Koço Danaj: Kush e rrezikon qeverinë Nano?
(Botuar me 1 Shkurt 1998 në KOHA JONE)
Nga Koço Danaj
Pluralizmi politik në Shqipëri, edhe shumë kohë do të vazhdojë të jetë i hallakatur dhe në gjendje kaosi. Zgjedhjet e 29 qershorit 1997 krijuan një lloj të ri aleancash dhe grupimesh politike, që do të kenë pasoja në jetën politike dhe për sociale të vendit.
Koalicioni qeveritar dhe Partia Socialiste
Tipar i rëndësishëm i këtij koalicioni është se pavarësisht nga përqindjet e fituara në zgjedhje, portofolet ministeriale janë ndarë duke favorizuar partitë e vogla, pjesëmarrëse në të. Tipar tjetër i tij është programi i hartuar nga qeveria e koalicionit. Megjithëse PS, ka shumicën dërrmuese nga zgjedhjet e fundit, programi i qeverisë më shumë ngjason me programin e një partie të djathtë se sa me programin e një partie majtiste. Spekulimet e shumta që janë bërë rreth kësaj çështje në shtyp, deklarata dhe intervista politikanësh, veçanërisht nga e majta, kanë marrë një shpjegim që më shumë është manipulativ se sa realitet. Me hartimin e këtij programi, Nanos dhe pasuesve të tij, me shumë se programi i Partisë Socialiste, u ka interesuar nxjerrja jashtë loje e PD dhe në fushën e përpunimit të alternativave ekonomike.
A do të ketë pasoja kjo manovër e drejtuesve kryesorë të PS brenda vetë partisë më të madhe dhe cilat do të jenë këto në të ardhmen e afërt.
Përbërja aktuale e Partisë Socialiste
Si rezultat i politikës shpesh herë të ekstremit të djathtë, që ndoqi qeveria e mëparshme, rreth PS, si anëtarë dhe simpatizantë të saj gjen socialistë, socialdemokratë, laburistë, anarkistë, komunistë të tipit bertinoti dhe komunistë të tipit të grupeve marksiste leniniste. Pyetja shtrohet: A do të pranojë të kalojë djathtas kjo masë e madhe prej qindra mijëra vetash?
Avantazhet e Nanos dhe pasuesve të tij
Avantazhi i parë. Në thelbin e saj, lufta që bëhet aktualisht brenda PS, nuk është luftë për shkeljen apo devijimin nga programi, por është luftë dhe pakënaqësi për ndarjen e posteve dhe karrigeve të ndryshme. Shumica dërrmuese e pakënaqësive ka të bëjë jo me devijime programi, por me mosdhënie postesh si “pse socialdemokratët morën kaq vende, pse aleanca mori aq, pse ne morëm më pak kur kemi luftuar më shumë, pse nuk bëhet spastrimi i plotë i administratës se kështu do të hapen më shumë vende punr etj”.
Avantazhi i dytë. Në Shqipëri këto gjashtë vjet ka patur më shumë pluralizëm karakteresh se sa pluralizëm politik. Këtë dukuri Nano dhe pasuesit e tij në Qeveri e njohin mirë dhe dinë ta shfrytëzojnë në favor të tyre.
Avantazhi i tretë. Pakënaqësitë ndaj Nanos brenda partisë së tij janë në formën e thashethemnajës dhe politikës së kafeneve, por akoma nuk janë shndërruar në rivalizm programi dhe alternative sociale dhe ekonomike. Si në të gjithë jetën politike shqiptare dhe brenda PS, ka rivalitete personash dhe grupacionesh, por jo rivalitete programesh dhe alternativash.
Disavantazhet e Nanos dhe pasuesve të tij
Disavantazhi parë. Nga masa qindra mijëshe e anëtarëve dhe simpatizantëve aktualë të PS do të shkëputen elementët me bindje komuniste dhe simpatizantët e tyre. Në mungesë të veprimtarisë së saj reale, të programit dhe drejtuesve të saj, mund të shtrohen dy hipoteza të mundshme.
E para. Krijimi i një Partie Komuniste, që nuk merr parasysh kushtet dhe realitetin real të Shqipërisë aktuale, për koalicionin e sotëm qeveritar do të ishte shumë e preferueshme, pasi do të tërhiqte një elektorat të kufizuar që do të shërbente vetëm si sfond i pluralizmit të plotë politik dhe asgjë tjetër.
E dyta. Krijimi i një Partie Komuniste moderne dhe bashkëkohore, që merr parasysh realitetin politik, social dhe ekonomik shqiptar, do të krijonte probleme të mëdha në jetën politike. Një parti e cila brenda vendit merr në mbrojtje shtresat e paprivilegjuara, të cilat i braktisi PS dhe që janë me qindra mijëra, ndërsa në marrëdhëniet me jashtë vendos lidhje me partitë komuniste që janë në qeveri si në Francë dhe në Itali dhe njeh realitetet e reja politike të krijuara. Pra një parti e tillë, nuk do të jetë garniturë e pluralizmit politik dhe as “gogol” i tij, por një forcë serioze politike.
Disavantazhi i tretë. Shtresa të caktuara në gjirin e PS, nuk janë dakord me atë që Nano e quan filozofia e përfshirjes. Më të dukshme janë këto shtresa në jug të Shqipërisë. Kërkesa e tyre është për një qëndrim më të ashpër ndaj shkaktarëve të vrasjeve dhe masakrave të muajit mars 1997.
Disavantazhi i katërt. Me gjithë përpjekjet e bëra dhe propagandën e zhvilluar, ekipi i ri qeveritar akoma nuk ka arritur të krijojë një administratë e cila t’u përgjigjet problemeve aktuale që ka vendi. Në mjaft raste kjo administratë është e paaftë të kryejë detyrën që ka.
Prapa termit “meritokraci”, shumë herë fshihen njerëz që të vetmen aftësi të tyre kanë përshtatjen, servilizmin, komoditetin dhe prirjen për ta përdorur administratën shtetërore për interesat e tyre personale. A do të dijë ekipi qeveritar socialist të thellojë avantazhet që ka dhe të zbusë disavantazhet, këtë do ta tregojë më mirë e ardhmja e afërt.
Partia Demokratike dhe aleatët e saj
Pas humbjes që pësoi, si pasojë e politikës së saj, PD duket se akoma nuk e ka marrë veten dhe vazhdon të bëjë një luftë politike, që në gjuhën figurative quhet “lojë pa top”. Para saj qëndrojnë disa pengesa.
E para. Ajo tashmë nuk ka program të qartë ekonomik dhe social, pasi programin e saj është duke e zbatuar PS dhe aleatët e saj. Mosthellimi në këtë pengesë të madhe, rrezikon që kjo parti të mbajë qëndrim majtist në fushën ekonomike siç ndodhi me qëndrimin që mbajti në parlament kur doli kundër aprovimit të rritjes së taksave dhe qëndrim të egër djathtist në fushën politike.
Pengesa e dytë. Në krye të PD janë disa nga ata që konsiderohen si shkaktarët e katastrofës që ndodhi në Shqipëri gjatë vitit 1997. Vazhdimi i qëndrimit të tyre në krye të kësaj partie, aq sa është një ndihmë e madhe për koalicionin aktual qeveritar, aq do të vazhdojë ta rrudhë elektoratin e PD dhe do të shkaktojë pasoja në luftën politike në Shqipëri.
Pengesa e tretë. Përpjekjet për përsëritjen e historisë. Ka një tendencë në veprimtarinë, synimet dhe planet e drejtuesve kryesorë të PD, tendenca për përsëritjen e historisë dhe ngjarjeve historike në favorin e tyre. Është një gabim fatal që vazhdon të shoqërojë veprimtarinë e disa drejtuesve të kësaj partie, të cilët deklarojnë se “pushtetin na e morën me armë” duke lënë të nënkuptohet se një gjë e tillë mund të ndodhë përsëri në favor të tyre. Por çdo ngjarje historike e përsëritur sipas dëshirave të politikanit, nuk ka qenë gjë tjetër veçse karikaturë e vetë ngjarjes reale historike. Ngjarjet e fundit në Shkodër ishin prova më e saktë për këtë.
E djathta e bashkuar
Është një formacion i ri politik, që në gjirin e tij grumbullon një sërë partish dhe shoqatash, të cilat përbëjnë atë që quhet e djathta tradicionale. Realisht e Djathta e Bashkuar përbën të djathtën reale në Shqipëri, si në aspektin ekonomik po ashtu dhe në aspektin politik. Me gjithë këtë, e Djathta e Bashkuar gjatë periudhës 1992-1996 fitoi shumë pak. Në mungesë të një udhëheqësi apo të një grupi udhëheqësish, gjatë pesëvjetëshit të kaluar, ky formacion politik shërbeu vetëm si një dekor i pushtetit të atëhershëm.
Tabloja e ardhshme e jetës politike shqiptare
Zhvillimet e ardhshme politike, ekonomike dhe sociale në Shqipëri, do të krijojnë dhe një tablo tjetër të grupimeve politike dhe aleancave midis tyre.
Koalicioni aktual plus PD?!!
Përbën një ndër alternativat më të mundshme të jetës së ardhshme politike, sociale dhe ekonomike të vendit.
E para. Interesat ekonomike. Një vëzhgim i thelluar i realitetit ekonomik shqiptar të çon në konkluzionin se aktualisht në Shqipëri, tonin jetës politike dhe sociale ia jep grupimi ekonomik i krijuar gjatë periudhës 1991-1997. Origjina e këtij grupimi ekonomik është realiteti social dhe politik shqiptar i periudhës komuniste. Pavarësisht se i ndarë në parti të ndryshme politike, si PD, PSD, PAD, ky grupim ekonomik i ka ruajtur marrëdhëniet mes vetes.
E dyta. Origjina e njëjtë. Me përjashtime të vogla, PD dhe partitë e koalicionit qeveritar, kanë origjinë të njëjtë. Ato rrjedhin nga partia e punës. Një vëzhgim i thelluar i përbërjes së këtyre partive nuk mund të mos të çojë në konkluzionin se në shumicën e tyre, drejtuesit e këtyre partive kanë qenë pjesëtarë të shtresës midis bllokut dhe popullit, të cilët e kanë shumë të zhvilluar psikologjinë e kameleonizmit politik.
E treta. Megjithë dallimet midis shtresave dhe grupimeve të ndryshme që ekzistojnë në këto parti, filozofia dhe ideologjia e këtyre dy partive është e njëjtë dhe ka një emër, kozmopolitizëm. Tek Berisha, kjo filozofi u përpoq të vishej me një cipë të hollë nacionalizmi. Ndërsa tek Nano, tenton të vishet dhe të fshihet pas termit “filozofia e re”.
E katërta. Frika nga kundërshtarët e njëjtë. Në thelb, si PD ashtu dhe PS kanë kundërshtarë të njëjtë. Këta kundërshtarë janë: e Djathta e Bashkuar sot, plus dhe Partia Komuniste nesër. Pikërisht për të përballuar këtë rrezik në rritje, kontradiktat e sotme midis koalicionit qeveritar dhe PD do të vijnë duke u zbehur, duke ia lënë vendin marrëveshjes midis tyre. Në ndihmë të tyre do të jenë dhe mjaft nga faktorët e sotëm ndërkombëtarë. Natyrisht që për ta gëlltitur më mirë opinioni publik do të gjenden dhe termat e përshtatshëm për manipulimin e tij si për shembull, frika nga rreziku komunist apo frika nga rikthimi i pronarëve të mëdhenj të tokave.
Opozita reale: E Djathta e Bashkuar plus PK
Evolucioni i jetës politike shqiptare në të ardhmen e afërt, do të ravijëzojë dhe do të nxjerrë më në pah opozitën reale në Shqipëri. Përbërësit kryesorë të kësaj opozite do të jenë dy formacione politike, që aktualisht janë pa ndonjë ndikim të madh në jetën politike shqiptare. Këto formacione janë dy: E Djathta e Bashkuar dhe Partia Komuniste. Pohimi i mësipërm është rrjedhim logjik i analizës së ftohtë politike të jetës së vendit.
E para. Të dy këto formacione, janë grupimet dhe shtresat më të humbura deri tani në krahasim me të gjitha shtresat e tjera të realitetit shqiptar. E Djathta e Bashkuar në fillimet e pluralizmit u mbështet tek PD për të realizuar interesat e saj. Kjo shtresë dha ndihmesën kryesore për krijimin e reputacionit antikomunist të drejtuesve komunistë të PD. Duke shfrytëzuar etjen e një pjese të kësaj shtrese për rehabilitim politik dhe nxjerrje dufi, pushteti i PD u la atyre fushë të lirë veprimi për të zhvarrosur dhe varrosur cilin të donin, u shpërndau pa kursim dekorata me emra të bujshëm si Martir dhe pishtar i demokracisë. Ndërsa kur kjo shtresë filloi të kërkojë realizimin e interesave të saj ekonomike, atëherë muaji i mjaltit mbaroi dhe ata panë forcën e “pushtetit demokratik”. Mjafton të kujtojmë reagimin e egër të pushtetit ndaj grevës së urisë së ish të përndjekurve politikë dhe ish të shpronësuarve, për të konkretizuar qëndrimin real të PD ndaj tyre.
Në të njëjtat pozita është dhe Partia Komuniste, e cila u nxor jashtë ligjit nga parlamenti shqiptar në korrik 1992. Pjesëmarrësit e kësaj shtrese, në mungesë të partisë së tyre, shtuan radhët e PS, udhëheqjes së të cilës i interesoi për qëllime pushtetore kjo shtresë. Dhe duhet thënë se në luftën politike të zhvilluar në periudhën 1992-1997, pjesëmarrësit e kësaj shtrese mbajtën peshë shumë të rëndësishme në ndihmë të fitores se PS. Megjithatë dhe kjo shtresë nuk fitoi gjë. Luftën dhe kontributin e tyre, udhëheqja e PS e pranoi deri sa erdhi në pushtet, ndërsa tani përpiqet ta mbajë atë sa më larg. Përsëritjet e shpeshta të udhëheqjes socialiste për të mos afruar “militantët” në administratën shtetërore, kanë vetëm një synim: “Të mos afrohet asnjë komunist”.
E vetmja “fitore” e këtyre dy grupimeve, gjatë periudhës 1992-1998, ka qenë ngushëllimi shpirtëror. Mjafton vetëm një shembull i thjeshtë: Berisha menjëherë sa erdhi në pushtet, për të kënaqur pjesëtarët që sot përbëjnë të djathtën e bashkuar anuloi ditën e çlirimit nga 29 nëntor në 28 nëntor. Ndërsa sa erdhi Nano në pushtet, ai për të kënaqur shtresën komuniste brenda partisë së tij, bëri veprimin e kundërt, riktheu përsëri 29 nëntorin si ditë e çlirimit. Ky veprim i PD dhe PS ka këtë domethënie: “Ne po ju lëmë historinë dhe të drejtën historike, ndërsa ju do të na lini pasurinë dhe të drejtën e pronësisë mbi të”. Deri tani, të dy partitë e mëdha e kanë realizuar më së miri një gjë të tillë.