Neshat Tozaj: Edi Rama, “Gjenerali” pa ushtri i Kulturës
(Botuar me 13 qershor 1998 në KOHA JONE)
Nga Neshat Tozaj
Po diskutohet shumë këto kohë për “fenomenin Rama”. Për ministrin e ri të Kulturës ka epitete si “simboli i intelektualit të pavarur ekstravagant”, “rebel”, “antikonformist”, bëhen intervista nga shokë e miq që komentojnë si “hapin” e tij për të pranuar të jetë ministër etj.
Artistët operojnë me detaje, të cilat shpesh dëshmojnë karakteret, këtë e bëjnë sigurisht dhe shkrimtarët, madje edhe kur fjala shkrimtar vihet në thonjëza edhe kur u vihet epiteti “mediokër”. Dy eksperienca të mia me Edi Ramën nga ato që zbërthejnë karakterin dhe shpjegojnë veprimet e tij siç është edhe hapi i “pranimit” të postit të ministrit të Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, do të doja t’i bëja publike për miqtë e tij. Po më parë dua të them se në një editorial të gazetës “Koha Jonë”, “rebeli” Edi Rama, shkruan për shtypin e lirë dhe lirinë e shtypit. Të bën përshtypje dhe të lë një shije të hidhur kur ai konstaton tani se artikujt e gazetave me pavërtetësinë, keqinterpretimet e fjalëve, shpërdorimin e tyre etj., janë tregues i ulët i nivelit të shtypit shqiptar. Kjo është normale. Mirëpo “pisllëku” dhe shpërdorimi i shtypit ka ekzistuar edhe para se heroi ynë të bëhej ministër. Tani që ai ngre zërin, që klith kundër shpërdorimit të lirisë së shtypit nuk duket më intelektuali Edi Rama, por ministri Edi Rama, pikërisht ai që ditën e parë hoqi shoferin pa e njohur fare për të marrë një tjetër (për hir të së vërtetës ai i gjeti punë tjetër), hoqi shefin e kabinetit zotin Gjergj Peçi, përkthyes dhe poet, i cili ka bërë burg dhe dëshmitarë kundër tij kanë qenë një ish-ministër i Berishës dhe një ministër i sotëm dhe akti i tretë i “madh” i ministrit të Ri të Kulturës, ishte marrja e çelësit të “artë” të WC personale. Pas këtyre akteve mbyllja e celularit dhe heqja e veturës nuk zbehen aspak. Kjo është një meritë.
Me këtë rast si shkarazi na vë në dijeni se gazeta me tirazh më të madh e SHBA ka nevojë për artikujt e tij. Lexuesit me vëmendje mesatare i duhet të ngulë mirë në kokë këtë fakt. Në një koktej të organizuar nga ambasada e RSH me rastin e botimit të një librit tim në Francë, Edi Rama që më përgëzoi kur ra fjala për Shqipërinë më tha: “Vetëm ne të dy e ndreqim atë vend. Unë e shikova me habi dhe vura re se ai e kishte seriozisht. I thashë se unë nuk isha për ato punë dhe u shkëputëm siç ndodh rëndom nëpër pritje.
Në atë libër të botuar atje, për fatin tim të mirë, kisha shkruar për paaftësinë time për t’u marrë me veprimtari politike. Po aty, në atë pritje, m’u kujtua kur vite më parë Edi Rama kishte hapur një ekspozitë pikture mbi disa kartonë ambalazhi. Unë vajta i ftuar prej tij, sigurisht ndjehesha i nderuar dhe ndër vizitorët më zunë sytë ish Ministrin e Jashtëm të asaj kohe z. Alfred Serreqi. Ai erdhi deri afër meje dhe u kthye (kisha botuar një artikull për “bëmat” e tij me “përgjimet që e quaja Serreq-geit). Kur po e uroja Edin për ekspozitën befas më tha: “Si s’më erdhi ai qelbësina, Meksi, i dërgova ftesë dhe më premtoi…”. Iu përgjigja qetësisht se rëndësi kishte t’i vinin njerëz të kulturës dhe veçanërisht piktorë që të shkëmbenin mendime. Tani kur lexoj që Edi paska qenë “rebel i madh” sikur nuk më besohet. Ai, sipas mendimit tim ka kritikuar ekserët si shumë të tjerë, por ndryshe nga të tjerët ka synuar që ai e bën më mirë se të tjerët shefin e shtetit dhe pra, e ka dëshiruar postin. Vetëbesimi i të qenit kategorik, mendimi se ai “mund ta rregullojë këtë vend” dhe keqardhja përse nuk i erdhi Meksi, dëshmojnë njëherazi kompleksin e madhështisë dhe të inferioritetit.
Këto dukuri edhe në deklaratat e tij kategorike në shtyp, tregojnë se sigurisht Edi Rama nuk është një njeri pa ide dhe pa studime, por për të bërë punë të mira në administratë duhet të njohësh dhe të zbatosh ligjet. Administrimi dhe drejtimi nuk mund të bëhet nga njerëz që merren “nga rruga”. Në shumë shkrime të tij, ai është deklaruar haptazi kundër kulturës dhe artit të krijuar gjatë viteve të socializmit. Mohimet totale ashtu si edhe pohime totale janë kurdoherë të rrezikshme. Kjo mënyrë e keqe arsyetimi e ka atakuar atë me të gjithë krijuesit. Shumë syresh i ka sharë me emra, na ka shumëzuar me zezo veprat, i ka përçmuar publikisht. I emëruar në krye të kësaj “ushtrie” me gradën e “gjeneralit”, Edi është në kërkim të strukturave, thënë në mënyrë figurative ai nuk ka aviatorë, tankistë, ndërlidhëse, marinsa etj. Ata ose sapo kanë lindur ose duhen krijuar. Dhe ai i është futur udhës, paralel me Berishën, për të krijuar personalitetet e kulturës. Pasi mbaroi punë me të gjallët ai iu sul edhe të vdekurve. E gjeti aktorin Aleksandër Mojsiu atje ku prehej dhe i tha se nuk i kishte kushtuar as dhjetë minuta Shqipërisë. Po kështu e kishte ngrënë edhe “censori” Naim Frashëri. Kur njeriu ndërron gjendjen e tij politike duhet të bëjë sa më shumë miq, sa më pak armiq, pa shkelur kriteret morale apo ligjore.
Në një intervistë të tij në “Klan” E. Rama shprehet: “sa kohë që do të jem unë ministër, nuk do të ndodhë më që prodhimi kulturor të manipulohet nga marrëdhëniet ndërministrale siç ndodhi me grupin e 12 shkrimtarëve që shkuan së fundi në Paris”. Më poshtë ai përmend të pëlqyerit e tij që “nuk iu dha mundësia publikimit francez që t’i njihte”. Ndoshta ministrit tonë të Kulturës, i ka shkarë nga vëmendja që ky aktivitet zhvillohej nga Ministria e Kulturës e Francës për Shqipërinë në kuadër të “Les Belles Etrangeres” që ka nisur në vitin 1987. Aty ftohen vetëm shkrimtarë të botuar në Francë dhe ky është kriteri bazë. Asnjë nga miqtë e tij, për fat të keq, nuk është botuar atje. Ai mund, shumë mirë, të ngrinte zërin përse nuk qe ftuar dramaturgu Minush Jero, një vepër e të cilit është vënë në skenë apo Maks Velo, që sapo i doli libri në Francë.
Ministrit tonë të Kulturës do të donim t’i kujtonim, nisur nga deklarata e tij, se Shtëpitë Botuese në Francë janë private dhe askush, madje as Ai vetë, nuk mund t’u imponohet. Ato duan të botojnë “Njeriu me top” dhe e përkthejnë pavarësisht mendimit të Edi Ramës për Dritëro Agollin e kështu me radhë. Por “armiku” Aurel Plasari, që Edi Rama “e urren aq shumë” dhe që e bëri drejtor të Bibliotekës Kombëtare kishte hedhur një “grusht kripë” në këtë aktivitet kundër shkrimtarit Dritëro Agolli. Konsekuent si Edi Rama në rrugën e mohimit të çdo vlere, A. Plasari që kishte bërë diçiturat e disa fotografive ia pati induktuar një dozë të rëndë helmi Agollit. Ndoshta ai, A. Plasari e urren Agollin se jo më larg se gjashtë muaj pa nisur proceset demokratike i kishte propozuar Agollit, atëherë Kryetarit të Lidhjes së Shkrimtarëve, ta ngarkonin të bënte një antologji me poezi për Stalinin. Dritëroi i shkretë kishte bërë “mëkatin e dytë” (pasi e kishte marrë në punë pa arsimin përkatës) që ia kishte refuzuar projektin e antologjisë me poezi për “Baba Stalinin”.
Edi Rama po shpejton të verë njerëz të ngjashëm me të në postet e ndryshme të kulturës dhe, edhe kur është kompetenca e kryeministrit Nano, ai vepron me dorë të lirë. A. Plasari është shoqëruar dhe prezantuar prej tij pa kurrfarë dokumenti. Edi Rama u përket atyre artistëve të rinj të shtuar shumë pas rënies së komunizmit, që e kanë nisur “veprën” e tyre duke namatisur veprat e të tjerëve. Kjo është mënyrë më e mirë për t’u zhvleftësuar dhe për të bërë prokopi. Shumë nga këta “lloj artistësh” kanë mbetur pa vepër dhe pa personalitet dhe e vetmja “vepër” apo pasuri e tyre është agresiviteti.
Idetë e reja të Edi Ramës duhet të mbështeten në rregullat që ka shteti. Mua më duket tip interesant, gjithashtu, kur ai vepron ndryshe, pra në mënyrë antiskematike. P. sh. këshilltari i tij aktual është një person që sapo ka mbaruar studimet. Nëse këshilltari është 25 vjeç, atëherë “princi regjent” i kulturës i takon të ketë një zhvillim mendor të përafërt me moshën 9-vjeçare”. Në praktikën e të drejtës së autorit ekziston Asambleja e Përgjithshme e përbërë nga “stazhierë”, “anëtarë” dhe “anëtarë definitivë”, klasifikim që bëhet në bazë të veprës dhe të votave që ka çdo anëtar i kategorizuar. Sikur të mund të plotësonte kriteret për të qenë stazhier, ministri Edi Rama do të kishte vetëm një votë dhe nëse në anën tjetër të kandarit do të ishte Thoma Thomai apo Agim Zaimi që hyjnë tek “anëtarët definitivë” atëherë Edi duhet të kishte në anën e tij edhe 98 të tjerë, sepse një anëtar definitiv ka 99 vota në Asamblenë e Përgjithshme.
Pra shteti kur bën zgjedhje ose duhet të verë një politikan ose një artist me themele të forta nga ata me 99 vota e jo një “nëntëdhjetenëntash”. Mbase është kjo arsyeja që në një mbledhje kolegjiumi befas “regjenti i kulturës” ka ulëritur: “Mos më çani bythën me Laver Bariun. Ne kemi përpara një mur të lartë që duhet t’i biem me kokë. Ai që nuk mundet, le të ikë. Pas këtij muri ka qelbësirllëqe, të cilat do t’i pastrojmë dhe vetëm pas kësaj do të hyjmë në Evropë”.
Mision të madh ka përpara Edi Rama ynë, “rebeli antikonformist” që na u bë ministër, që do t’i bëjë sus gazetarët dhe që do ta shkatërrojë me kokë atë “murin” imagjinar. Urojmë që koka e tij të mos i pësojë dhe shpresojmë që ndoshta, nga goditjet me kokë, do kujtohet që Migjeni nuk ka më shtëpi muze, që varri i është shkatërruar dhe dokumentacioni për të është lënë në mëshirë të fatit. Po në ç’rreth të ferrit vallë e ka klasifikuar Migjenin ministri ynë i Kulturës?