japë mesazhe paqeje, – tha Xhemali në fillim të fjalës së tij, e cila shkaktoi irritimin e Prefektit Fatos Gjyrezi, duke detyruar kryetarin e trupit gjykues të ndërpresë seancën. Pas rreth 15 minutash pushim, Xhemali ka vazhduar ligjëratën e tij. “Nano është një i burgosur politik. Kështu e ka cilësuar dhe Amnesty International, Unioni Ndërparlamentar Europian, Departamenti i Shtetit Amerikan”.  Gjatë kësaj deklarate, prefekti Gjyrezi ka protestuar disa herë duke thënë : “Kjo çështje nuk duhet të politizohet”, ndërkohë që të njëjtën gjë ka përsëritur dhe kryetari i seancës, Pëllumb Vehbiu. Pyetjes së një anëtari të trupit gjykues se çfarë ka bërë Nano për Tepelenën, Xhemali i është përgjigjur: “Për Tepelenën Nano ka bërë atë që ka bërë për gjithë Shqipërinë, qytet i së cilës është dhe Tepelena. Nano ka bërë shumë më tepër për Tepelenën se Berisha për Divjakën. “Qytetar Nderi” i të cilës  është shpallur dhe ai. Pas deklaratave të Xhemalit trupi gjykues ka kaluar në administrimin e provave materiale ndërkohë që në orën 14.30 ka shpallur vendimin: Anulohet vendimi i këshillit bashkiak : “Një vendim të tillë nga gjykata e prisja, sepse një i burgosur ordiner të shpallet “qytetar nderi” më duket paradoksale. Kjo do të ishte një fyerje për të gjithë qytetarët e Tepelenës” – reagon pas gjyqit prefekti Gjyrezi. Ndërsa kryetari i këshillit bashkiak Xhevdet Xhemali tha për “KJ” se: “u vërtetua edhe një herë se gjykatat në Shqipëri nuk janë të pavarura. Megjithatë ne do të insistojmë duke e kaluar çështjen në të gjitha instancat e tjera gjyqësore”.

Swiss Digital Desktop Reklama

Ilir Babaramo

Swiss Digital Mobile Reklama

 

SHKARKO APP

KOHA JONË SONDAZH

Kush mendoni se duhet të jetë në emër të PD dhe opozitës kandidat për kryebashkiak në Tiranë?