Moikom Zeqo: Të vërteta të panjohura e të pathëna për Himarën
(Botuar me 4 maj 2003)
Nga Dr. Moikom Zeqo
Para disa ditësh bëra një udhëtim në Himarë dhe në trevën e Bregut të Detit. Gjatë viteve kam kaluar shpesh nëpërmjet Himarës për më në Jug. Gjatë udhëtimit të fundit qeshë më i përqendruar dhe m’u duk se optika e shikimit më solli detaje dhe motive, që kurrë nuk i kisha parë më parë. Dukshmëria e peizazhit, njerëzit, monumentet, në kohëra të ndryshme mund të lexohen dhe të kuptohen ndryshe nga i njëjti person. Kjo varet nga fugia hulumtuese, pasurimi diturak i njohjes dhe koncepteve. Treva e Himarës është e pashembult dhe e jashtëzakonshme në pikëpamje gjeografike, ekologjike dhe të trashëgimisë historike dhe kulturore. Himarën unë mund ta krahasoj me një Princeshë të Magjepsur në Gjumë. Kjo princeshë e gjenezave të mugëta duket se ka lindur nga një epos i tejjetshëm, befas është ngurrosur e shtrirë buzë detit dhe pret të zgjohet dhe ende nuk është zgjuar. Kjo metaforë buron nga përrallat dhe ju lutem shumë mos e keqkuptoni dhe as mos e shpërdoroni, por unë kam dëshirë të besoj në një zgjim të ri të kësaj Princeshe!
Emri, projekt mitologjik i vjetër
Emri i Himarës si toponim përmendet te Homeri të paktën që nga shek. XIII para Krishtit. Asnjë emërvend i Shqipërisë nuk është kaq i lashtë dhe kaq i vjetër sa ai i Himarës. Marin Barleti e citon Homerin, ai shkruan se kjo është Himara e Odiseut “vend malor kundrejt Korkyrës me popull të pamposhtur, luftarak.”. Nga fjala Himarë ka rrjedhur dhe emri Kimera, një lloj kafshe hibride, qenie mitologjike me trup dhie dhe kokë luani, me bisht gjarpri. Njihet një skulpturë në historinë e artit e quajtur si Kimera etruske, e derdhur në bronz. Mitologët dhe historianët e artit nuk kanë dhënë ende një shpjegim të kënaqshëm përse është krijuar në përfytyrim një qenie e tillë hibride, siç janë fjala vjen sfinksat, sirenat, centaurët, grifonët etj. Qeniet hibride janë si një kozmogoni e vogël në miniaturë të Akrokeraunëve, ku pjesë të veçanta formojnë një të tërë. Kështu mund të bashkohet trupi i një dhie me kokën e një luani, apo dhe me një gjarpër mitologjik si për të metaforizuar një bashkëjetesë të totemit të malit, të dhisë, të totemit të luanit, si një fuqi sipërore dhe të totemit ilir të gjarprit si një fuqi ktonike e thellësive të tokës. Pra në vetë emrin e Himarës ka një fantazi të brendshme dhe potenciale, një projekt mitologjik shumë të vjetër. Himara është një nga perlat e Kaonisë ilire në shekuj, banorët e brigjeve të saj janë quajtur fisi i Keraunëve (nga emri i vargmalit).
Zeusi i keraunë ve më i vjetër se ai i mitologjisë greke
Vetë kreshtat malore të Akrokeraunëve, ose Maleve të Vetëtimave kanë qenë sipas profesorit të Kembrixhit, Hamond, që unë kam patur rastin ta takoj në Tiranë para shumë viteve, djepi i lindjes së kultit të Zeusit, që ka si atribut rrufenë. Ky prototip i Zeusit u zhvendos më vonë në Olimp të Greqisë. Zeusi i keraunëve përfaqëson kështu një mitologji paragreke, që duhet marrë në konsideratë nga studiuesit. Emri i malit të Çikës shpreh pikërisht një emër binjak të Maleve të Vetëtimave. Gjithnjë i kam menduar këto ide, sidomos kur bëja zhytje nënujore në Palasë, Dhërmi, Porto Palermo dhe sidomos në Gjirin e Gramatës në Karaburun.
Para shumë kohësh, konsulli francez Pukëvil, që ka jetuar në oborrin e Ali Pashë Tepelenës ka shkruar i entuziazmuar për brigjet e Himarës, duke qenë akoma më i skajshëm në idetë e tij. Ai ka shkruar “nëse Homeri do të kishte zgjedhur malet e Himarës për skenën e “Iliadës”, gjërat do të kishin marrë rrjedhë tjetër. Kaonia (Himara) është vendi ku magjistarja Çirçea e porositi Odiseun të ruhej nga sirenat, përroi i Himarës, që zbret nga Çika ka patur emrin “Feniks”, që të kujton jo aq shpendin magjik, që ringjallej nga hiri i tij, sipas konceptit të egjiptianëve të vjetër, por ndoshta shtegtimet e popullit të çuditshëm të fenikasve”.
Pukëvili mendon se në Himarë ndodhet Burimi i Argjendtë që e përmend Plini. Në dokumentet mesjetare përmendet Burimi Mbretëror ku vinin dhe perandorët e Bizantit. Për Himarën dhe Kaoninë kanë folur Herodoti, Tukiditi, Skymni, Livi, Virgjili etj. Në këtë zonë ka gojëdhëna lokale për shpellën e Polifemit, ku pati aventurën e tij të pabesueshme dhe të paharruar Odiseu. Duket sikur parahistoria zanafillore e Himarës është spërkatur me yllësi perëndish dhe qeniesh të shpirtëzuara. Kaq shumë autorë legjendarë të antikitetit kanë folur për të mos harruar më vonë, gjeniun e romantizmit, poetin Bajron, i cili ka shkruar vargje të shkëlqyera për himariotët luftëtarë.
Francezi Leon Rei: “Shqipëria mund të mburret me historinë e Himarës”
Arkeologu francez Leon Rei ka skalitur këto fjalë: “Nëse Shqipëria ka me se të mburret, ajo, në radhë të parë duhet të mburret me historinë e Himarës”. Dhe ja në Palasë, para shumë vitesh është gjetur një përkrenare bronzi tipike ilire e shek. V para Krishtit. Për fat të keq, kjo përkrenare sot është zhdukur. Është e pafalshme që nga shteti shqiptar nuk janë organizuar ekspedita arkeologjike në Himarë. Themelet e mureve të kalasë së Himarës kanë gurë të mëdhenj qiklopikë, të tipizuara si mure pellazgjike, që të paktën janë të lashtë nga shek. V para Krishtit. Padyshim në këto mure jeta ka qenë akoma më e vjetër.
Fshatrat e Himarës, qytete të vogla të lashta
Një forcë e çuditshme, një lloj elani jetësor, siç do të thoshte filozofi Bergson, e ka ngritur jetën e njerëzve në shpatet e Bregut të Detit, duke i emërtuar përfundimisht ata si bregdetas. Fshatrat e Himarës mund të quhen si qytete të vogla, tepër të lashta, që përbëjnë një bizhuteri përrallore. Shtatë fshatrat e Himarës si në një numër padidik: Palasa, Dhërmiu, Vunoi, Himara, Piluri, Kudhësi, Qeparoi. Por në dokumente flitet edhe për një koncept më të gjerë të Himarës, ku përfshihet dhe Nivica, Piqerasi, Lukova, Dukati, Radhima, Tragjasi, Gumenica, Tërbaçi, Lopësi, Mavlova, Vranishti, Smokthina, Kallarati, Lepenica, Progonati, Tepelena etj.
Por unë dua të përqendrohem tek vendbanimet e bregdetit dhe jo tek shtrirja e ndikimit administrativ në periudhë mesjetare. Himara është e vetëmjaftueshme në krejt dëshmitë e saj që janë dëshmi të klasit të parë, por fatkeqësisht shumë pak të studiuara. Kryemonumeti është deti përrallor Jon, që lidhet me legjendën shumë të hershme të Jonit si bir i Dyrrahut, të cilin e vrau gabimisht Herakliu dhe e hodhi trupin e tij në det, duke marrë deti përfundimisht emrin Jon, të një nipi të dinastisë së mbretërve ilirë të Durrësit. Në librin tim “Panteoni ilir” kam shkruar gjerësisht për legjendat jogreke të qerthullit të Durrësit, që janë pak më të lashta se shek. VII para Krishtit. Kjo është arsyeja, që piktori shtegtar anglez Eduard Lir pikturoi në brigjet e Himarës disa mrekulli, që nuk ka askush fuqi t’i harrojë. Eduard Lir siç dëshmon në ditarët e tij e shkroi emrin me skalitje në një nga shkëmbinjtë e Himarës, por ky mbishkrim, që është një lloj gjerdani perlash për ne shqiptarët ka humbur si shumë dëshmi të tjera nga pangopësia e harresës.
Damiani, personazhi arbëror i Himarës
Pashë dhe vëzhgova në mënyrë të veçantë Kalanë e Himarës. Muret pellazgjikë qenë tepër të dukshëm, hijerëndë dhe të lexueshëm. Mbi to dukeshin mbeturinat e rindërtimit të kësaj kalaje nga Justiani i Madh, Perandori ilir i Bizantit. Kjo kala pati dhe një rindërtim në shek. XII gjatë betejave apokaliptike të normanëve nga njëra anë dhe bizantinëve dhe arbërve nga ana tjetër. Më 1537 në Himarë erdhi një nga sulltanët më të mëdhenj të të gjithë kohërave, Sulejman Kanunliu. Kronistët osmanë thonë se një djalë himariot, i quajtur Damian, u hodh nga një vend i fshehur për ta vrarë Sulltanin, ndërsa ai pushonte. Rojat e Sulltanit e copëtuan me jatagan Damianin, por s’mundën të copëtonin dhe të vdisnin imazhin kujtesor të këtij Muc Shavola arbër. Duket se figura e Damianit fluturon si një binjak ajror, e prej ëndrre i të njëjtit fat tragjik të shqiptarit Milosh Kopiliqi në Fushën e Mëllenjave, në Kosovë më 1389, ku pasi vrau Sulltan Muratin, u masakrua edhe vetë. Kuptohet se Sulltan Sulejman Kanunliu e bombardoi këtë kështjellë. Por himariotët nuk u nënshtruan dhe kjo krahinë aq shumë qe e plotfuqishme saqë Perandoria Osmane u detyrua t’i njihte një lloj autonomie dhe për këtë shpalli Venomet e Himarës, që u shkruan në pllaka bakri të mëdha, ku shpallej urbi et orbi vetëqeverisja e himarjotëve, mospagimi i taksave dhe e drejta për të përdorur flamurin e tyre të lundrimit në anije.
Protagonizëm himariot në historinë e Shqipërisë
Historia na thotë edhe të tjera motive shumë të çuditshme. Himarioti Anton Linerosa, sipas Barletit mori pjesë në Kuvendin e Lezhës dhe u vra në betejën e Torviollit me 40 trima të tij më 1444. Më 31 gusht 1431, i biri i Gjergj Kastriot Skënderbeut, Gjoni zbret nga Italia në Himarë dhe çliron tërë zonën dhe kështjellën e Borshit. Madje u kap rob dhe komandanti osman Sulejman Pashë Eunuku, që Gjon Kastrioti ia dhuroi mbretit të Napolit. E kush e ka shkruar vallë historinë e robit të luftës, gjeneralit eunuk në Napoli të Italisë? Askush! Dhe një tjetër histori është magjepse. Princi Balsha II ka qenë zotërues i Himarës. Pas vdekjes së tij zotëruese qe gruaja Komita Muzaka. Në përfytyrimin tim gjithnjë ka qenë shqetësues motivi se si ka jetuar dhe çka bërë kjo femër që historia e përmend jo rastësisht.
Jeta e Balshës II dhe e Komita Muzakës mund të kishte zanafilluar një roman të shkëlqyer për mesjetën. Po për ç’arsye vallë shkrimtarët shqiptarë i dinë kaq pak këto histori të vendit të tyre? Pushtimi osman është një histori kryengritjesh të himariotëve. Himariotët nuk kanë reshtur për të patur lidhje me Evropën Perëndimore.
Më 12 korrik 1572, pleqtë e Himarës dërgojnë një letër për Papën, të cilën e dërguan në Romë Gjik Kola me Gjergj Katasin. Në këtë letër ata i thonë Papës se janë arbër, se krenohen me Skënderbeun dhe se kërkojnë që Europa t’u japë armë për të luftuar kundër pushtuesve. Një letër e dytë i është dërguar Papës më 1581, ku i thonë se janë gati 50 mijë luftëtarë shqiptarë të ngrihen në kryengritje. Papati i Romës bëri diçka të jashtëzakonshme: nisi misionarë katolikë gjatë shekujve XVI-XVIII. Për dy shekuj me radhë këta misionarë të ditur, pjesa më e madhe me origjinë shqiptare, bënë të mundur që të gjallërohej shqiptarësia, të lëvrohej gjuha shqipe. Shënimet e këtyre misionarëve mund të botoheshin në një libër të madh, që mund të quhet Libri Evropian i Himarës. Ky libër duhet botuar edhe në shqip sepse janë të pakta vendet në Shqipëri, që mund ta kenë këtë dëshmi monumentale. Në shek. XVIII himariotët dërguan në Rusi Pango Bixhilin dhe Hil Kristoforin te Caresha e Rusisë Elisabeta Petrovna. Në letrën që iu dërgua caresësh “Flasim shqip, atë gjuhë që flitet në tërë Shqipërinë deri në Bosnje”. Më vonë janë po himariotët, që i dërgojnë letër mbret Ferdinandit të IV në Itali. Të tëra këto letra janë një nga korrespondencat më të çuditshme në kohëra që kanë bërë shqiptarët me Evropën.
Historia e kapetanatit bregas
Por shumë himariotë edhe kanë mërguar. Shqiptarë nga Himara shkuan në ishujt Hidra, Speca, Poro, si dhe në kështjellën e Peloponezit. Kapedan Kristo Bega nga Vunoi, u vra në Mesolongj me 40 himariotë në fillim të Revolucionit Grek. Shumë nga trimat dhe heronjtë e këtij revolucioni qenë nga Himara. Më 1818, Regjimenti Shlaiptar në Korfuz luftoi për mbrojtjen e Psarës. Anglezi Millingen ka shkruar “Himariotët kishin pamje më luftarake në tërë ushtrinë. Nuk kanë dallim nga shqiptarët e tjerë. Veshja dhe gjuha – krejt e njëjtë”. Kush e ka shkruar këtë histori kaq të çuditshme dhe të ndërthurur? Për fat të keq askush. Trimat e Himarës u bënë të famshëm në botë. Mërkur Bue Shpata qe gjeneral i pathyeshëm deri në Spanjë, Zhonopulli arriti dhe gradën e Feldmarshallit në Spanjë, Konstandin Kasneci qe gjeneral i shquar i Austro-Hungarisë, Pano Vixhili u bë Konsull i Rusisë në Artë.
Ndoshta shqiptarët nuk e dinë që e motra е Heroit të revolucionit grek, suliotit shqiptar Marko Boçari, qe martuar në Dhërmi të Himarës dhe lindi Jan Kocanin, komandant gjithashtu i shquar. Gjeneral Dhimitër Leka qe himariot në Napoli. Pikërisht Dhimitër Lekës, Jeronim de Rada i kushton kryeveprën e tij “Milosao”. Ruhet korrespondenca e nipit të Dhimitër Lekës, Gjergj Bazile me De Radën. Një djalë nga Vunoi qe në truprojën e Bajronit më 1921 në Mesolonji, siç dëshmon në shkrimet e tij Eduard Lir.
Andrea Pavllo Vreto nga Dhërmiu ka shkruar dhe botuar në Napoli librin “Histori e Skënderbeut”. Odise Kasneci dhe Sokrat Leka kanë qenë veprimtarë të Lidhjes së Prizrenit, dega e Gjirokastrës. Jani Minga dhe Halim Xheloja qenë nismëtarët e parë të shkollave shqipe në Bregdet. Petro Marko dhe Stefan Duni nga Dhërmiu morën pjesë në Luftën e Spanjës. Madje një himariot tjetër ka marrë pjesë në luftën për çlirimin e Kubës. Himariotë të tjerë kanë luftuar edhe në Egjipt edhe në Moldavi. Mbi Viktor Emanuelin II gjatë pushtimit fashist në Shqipëri qëlloi një djalë i ri, që ishte edhe poet, Vasil Laçi nga Piqerasi. Gaqo Trola nga Vunoi krijoi më 1942 elegjinë e kënduar për vrasjen e Qemal Stafës. Mos ju duket e pakët dhe e shpifur kjo histori? Është absolutisht e vërtetë.
Dua të skicoj diçka edhe për një institucion shekullor luftëtarësh që quhet Kapetanata e Himarës. Më trimat himarjotë kishin gradën Kapetanë. Ata njiheshin të tillë në Napoli, Venedik dhe Korfuz. Ata u shquan si kapetanë në disa breza si Kasnecajt në Vuno, Gjikajt dhe Lekajt në Qeparo, Rexhajt në Himarë. Edhe studimi i këtij institucioni ushtarak i familjeve të përmendura himariote meriton një libër më vete. Himara i ka patur lidhjet me Evropën të përjetshme. Jano Kasneci u shkollua në Padova, Kosta Ndruci dhe Spiro Kasneci u shkollua në Napoli, Llambo Rexho dhe Kolë Mishili u shkolluan në Venedik etj.
Historia e Kishës katolike në Himarë
Ata gërshetonin kulturën evropiane me shqiptarësinë. Nuk është e rastit, që Papa Dhimitri nga Dhermiu përktheu në shqip katekizmat, u hapën shkolla shqipe gjatë shek. XVI-XVIII. Historia e Kishës Katolike në Himarë nuk mund të zhduket dhe nuk mund të mohohet. Po kështu as ajo e Kishës të Ritit Lindor, të monumenteve kishtarë me afreske të mrekullueshme, madje dhe me shënime kronikore, që për fat të mirë i ka botuar i ndjeri Theofan Popa. Për shkak të lëvizjes nëpër botë, në Itali, Spanjë, Greqi, Francë, në Rusi, në Amerikë, në Meksikë, Argjentinë, Australi dhe Kubë ndodhte që gjatë kthimit të tyre në atdhe himarjotët të flisnin përveç shqipes gati të gjitha gjuhët e tjera të mëdha të botës. Kjo poliglosi të kujton diçka nga bota e sotme globale, shpreh interesa të shumëfishta kulturore dhe gjuhësore.
Në këto brigje kanë qëndruar figura të mëdha të kombit shqiptar si Ali Pashë Tepelena, Hoxhë Tahsimi, Abdyl Frashëri, madje dhe Naim Frashëri, i cili gjatë kohës që qe nëpunës dogane në Sarandë erdhi dhe në Llogara dhe në Himarë; Ismail Qemali,Çerçiz Topulli dhe Mihal Grameno (prej Gramenos ruhen disa përshkrime të bukurive natyrore të Himarës). Gjatë Luftës Antifashiste, himarjotët u treguan trima. Nga gjiri i tyre lindi një nga mjeshtrit e paharruar dhe të shqetësuar të gjuhës shqipe, i mrekullueshmi Petro Marko. Jo rastësisht, Petro Marko la amanet që t’i varrosej trupi në Dhërmi, në vendlindje. Sa e pafundme që qenka Himara!
Dramat e gjeneruara nga shovinizmi i të tjerëve
Por Himara ka dhe drama të mëdha. Shovinistët grekë e kanë synuar pambarimisht, madje e kanë deklaruar Himarën “krahinë autonome”, kanë bërë masakra. Këto gjëra ndodhin në histori. Shqiptarët e Dhërmiut kanë emigruar në ishullin e Korfuzit, ata të Himarës në Kretë, ku mësuan dhe gjuhën greke. Dhërmiu e ruan dhe sot dialektin grek të Korfuzit dhe himarjotët intonacionin e greqishtes së Kretës. Shkollat greke kanë ndikuar në greqizmin e Himarës. Ka shumë beteja politike, tepër arkaike. Në epokën globale këto beteja janë jashtë kohe dhe të sforcuara. Nuk mendoj që të mos flitet greqisht në Himarë, nisur nga një vizion kulturor i shumëfishtë më duket se greqishtja, që përdoret në Himarë është një element kulturor, që krijon një element gjuhësor pasurie të veçantë.
Meqenëse kjo ka ndodhur historikisht, ne nuk mund ta ç’bëjmë historinë. Po nuk është njerëzore dhe as e drejtë të zhduket gjuha shqipe në Himarë. I ndjeri miku im Petro Marko e ka shprehur këtë shqetësim si askush. Petro Marko do ta apostolojë shqip këtu përherë. Të gjitha partitë politike duhet të kenë parasysh botën globale dhe jo koncepte që sjellin tension të kotë. Bota është e lirë dhe e hapur, por nuk duhet të ketë deformim të lirisë te askush, qoftë tek ai që flet shqip dhe qoftë tek ai që flet greqisht. Ky është një problem delikat, që mbart disa herë edhe probleme të mëdha, madje dhe hakmarrje politike. Kjo është në kundërshtim me vizionin e ri emancipues të botës. Nuk besoj se këto gjëra do të zgjidhen me politika të sforcuara. Besoj në një realitet ku etnitë dhe popujt do të vëllazërohen dhe nuk do të shpikin kufij të rinj. Populli shqiptar është mik i popullit grek, por unë besoj thellësisht dhe pa lëkundje se edhe populli grek është mik i popullit shqiptar. Është e papranueshme nxitja e urrejtje etnike dhe ideja e kantonizimit, pikërisht në epokën e madhe të hapjes së kufijve, madje të zhdukjes së kufijve.
Asnjëherë nuk më ka mahnitur Kalaja e Himarës si këtë herë. Brenda rrethit të saj është një lagje ndërtesash prej guri me dritare të mëdha, të stilit dalmato-venecian. Ndikimi i Venedikut këtu ka qenë shekullor. Deri më 1947 ka ekzistuar reliefi me figurën e luanit të Shën Markut, që më pas e çuan në fondet e Muzeut Arkeologjik të Tiranës. Ky reliev nga Vunoi i duhet rikthyer Vunoit. Shtëpitë e stilit dalmato-venecian të kështjellës së Himarës duhen restauruar, banorët që i kanë braktisur shtëpitë duhet të rikthehen. Një lagje me shtëpi të tilla ndodhet në Ulqin, shtëpi të ngjashme ka në Budva, në Tivar, dy të tilla janë ende dhe sot në Durrës. Ky stil arkitekturor është një dëshmi e fortë. Shtëpitë e kështjellës së Himarës mund të kthehen në shtëpi muzeore, fjala vjen Muzeu i Traditës fetare, i etnografisë dhe këngës popullore, i shkollës shqipe, i bashkëjetesës së traditave gojore greke, i traditave ikonografike në shekuj, i heronjve himarjotë etj. Pa harruar edhe një muze arkeologjik, që do të kishte një ekzotikë të pashlyeshme.
Në Vuno pashë shtëpinë e tipit kullë, të Odise Kasnecit, që është një kryevepër. Përse të mos kthehet në muze të rrallë? Të tërë kishat e zonës së Himarës kanë vlera artistike. Pse mos të publikohen me albume afresket dhe ikonat e shkëlqyera? Pse mos të ngrihet në Palasë një skulpturë bronzi e Jul Cezarit, i cili ka qenë aty në vitin 48 para Krishtit?
Ka ardhur koha që politika shqiptare t’i kthejë sytë
Asnjë zonë e Shqipërisë nuk ka për ta arritur shkëlqimin e këngës popullore dhe polifonike shqiptare, sidomos të Pilurit. A mund të harrohen këngëtaret e mëdhenj dhe të pazakonte si Neço Muko, që botoi dhe dy libra muzikorë të quajtura “Lyra himarjote”? Ai i këndoi dertit të përjetshëm erotik, që e metaforizon si “Lulja jeshile”. A mund të harrohet Nase Beni dhe poeti popullor më i shkëlqyer dhe i famshëm i Shqipërisë së sotme, pilurioti Lefter Çipa? A mund të harrohet Katina Bejleri kjo këngëtare e madhe e Himarës? Në shtëpinë e Lefter Çipës pashë me sytë e mi pllakën matricë të gramafonit, ku më 1924 në Paris, Neço Muko incizoi kryeveprën “Vajza e Valëve”. M’u drodhën duart kur e preka këtë pllakë. Ai një ëndërr përralle, kam në kokë idenë që të bëhet një skulpturë vigane e “Vajzës së Valëve” për t’u vendosur mbi një platformë mbi sipërfaqen e Detit Jon. Kjo do të bënte përshtypje të jashtëzakonshme ashtu siç bën edhe Statuja e Sirenës së Anderstenit e vendosur mbi ujërat e Amsterdamit. Kjo statujë do të na kujtonte mallin, apoteozën e dashurisë, tragjeditë shpresën. O Zot, ka ardhur koha që politika shqiptare t’i kthejë sytë nga Himara. Kjo Princeshë në Gjumë padyshim që do të zgjohet. Amen!