Mikel Nakuçi: Interneti dhe Mjekësia

(Botuar me 18 Janar 1998 në KOHA JONE)

Nga Mikel Nakuçi-

  1. Çfarë është interneti

Sot dihet se një nga shërbimet më të rëndësishme të teknologjisë bashkëkohore janë kompjuterët. Mundësitë dhe përdorimet e tyre janë kaq të shumta sa është vështirë t’i numërojmë, por e sigurt është se ata lehtësojnë dhe shumëfishojnë në mënyrë të paimagjinueshme punën në shumë drejtime të veprimtarisë njerëzore. Qëllimi i përdorimit të kompjuterit në praktikën e përditshme mjekësore është:

  1. Aktiviteti i të sëmurëve. Zëvendësimi i kartelave të të sëmurëve të shkruara me dorë me arkivin elektronik që është më i shpejtë në punën e përditshme.
  2. Modularët dhe raportet. Modularët raportet e ndryshme, letrat të cilat duhet të përsëriten shumë herë përbëjnë një përsëritje të të njëjtës gjë. Pikërisht në këto raste kompjuteri shkurton shumë kohë.
  3. Administrimi dhe praktika e ambulancës financiare, e ambulancës private ose shtetërore, si dhe të organizmave më të mëdha të shëndetësisë.
  4. Përpunimet statistikore dhe kërkimore-shkencore gjejnë te kompjuteri një mjet ndihmës me mundësi të mëdha.
  5. Edukimi. Është një ndihmës i madh për proceset e ndryshme edukimore dhe për informimet me karakter shëndetësor.
  6. Hyrja në burimet e bibliografisë.
  7. Komunikimi.

Gama kaq e gjerë e përdorimit të tyre arrihet nga fakti se kompjuterët mund të bashkohen ndërmjet tyre në mënyrë të tillë që të komunikojnë dhe të shkëmbejnë të dhënat. Një lidhje e tillë e kompjuterëve quhet rrjet i kompjuterëve. Të tillë rrjete janë të shumtë. Interneti është një ndër rrjetet që bashkon rrjete të tjera më të vogla dhe lokale. Gjithashtu Interneti nuk është një gjë konkrete në kuptimin trandicional të fjalës, por është thjeshtë ajo që krijohet nga bashkimi i rrjeteve lokale më të mëdha ose më të vogla në gjithë botën.

Pra Interneti është një bashkim i madh i më shumë se rreth 50 mijë rrjeteve. Deri para pak kohe në Internet ishin të lidhur rreth mbi 5.000.00 kompjuterë të shpërndarë në mbi 160 vende të ndryshme. Përdoruesit e këtyre llogariten mbi 30.000.000. Këta numra janë gjithmonë në rritje.

Në vitin 1996 në disa vende perëndimore 50 për qind e përdoruesve të Internetit ishin të moshës 18-29 vjeç. Në studimin e fundit përqindja e kësaj i moshe ka rënë dhe ka një rritje të përdoruesve të moshës mbi 40 vjeç. Pra kemi një rritje të moshës mesatare të përdoruesve të Internetit në Evropën Perëndimore. Duke parë këtë fakt duhet theksuar se nuk duhet të trembet asnjë moshë të mendojë të përdorë në një të afërme jo të largët Internetin edhe në Shqipëri. Kryesisht përdoruesit janë burra në një shkallë rreth 90 për qind. Përjashtim bëjnë Norvegjia, 16.9 për qind gra përdoruese, Italia dhe Franca me 14.9 për qind dhe 13.8 për qind ndërsa në SHBA gratë zënë një përqindje më të madhe 21 për qind.

Ka një ndryshim të madh midis nivelit arsimor dhe përdoruesve të Internetit në SHBA dhe në Evropë. Diplomë të shkollës së lartë kanë 67 për qind e francezëve përdorues, 51.5 për qind e britanikëve, 48.6 e grekëve kurse e kundërta ndodh në SHBA ku vetëm 24.5 për qind e amerikanëve përdorues kishin diplomë të shkollës së lartë. Shumica e përdoruesve të rrjetit i përkasin njerëzve që kanë lidhje me teknologjinë dhe shkencën, pastaj nga degët e biznesit dhe profesioneve të lira. Mjekët në Greqi. p. sh, zënë një sasi 4.8 për qind të përdoruesve, ndërsa vendin e parë e zënë njerëzit e teknologjisë dhe shkencës 29.9 për qind dhe në vend të dytë janë studentët me 18.2 për qind e më tej grupet e tjerë. Interneti nuk i përket askujt. Çdo kompjuter që bashkohet me të është përgjegjës për strukturimin dhe për përdoruesit e tij. Nga “origjina”, natyra e tij dhe mënyra e materializmit Interneti ka një formë jo të përqendruar “anarkike”. Kjo karakteristikë përcakton edhe faktin që nuk i përket askujt dhe nuk drejtohet nga askush, megjithatë nuk pushon së qeni një i tërë. Interneti nuk ka as këshill drejtues, as drejtor të përgjithshëm por vetëm disa “trupa” që luajnë një rol këshillues dhe (jo fitimprurës) kryesisht në temat teknike. Përgjegjësinë kryesore për zhvillimin teknik dhe drejtimin e rrjetit e ka sot Shoqëria e Internetit (ISOC), që është një organizatë vullnetare në të cilën mund të marrin pjesë ligjërisht dhe fizikisht persona që kanë çfarëdolloj lidhje me Internetin. Për t’u lidhur me Internetin nevojitet një kompjuter dhe një modem për lidhjen e kompjuterit me linjën telefonike. Për sa i përket modemit, ai është vetëm një aparat që bën të mundur transformimin e sinjalit të thjeshtë telefonik në një sinjal të kuptueshëm nga kompjuteri. Një karakteristikë e modemit është edhe shpejtësia me të cilën jep një sasi informacioni. Kjo shpejtësi matet me bps (bits për sec.) dhe shumëfishat e tij. Modemet e sotëm shkojnë nga 14.00 deri në 56.000 bps.

Në këtë pikë duhet të themi se çdo kompjuter që është i lidhur në Internet ka adresën e tij që mund të përdoret nga ata që duan të lidhen me të. Pa pronar, pa grup drejtues ose organ të policisë, kur flasim se çfarë lejohet ose çfarë nuk lejohet në Internet është një temë e ngatërruar. Megjithatë ka disa ligje jozyrtare që ruhen prej vetë përdoruesve të rrjetit të cilët në raste të veçanta bëjnë të mundur bllokimin e asaj që quhet e ndaluar. Ato rregulla jo zyrtare mbështeten në disa parime të përgjithshme siç janë: – Pavarësia e çdo përdoruesi duhet të respektohet nga të gjithë. – Interneti është “i mirë” dhe duhet të mbrohet nga të gjithë. – Hyrja në informacion duhet të jetë e lirë, e pakufizuar dhe pa pagesë. – Shtrirja e mëtejshme duhet të vazhdohet.

  1. Interneti dhe Mjekësia

Meqenëse Interneti, kjo teknologji e re e kohës është një ndihmës i paçmuar edhe për shkencën mjekësore, sot mjekët dhe personeli i shëndetësisë duhet të kenë për qëllim:

  1. Njohjen dhe familjarizimin me praktikat e sistemit të Internetit.
  2. Inkurajimi për përdorimin e menjëhershëm dhe rezultativ në shkencën mjekësore dhe në fushën e shëndetit. Një nga ndihmat më të mëdha të Internetit në mjekësi është telemjekësia. Ajo lindi në SHBA si formë e re e ushtrimit të shkencës mjekësore në distancë. Qeveria e SHBA, duke vlerësuar telekomunikimin, kishte qëllim që të fuste në zonat e largëta dhe të izoluara, programet e edukimit, shëndetit dhe tregtisë. Në mjekësi u investua në krijimin e telemjekësisë. Telemjekësia, së bashku me kompjuterët, lidhjet me satelit dhe grupet mjekësore lëvizëse (me pajisje të veçanta) është tani një realitet. Këto grupe janë kamionë të mëdhenj ose autobusë ose edhe helikopterë me pajisje speciale të diagnozës dhe teknologjinë e fundit të komunikimit me kompjuter, e cila mund të lëvizë dhe të jetë rezultative. Ka shumë shembuj të aplikimit të telemjekësisë:
  3. Këshillime të menjëhershme me mjekë të të gjitha specialiteteve (kur ata mungojnë ose ka vështirësi) nëpërmjet sistemit deri sa të vijë grupi më i afërt lëvizës.
  4. Mjekimi dhe ndjekja e rasteve më të rënda në grupet lëvizëse nga mjekë që fizikisht janë shumë larg nga i sëmuri, por që në të njëjtën kohë nëpërmjet këtij komunikimi në distancë, janë pranë tij.
  5. Dhënia nëpërmjet sistemit të të dhënave të ekzaminimeve, si EKG, radiografi etj. në mjekë specialistë për të bërë një telediagnozë.
  6. Njoftimi i masës së gjerë të njerëzve që rrinë në zonat e largëta për probleme që kanë të bëjnë me shëndetin dhe për ndihmën e parë etj. Një qendër e tillë këshillimi mjekësor dhe konsultimi ndodhet edhe në Athinë e cila është një nga qendrat më të afërta me ne. Koncepti i parë i rëndësishëm është se telemjekësia ka 5 përbërës bazë: distanca, të dhënat, telekomunikimi, një ekspert që të interpretojë të dhënat dhe një mundësi për të kryer kujdesin mjekësor si rezultat i interpretimit të të dhënave. Aktiviteti telemjekësor ka rreth 20 vjet që ka filluar por ai mori një zhvillim të madh në SHBA dhe në shtetet e tjera evropiane mbas vitit 1990.

Nga degët e mjekësisë në vendin e parë sot është radiologjia dhe konsultimet teleradiologjike që në SHBA sot janë me mijëra. Po ashtu telemjekësia është zhvilluar edhe në specialitete të tjera si teledermatologjia për shembull. Kështu nga studimi i 171 rasteve të para të telekonsultimeve ushtarake të bëra nga Qendra Mjekësore Ushtarake Valter Reed, Uashington DC, ndërmjet shkurtit të 1993 dhe marsit 1995 del se konsultimet teledermatologjike zinin 39 për qind të rasteve. Po ashtu nga studimet e tjera është provuar se 83 për qind e figurave dermatologjike të dërguara për konsultim teledermatologjik ishin rezultative dhe vetëm 17 për qind do të duhej të bënin kontaktin direkt me dermatologun.

Kuptohet se Interneti ngriti në këtë mënyrë në një shkallë më të lartë dhe e perfeksionoi atë fakt që janë munduar të bënin njerëzit nëpërmjet radios.

Por përveç këtij përdorimi special të Internetit në mjekësi kemi edhe shërbimet e zakonshme të tij të cilat japin një ndihmë të madhe për shërbimin mjekësor, çdo mjek në veçanti por edhe për çdo njeri të thjeshtë që ka probleme mjekësore.

  1. Kërkimi i Informacionit Mjekësor

Volumi i stërmadh i informacionit që ndodhet në rrjet ndodhet në një formë të paorganizuar. Për të kërkuar kështu informacion për një temë të caktuar përcaktimi i burimeve të informacioneve bëhet nëpërmjet “organeve të kërkimit”. Në thelb ato janë banka të mëdha të informacionit (Databases) të cilat kanë vetëm emrat e arkivave dhe vendin e tyre në rrjet. Me ndihmën e tyre mund të bëjmë kërkime të gjera për çfarëdolloj teme. WHO (Organizata Botërore e Shëndetësisë) është me adresën në Internet (http://www.who.org). OBSH-ja paraqet në rrjet tema të rëndësishme dhe të dhëna për epidemiologjinë dhe statistikën e shëndetit në botë. Vendime dhe botime të OBSH dhe shërbime të bibliotekës së OBSH-së, janë të mundshme të merren nëpërmjet rrjetit. Ka këshilla dhe informime për kushtet shëndetësore në të gjithë botën dhe propozime për vaksinimin për udhëtime në vende të ndryshme të botës etj. US National Library of Medicine (http://www.nlm.nih.gov). Është biblioteka mjekësore më e plotë në rrjet. Ajo që njihet si Medline përbën një ofertë të rëndësishme të kësaj biblioteke në botën e mjekësisë. Këtu mund të gjejmë edhe modelet 3 dimensionale të trupit të njeriut (visible human) me adresë p. sh. (http:// www. nlm. nih. gov/research/ visible/visible-human html) Për të kërkuar bibliografi mjekësore një nga rrugët e mundshme mund të jetë: Në qoftë se nuk dimë adresë për një problem të caktuar atëherë fillojmë me organet e kërkimit p. sh. http://www. yahoo.com. Pastaj në ekran shfaqet një faqe që të pyet se çfarë kërkon. Në vendin e caktuar do të shkruhet medline (që ka informacion të pafundmë mbi mjekësinë). Në ekran del një katalog të dhënash mbi mjekësinë. Bëhet klik në “bibliography” dhe pastaj kërkohet bibliografia nëpërmjet emrit të autorit, titullit të revistës, temës së kërkuar (keywords) etj. Pas saj në ekran shfaqen të dhënat dhe bibliografia e caktuar. Pasuria e informacionit, shërbimeve dhe perspektivës që ka Interneti është pa dyshim i mrekullueshëm, fakt që bëri dhe përhapjen e tij kaq të madhe. Ai gjithmonë përmirësohet dhe ka arritur në ditët tona të përfaqësojë një mrekulli teknologjike dhe shoqërore që përbën përpjekjen më të madhe për bashkimin dhe komunikimin e njerëzve në planetin tonë, me një mënyrë të menjëhershme dhe masive që nuk mundi ta arrinte as televizori ose telefoni.

MIKEL NAKUÇI

 

SHKARKO APP