Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj i ka kërkuar kreut të grupit parlamentar të PS, Taulant Ballës, ngritjen e një Komisioni Hetimor Parlamentar për të hetuar pretendimet e tij për kërcënime dhe presione nga kryeministri Edi Rama, nëpërmjet Ministrit të Drejtësisë, Toni Gogu.
Veliaj kërkon të hetohet nëse transferimi i tij nga Durrësi në Fier dhe kushtet e paraburgimit janë përdorur për ta detyruar të pranojë organizimin e protestave dhe të japë dorëheqjen. Ai shprehet i gatshëm të dëshmojë nën betim dhe të paraqesë prova përpara Kuvendit, duke kërkuar që pretendimet e tij të hetohen institucionalisht.
Kreu i grupit parlamentar i PS-së Taulant Balla sot tha se përballja me drejtësinë është një çështje personale dhe se Partia Socialiste nuk duhet të përfshihet në këtë proces. Balla u shpreh se Veliajn e konsideron mik, por shtoi se ai duhet ta përballojë vetë këtë proces, pa përfshirë simbolet apo strukturat e PS-së.
“PS nuk është mburojë e askujt në përballje me drejtësinë dhe, në këtë këndvështrim, Veliajn e kam mik, por në përballjen me drejtësinë duhet ta bëjë vetë, pa përfshirë grushtin dhe trëndafilin e PS-së”, u shpreh Balla.
DEKLARATË E KRYETARIT TË BASHKISË TIRANË, ERION VELIAJ
Sot i jam drejtuar zyrtarisht Kryetarit të Grupit Parlamentar Socialist, Taulant Balla, me kërkesën për inicimin e ngritjes së një komisioni hetimor parlamentar mbi ndërhyrjet dhe kërcënimet që kam deklaruar se janë ushtruar ndaj meje nga Kryeministri Edi Rama, nëpërmjet Ministrit të Drejtësisë.
Kam kërkuar të hetohet nëse transferimi im nga Durrësi në Fier dhe kushtet e paraburgimit janë përdorur si instrumente presioni për të më detyruar të pranoj organizimin e protestave në Tiranë dhe të jap dorëheqjen nga mandati që më kanë besuar qytetarët e kryeqytetit.
Jam i gatshëm të dëshmoj nën betim përpara Kuvendit, sipas ligjit, të ballafaqohem me Ministrin e Drejtësisë, Toni Gogu, dhe të paraqes çdo provë që disponoj. Kam kërkuar gjithashtu që Kryeministri Edi Rama t’i nënshtrohet të njëjtit standard llogaridhënieje.
Kërkesën ia kam drejtuar shumicës parlamentare të partisë sime, sepse kontrolli kushtetues mbi qeverinë nuk mund të kushtëzohet nga përkatësia politike e atyre që duhet të japin llogari. Kam vënë në dijeni edhe Kongresin e Autoriteteve Lokale dhe Rajonale të Këshillit të Evropës dhe trupin diplomatik të akredituar në Shqipëri, si dhe kam kërkuar ruajtjen e menjëhershme të provave dokumentare dhe audiovizive.
Nuk kërkoj që Kuvendi t’i marrë si të mirëqena deklarimet e mia. Kërkoj që t’i hetojë. Mandati i një kryetari bashkie buron nga vota e qytetarëve dhe vota e qytetarëve nuk mund të bëhet objekt shantazhi politik.
Erion Veliaj
Kryetar i Bashkisë Tiranë
11 nëntor 202
