Mirlinda Prendi: Rrëfimi i Mëkateve!
(Botuar me 24 Prill 1998 në KOHA JONE)
Nga MIRLINDA PRENDI-
Me qindra në Shqipëri zbuluan së fundi se janë besimtarë. Por pa u kujtuar se në këtë botë kanë po aq mëkate, sa të tjerët, duke përtuar dhe t’i pranojnë ato. Ç’thonë njerëzit e Kishës?
TIRANË – Në morinë e krimeve që kanë përfshirë Shqipërinë vitet e fundit duket se të gjithë e ndiejnë veten në rregull me ligjin. Vepra si vrasjet, përdhunimet, grabitjet apo mashtrimi mbeten gjithnjë e më të pandëshkuara në vendin tonë. Për ligjin e njerëzve këto quhen krime, kurse për NJERËZIT E FESË janë mëkate të rënda.
Drejtësia e njerëzve që i ka shpesh sytë e mbyllura dhe i le kriminelët të bredhin të lirë në mes të ditës ka sjellë të humbasë disi edhe frika ndaj ndëshkimit hyjnor. Ndonëse çdo të kremte kishat mbushen me besimtarë të cilët shkojnë aty për të gjetur prehje e harmoni shpirtërore me perëndinë dhe me veten. Shumica ndezin qirinj, marrin pjesë në meshë e luten në kolektiv për të arritur faljen e mëkateve, për të arritur faljen e mëkateve, por shumë pak pohojnë se kanë të tilla dhe t’ia denoncojnë ato një ATI SHPIRTËROR.
Ndërsa besimtarët myslimanë kanë një rrugë tjetër të faljes së gjynaheve në rast se ndërgjegja e tyre brehet nga pendimi: ata pastrohen nga mëkatet gjatë muajit të ramazanit, duke u lutur dhe falur disa herë në ditë si dhe duke ndihmuar të vobektit. “Kisha është e hapur për të gjithë dhe ne s’mund të paragjykojmë asnjë edhe nëse nuk rrëfehet dhe mban mëkate mbi vete. Por për një të krishterë misteri i rrëfimit është po aq i rëndësishëm sa dhe ai i pagëzimit apo i kungimit, pse para zotit jemi të gjithë mëkatarë. Dhe pesha e mëkatit na ndjek pas gjithnjë sikurse Kaini do të dëgjonte gjithnjë zërin e të vëllait të vrarë”, shprehet At Sotiri, prift ortodoks i Kishës së Ungjillëzimit në Tiranë.
Për besimtarët e ritit, ortodoksët, është e detyrueshme të rrëfejnë mëkatet të paktën dy herë në vit, para Krishtlindjeve dhe Pashkëve, që të meritojnë më pas dhe kungimin me trupin e gjakun e Krishtit. Por vetëm një pakicë e tyre pranojnë të kalojnë pragun e kthinës të caktuar për të pranuar shkeljen me veprime, fjalë apo mendime të mësimeve të Biblës. “Për vite me radhë ka ekzistuar një boshllëk fetar si dhe prania e klerit përkatës. Megjithatë tashmë ka filluar të praktikohet edhe rrëfimi sidomos nga më të rinjtë”, thotë atë Sotiri.
Për rrëfimin duhet një përgatitje e posaçme si nga ana e besimtarit edhe nga ana e klerikut, të cilit i besohet kjo gjë. Për këtë arsye jo çdo prift mund të jetë një At shpirtëror ku të krishterët mund të rrëfehen. Në Mitropolinë e Tiranës numërohen 4-5 etër shpirtërorë dhe besimtarët mund të zgjedhin njërin prej tyre. “Vij çdo të diel në kishë, sidomos që kur më ka vdekur burri. Por nuk jam rrëfyer ndonjëherë e madje nuk e dija se dhe ortodoksët rrëfehen. Nuk besoj se do të filloj të rrëfehem në këtë moshë, ndonëse e pranoj se kam bërë dhe ndonjë mëkat”, thotë Aretia, një grua 65 vjeçe.
Deri kohët e fundit ndër vetë besimtarët ortodoksë ka mbizotëruar mendimi se rrëfimi nuk ishte i detyrueshëm si tek katolikët, dhe mungon një traditë e praktikimit të tij. Por sipas teologëve bëhet fjalë për njerëz që nuk e njohin mirë kishën dhe ndonëse vijnë çdo të diel aty, nuk përbëjnë më të devotshmit. “Në Shqipëri njerëzit kanë ruajtur besimin e tyre me anë të lutjeve dhe kremtimit të festave fetare. Por ka munguar ana doktrinale që njerëzit të kishin më të qarta konceptet dhe parimet e kishës dhe ka qenë e paplotë dhe përgatitja për domethënien dhe rëndësinë që ka ky veprim”, thekson At Hektori, që ushtron misionin e tij prej 5 vjetësh në Tiranë dhe në bashkësinë katolike të Luzit, pranë Fushë-Krujës, ku besimtarët kanë rinisur përsëri traditën e pranimit të mëkateve. Ai thekson se një klerik, përveç ruajtjes së rreptë të sekretit të rrëfimit, duhet të orientojë besimtarin e ta këshillojë pendestarin drejt ngritjes shpirtërore të tij.
MIRLINDA PRENDI