Nexhmedin Spahiu: Copëtimi, rreziku më i madh
(Botuar me 26 Prill 1998 në KOHA JONE)
Nga Nexhmedin Spahiu-
Nëse vërejmë me kujdes zonat ku bëhet lufta në hartën e Kosovës, lehtas dallohet diagonalja Deçan – Drenicë – Llap. Kjo diagonale, Kosovën e ndan në dysh. A është vallë kjo një gjë e rastësishme?
Nëse u referohemi përvojave nga lufta në Kroaci dhe Bosnje, atëherë një strategji e tillë të çon në konkludimin se serbët tentojnë copëtimin e Kosovës. Në fakt, historia e deritanishme e luftërave të fundit në Ballkan është histeri e tendencave serbe për copëtimin e vendeve, viktima të agresionit të saj. Në ndryshim nga lufta në Slloveni, në të cilën serbët ishin ushtarakisht të dobët (nga shkaku i përbërjes shumë etnike të ushtrisë së tyre) dhe e cila u zhvillua për dinjitet vetëm sa për t’u thënë të tjerëve se matuni mirë nëse doni të shkëputeni, lufta serbe në Kroaci dhe Bosnje ishte luftë për copëtimin e tyre. Në Kroaci ajo përfundoi me disfatën serbe, por në Bosnje ajo përfundoi me fitore. Vetë Radovan Karaxhiçi pohonte se “ne mund ta marrim ushtarakisht gjithë Bosnjën, por nuk duam, ngaqë nuk dimë se ç’të bëjmë me boshnjakët”. Tani Republika Sërbskës, edhe pse me Marrëveshjen e Dejtonit nuk iu mundësua bashkimi me Serbinë, ajo është më Serbi se vetë Serbia. Boshnjaku ose kroati i Bosnjës mund të shkojnë tani lirisht në Beograd, por jo në shtëpitë e tyre në Banja Llukë (seli e Republika Sërbskës).
Konfiguracioni i luftës së filluar në Kosovë përbëhet prej tri vijave, të cilat Kosovën e ndajnë në katër breza. Për të ardhur në këtë konkludim na ndihmon një sondazh sado sipërfaqësor i vendosjes së njësive ushtarake e policore serbe në Kosovë si dhe atmosfera që mbretëron në ato zona.
Në zonën jugore, pas shpërthimit të luftës në Drenicë, është zbutur ca atmosfera shtypëse dhe njerëzit më tepër shqetësohen për fatin e Drenicës se sa për ndonjë rrezik që u kanoset atyre direkt sado që lufta nuk njeh kufij. Në këtë zonë është i ashtuquajturi korridor i Gligorovit, pra rruga Prishtinë-Shkup-Tiranë, për të cilin serbët bëjnë kujdes që mos ta trazojnë. Zona tjetër është brezi aktual i luftës. Diagonalja Deçan-Drenicë-Llap. Ky është brezi historik i luftës. Natyrisht, këtu Serbia ka gjetur partnerin e vet për luftë. Siç thamë më sipër, konflikti në këtë brez nuk është nxitur rastësisht dhe jo vetëm për arsyet serbe. Këto zona, e sidomos zona e Drenicës, paraqesin një paradoks politik më vete. Në fakt, ata që kanë insistuar për luftën e armatosur si të vetmen rrugë për çlirimin e Kosovës, janë krahu i majtë i spektrit politik kosovar. Drenica është krahina ku nuk ka pasur asnjë komunist gjatë Luftës së Dytë Botërore.
Kjo krahinë është treguar shumë e gatshme t’i shkojë pas Xhafer Devës në mbrojtjen e kufijve veriorë që rrezikoheshin nga çetnikët serbë dhe kurrsesi nuk pranoi që t’i shkojë pas Xhafer Devës në ndjekjen e komunistëve shqiptarë në Jug të Shqipërisë. Ky fakt historik, pra edhe nga ana shqiptare, paraqet kompromisin mes forcave politike. Derisa në zonat e tjera është i vështirë kompromisi, ngase lufta politike mes të “majtëve” dhe të djathtëve” bën ndonjëherë që të harrohet konflikti kryesor, pra konflikti me serbët, në Drenicë ky kompromis është lehtësisht i arritshëm.
Në këtë brez, akoma nuk ka shpërthyer lufta në zonën e Llapit. Brezin tjetër e përbën zona mbi Drenicë, Kosova e Vogël (zona rreth Vushtrrisë) si dhe pjesa më e madhe e Llapit. Ndërsa brezi i katërt është pjesa më veriore e Kosovës. Këtu bëjnë pjesë rrethinat e qytezave Leposaviç dhe Zubin Potok, zona e Shalës me minierat e Trepçës si dhe pjesa e qytetit të Mitrovicës mbi lumin Ibër. Këto zona paraqesin trevat të cilat gjatë viteve 1941 – 1943 u quajtën Krahina Autonome e Mitrovicës, zona të cilat janë varfëruar më së shumti këto 8 viteve të fundit. Këta dy breza, e sidomos brezi më verior, janë të çarmatosur tërësisht. Në një moment të përshkallëzimit të luftës, të përshtatshëm për serbët në konstelacionet ndërkombëtare, kur njerëzit në këtë zonë (Veri të Kosovës) të jenë duke thënë “sa shumë po vuan Drenica e shkretë”, Serbia do ta tentojë aktin e gjenocidit të rrufeshëm për t’i vënë shqiptarët dhe bashkësinë ndërkombëtare para faktit të kryer. Natyrisht, serbët do të tentojnë që po të njëjtën gjë ta bëjnë mundësisht edhe në dy brezat e mëposhtëm, varësisht sa u ecën puna, në mënyrë që pas bisedimeve dhe ndërmjetësimit ndërkombëtar të kenë mundësi të bëjnë “lëshime” në këmbim të legalizimit të pjesës që do të mbajnë për vete.
Në favor të kësaj strategjie flet gjendja faktike në terren. Është shumë më e lehtë të kalosh pikat kufitare mes Maqedonisë dhe Shqipërisë me Kosovën, se sa të kalosh postblloqet serbe në rrugën Prishtinë-Mitrovicë. Sikur serbët të dëshironin ta zgjidhnin paqësisht problemin e Kosovës, ata nuk e fillonin luftën. Sikur serbët të kishin interes që problemin e Kosovës ta zgjidhnin me dhënie të ndonjë autonomie, ata nuk do t’ia ngacmonin autonominë shqiptarëve, të cilën ata veç e kishin. Tek e fundit, edhe Shesheli edhe Drashkoviçi, por edhe Akademia Serbe e Shkencave dhe arteve, janë prononcuar se për Serbinë është më mirë pavarësia e Kosovës se sa autonomia e saj brenda Serbisë apo Jugosllavisë. Dhe këtu ata kanë plotësisht të drejtë, sepse nataliteti shqiptar, formimi i ndryshëm kulturor, prirja antishtet e shqiptarëve etj, përbëjnë një rrezik tepër të madh për Serbinë, nëse shqiptarët do të gëzonin të paktën të drejta njerëzore në kuadër të saj. Që çështjen e Kosovës ta zgjidhin me gjenocid total ndaj shqiptarëve të Kosovës, tani serbët e kanë kuptuar që nuk e arrijnë dot me vetë faktin se po mbushen 2 muaj të rezistencës shqiptare në Drenicë.
Pra, copëtimi i dhunshëm i Kosovës është opsioni i vetëm dhe strategjia e vetme serbe për Kosovën. Ky pra është rreziku real dhe më i madhi për Kosovën. Është rrezik jo vetëm për shkakun që humbet jeta e dy-treqind mijë shqiptarëve dhe 1030% e territorit të Kosovës, por edhe për faktin se ky territor paraqet pjesën më të pasur të Kosovës, pa të cilën ajo, nuk mund të mbijetojë. Kosova është terren i pandashëm dhe copëtimi i saj sjell pasojë gjymtimin e përjetshëm të kombit shqiptar. Shqiptarët duhet të bëjnë kujdes dhe ta sensibilizojnë në maksimum rrezikun e copëtimit të Kosovës si rrezikun më të madh që i kanosët Kosovës. Këtë duhet ta bëjë si klasa politike në Kosovë e po ashtu edhe ajo në Tiranë. Në radhë të parë, nuk duhet lejuar që minoriteti serb në Kosovë të bëhet palë. Sepse nëse minoriteti serb prej 5% bëhet palë me shqiptarët në Kosovë, atëherë kjo gjë çon drejt e në copëtimin e Kosovës. Duhet bërë me dije opinioni serb dhe ai ndërkombëtar, që Kosova më parë do të zhbëhet e tëra se sa të lejojë të copëtohet. Presidenti, Kryeministri, partitë politike, intelektualët etj. Këtë duhet ta thonë hapur dhe ta elaborojnë në takimet e tyre me diplomatë.
Forcat që mbajnë vijën e frontit në Drenicë e Deçan nuk duhet të mjaftohen me sukseset e tyre eventuale aty, sepse lufta që bëjnë serbët në Drenicë e Deçan është vetëm paralojë e aktit gjenocidal që ata përgatisin për trevat veriore të Kosovës.
NEXHMEDIN SPAHIU