Nikoll Lesi, reportazh nga Brazili/Pas vizitës 9-ditore në San Paolo dhe Recife të Brazilit në Kongresin e 23-të Botëror të gazetarëve
(Botuar me 16 Maj 1998 në KOHA JONE)
Nga Nikoll Lesi
Remzi Lani, një ditë prilli, më ofroi ftesën që kishte mbërritur nga Brukseli. As që e kisha çuar nëpër mend se mund të udhëtoja ndonjëherë drejt një vendi kaq të largët e magjepsës, drejt asaj bukurie natyrore të pakrahasueshme, të cilën e kisha lexuar vetëm nëpër libra ose e kisha ndjerë nga ekrani i TV, pra që të udhëtoja për në vendin e quajtur Brazil.
U nisa me vonesë për në aeroport, vonesë e cila na u dyfishua nga kontrolli i imët që i bënë autoritetet e Rinasit bashkudhëtarit tjetër për në Brazil, kolegut të “Albania” Ylli Rakipi. Edhe ashtu të sikletosur nga nxitimi e vonesa, Armand Shkullaku, delegati tjetër i Kongresit të 23-të Botëror të Gazetarëve, nuk përtoi për ta ngacmuar dhe ia bëri me shenjë doganierit që ta kontrollonte imtësisht Rakipin. E natyrisht bosi i “Albania” turfulloi nga fyerja.
-Nuk ta varin më si dikur në kohën e Berishës,- nuk iu ndejt Shkullakut pa e gërricur. Kështu duke qeshur e kujtuar kohët kur haheshin (pse nuk mund të “hahen” përsëri?!) “Albania” dhe “Koha Jonë” kaluam nga linja ajrore e Romës në atë të linjës Romë-Milano-San Paolo. Plot 12 orë udhëtim pa ndërprerje. Herë-herë i frikshëm, herë-herë të mbuluar nga gjumi që na sillte përkundja e avionit 750-vendësh, i cili si një shpend i madh “luftonte” në lartësitë 10500 metra me ciklonet dhe vakuumet atmosferike. Shpejtësia e “shpendit” tonë arrinte në 945 km/orë.
-Që edhe mund të udhëtonim bashkë, Ylli, mund ta kem menduar, por që të vdes bashkë me ty dhe të na bëjnë varrin afër e afër, as që e kam menduar – iu drejtova me të qeshur kolegut të “Albania-s”. I kujtova se po u rrëzua avioni mund të përfundonim 30004000 metra thellë në Oqeanin Atlanik.
Pas një udhëtimi të stërgjatur, plot 12 orë, nisur natën po mbërrinim përsëri natën, afër orës 05, në San Paolo. Ora e Brazilit ishte afërsisht 5 orë pas asaj të Tiranës. Avioni kishte edhe 30 minuta për tu ulur. Po fluturonim si në një ëndërr ku shikonim vetëm llamburitje dritash pa fund, tamam si në një oqean drite. San Paolo ishte një qytet i stërmadh. Kisha lexuar dikur për Brazilin dhe në ato pak minuta po kaloja në përfytyrimin tim aq sa mund të mbaja mend nga rinia e hershme e fakultetit.
Brazili është një vend i muzikës dhe dëfrimit: karnavalet, sambas dhe futbolli. Këto janë shpirti i vërtetë dhe personaliteti i brazilianëve, qofshin këta të bardhë, mulatë apo indianë. Nëse karnavalet e Rio de Zhaneros, të Salvador de Bahia apo të qytetit Recife që ndryshe quhet edhe “Venecia e Brazilit” tregojnë diversitetin kulturor të kombit, çdokush mund të admirojë “historinë” e shoqërisë braziliane e bazuar në strukturat koloniale: kishat dhe pallatet baronë. Të bën përshtypje shtrirja e gjerë e plantacioneve, barakat e mëdha ku përpunohen e mbahen produkte si lëkura, kafja, kallami i sheqerit si dhe prodhime të tjera bujqësore, shtëpitë “padronicon” ku jetojnë pronarët e plantacioneve si dhe senzalas ose siç quhen ndryshe barakat e skllevërve, në të cilat jetojnë edhe sot skllevërit e plantacioneve.
E megjithatë tani Brazili është një vend modern, industrial, por që akoma kërkon një zhvillim të fortë ekonomik. Është një vend i pushimeve dhe i banjave të diellit, në Rio dhe në Bahia, në plazhet e Natalit dhe Fortaleza, në zonat e Amazonës dhe të Pantanalit; një vend për tu eksploruar dhe për tu shijuar. Magjia e Brazilit quhet saudade, që do të thotë të të marrë malli. Ndërsa kujtoja ato çfarë mund të mbaja mend nga ajo pjesë e rinisë, të cilën njeriu e mban si kohën e artë të tij, papritur fjala SAUDADE më kishte pushtuar, por në një sens tjetër, jo në mallin për Brazilin. Saudade kishte marrë kuptimin tjetër-mall për ato që kisha lënë pas, atje në vendlindje. Ja që nganjëherë, kur ndodhesh tepër larg, mbi 10 mijë kilometra të merr malli e të rrok në mesin e tij, duke të tulatur në aventurat që ke menduar. Megjithatë avioni kishte prekur tokën e karnavaleve e po hynim në një prej aeroporteve më të mëdhenj të botës, atij të San Paulos.
Sao Paulo është kryeqyteti i shtetit me të njëjtin emër në Federatën e shteteve të Brazilit, i njohur për plantacionet e kafesë është një megapol industrial, lokomotiva e ekonomisë braziliane. Për të kuptuar më mirë pamjen e qytetit ai duhet parë nga një avion. Ka një popullsi mbi 10 milionë banorë. Aty zhvillohet 50% e industrisë së Brazilit. Edhe pse është kryeqyteti i biznesit, ai ka një jetë të pasur nate, ndonëse trafiku është i ngarkuar si ditën dhe natën. Krenaria e banorëve tregohet edhe në disa nga koleksionet e rëndësishme të artit Amerikës Latine të vendosur sipas mënyrës së tyre në Muzeun e Arteve. Aty vajzat bredhin rrugëve të pushtuara nga zjarri i moshës dhe nga avujt e birrës “Bavaria” e asaj vendase “Antarctida”. Aty duhet ti harrosh të gjitha, veç asaj se ke lindur edhe për tu dëfryer.
Udhëtojmë përsëri me avionin e linjës së brendshme për në vendin ku do të zhvillohej Kongresi, në Recife një qytet me 5 milionë banorë. Udhëtimi zgjat mbi 3 orë. Tani ngjitemi sipër, nga jugu i Brazilit drejt veriut të tij, ku plazhet e bukura dhe përrallore do të na mbanin mes tyre afër 9 ditë. Më në fund u strehuam në dy hotelet me pesë yje të këtij qyteti. Kolegët Ylli dhe Mandi në “Sheraton Recife Hotel” dhe unë në “Golden Beach Hotel”.
Gjunjët nuk i ndjenim nga dhimbja. Darkën nuk e hëngra, pasi as që e mendoja një gjë të tillë përpara lodhjes dhe njëkohësisht bukurisë që më shpalosej për para syve nga kati i 10-të i hotelit me 20 kate. Dallgët e oqeanit më sollën përkundjen e parë drejt gjumit të natës së parë në Brazil. Po flija mbi atë tokë që as e kisha menduar se mund ta shkelja, po flija pikërisht në vendin e legjendës së futbollit, të madhit Pele. E di që ma kishte zili gazetari Kokona dhe deputeti futbollist Kateshi, por kështu ishte ndarë kjo botë.
Flija dhe në ëndërr shikoja Remzi Lanin dhe Sokol Ballën, të cilët na gënjyen se do të vinin bashkë me grupin. Ndërkohë që unë isha i mbështjellë nga gjumi buzë oqeanit atje, në Tiranë, ishte paradite dhe me sa dukej “Fideli” ziente nga barcelatat e Adriatik Dostit apo thashethemet e Agim Xhafkës, i cili merret edhe me “Bar West” të Klanit që shitet me 2815 kopje, nga të cilat 1250 i blenë vetëm Bashkim Fino për t’ia dërguar firmës gjysmë private, asaj të “Glinës”.
Shoqëruesi William dhe mashtruesi Zhoze
Si kudo, në një vend të largët, përdoren udhërrëfyesit. Edhe organizatorët e Kongresit kishin marrë një të tillë me emrin William, një djalë i gjatë, simpatik dhe i paarritshëm në mënyrën e mashtrimit, përveç atij me emrin Zhoze, që do të trazonte humorin e disa delegatëve në fund të Kongresit. Por për Zhozenë do të flas pak më vonë, pasi i ngjan pikë për pikë (përveç ngjyrës së lëkurës) Aleksandër Frangajt, djalit plangprishës të “Koha Jonë”.
Le të rikthehemi tek shoqëruesi William. Ai gjatë gjithë ditëve fliste papushim, tamam Dosti ynë i Tiranës, por gjithsesi ishte me pak i këndshëm se Ben Blushi i kryeministrit. Por kureshtja na shtyn të pyesim për disa gjëra. Brazili ka me tepër sesa 150 milionë banorë, me një sipërfaqe prej 3.286.475 milje katrore (duke qenë shteti i pestë më i madh në botë për sa i përket territorit). Gradaçelat dhe zonat supermoderne janë të rrethuara nga “zona varfërie” që shtrihen në anët e kodrave, në rrethinat e qytetit dhe depërtojnë edhe në lagjet luksoze të qytetit. Kjo pra është pamja e Brazilit.
Kemi edhe një diversitet në termat natyrore: nga pyjet e shiut të Amazones në tokat e thata të Pantanalit dhe Rondonia, nga gjelbërimi i Mato Groso në zonat me bar dhe shkurre të Rio Grande do Sul; nga tokat e shkretëtirës të Goias në plantacionet e kallamit te sheqerit dhe ananasit në Ceara. Edhe qytetet janë të ndryshme, p. sh. Brasilia, kryeqyteti, një metropol super modern i konstruktuar Oscar Niemayer sipas urdhrave të presidentit të Brazilit, Juscelino Kubikschek që e caktoi atë kryeqytet të vendit në 1960; ndërsa San Paulo një megapol që është lokomotiva industriale dhe financiare. Kurse qyteti i Rio de Zhaneros, i ëmbël dhe sensual, i mbytur në gjelbërim dhe që shtrihet rreth gjirit të Guanabara më i këndshmi në botë, i vendosur midis maleve me shkëmbinj të zinj dhe pyjeve të gjelbër. Tamam siç na e kishte treguar gazetari Ilir Keko, i cili është ndër shqiptarët e vetëm që ka bujtur në hotelet e tij, sipër zërave që vinin nga katet e poshtme, ku gëlonin vajzat simpatike duke kërcyer të famshmen “SAMBA”.
Por nuk mund të rrish pa përmendur edhe qytetin Salvador Da Bahia, një qytet kolonial i thesareve të artit dhe arkitekturës, kryeqyteti i negerve i përshkruar aq me mjeshtri nga Jorge Amado, i cili ka qenë në gjendje të tregojë me mirë se kushdo tjetër “histori të reja dhe kontributin e pasardhësve të skllevërve afrikanë.
Por nëse e vëren më shumë vëmendje, Brazili është një “ndotje kulturore” ndërmjet portugezëve, indianëve, afrikanëve, emigrantëve të rinj nga Evropa dhe Japonia. Kjo nuk ua prish humorin brazilianëve: ata të gjithë kanë të njëjtin flamur, janë tifozë të skuadrës kombëtare të futbollit, kërcejnë samba dhe festojnë karnavalet.
Por ne jemi në Recife, ku edhe po zhvillohej Kongresi i Gazetarëve nga gjithë bota, të cilët zhurmshëm si bletët e një zgjoi që pret të lëshojë, i turreshin brigjeve të Oqeanit Atlantik. Pikërisht këtu në Recife, sot qytet me mbi 5 milionë banorë, kanë mbërritur dikur, thellë në shekuj, skllevërit e parë për të punuar ne plantacionet e sheqerit dhe krijuan “shoqërinë e plantacioneve”. Është një qytet i ashpër i vështirë për të jetuar ku edhe samba nuk ka ritmin e këndshëm të SAMBA-s në Rio de Zhanero. E megjithatë ne dimë ta shijojmë edhe atë tingull që sapo vinte nata përhapej në tërë qytetin. Nata rrokte brenda shpirtit të saj përplasjen e dallgëve të oqeanit, muzikën, kërcimin fantastik me emrin e njohur “SAMBA”, vajzat që hirshëm tundeshin para muzikës e nga vetë muzika.
Ishim zhytur brenda shpirtit brazilian. Paradite në Kongres, plazh në mesditë e pasdite dhe sapo dielli fluturonte për në anën tjetër të globit për në Tiranë, ne të tre, (Ylli, Mandi dhe unë) ishim atje tek shpirti i të rinjve që vetëm pinin birrë dhe kërcenin pa pushim. Ashtu të rrethuar mes tyre, mes haresë, kur na pyesnin se nga vinim mundoheshim tu tregonim për vendin. Albania për ata as që njihej. Ua shpjegonim, aq mund të shpjegosh duke kërcyer, por asgjë më shumë nuk mundëm të jepnim për vendin tonë. Të paktën e morën vesh se ndodhej diku mes Italisë dhe Greqisë! Festa e përnatshme fillonte nga ora 21.00 dhe mbaronte aty nga ora 01.00 (e natës). Vetëm të rinj nga mosha 14-25 vjeç. Vajza të bukura dhe djem aspak simpatik kishte kudo, pa hesap. Me humor njëri nga kolegët tha se në Tiranë Vera Grabockës apo Petri Bozos i duhen 6 muaj për të nxjerrë një miss, ndërsa në Brazil janë më shumicë, aq sa syri nuk di ku të zgjedhë, natyrisht për të kërcyer “SAMBA”. Vetëm me një birrë “Bavaria” dhe mund të zgjedhësh. Dhe jo si në Tiranë, kur një italian plak, i pasur, që shet lavatriçe, iu deshën dy javë për të bindur një miss tek restoranti “Gjeli i Zi”, pikërisht dy ditë përpara se unë do të nisesha për në Brazil. Dhe vetëm pasi i solli një lavatriçe. Ndërsa në Recife mjafton një birrë.
Megjithatë misset tona janë më kërkuese, pasi ku e ku janë një birrë me një lavatriçe! Siç thashë pak më sipër se Williami, shoqëruesi ynë ishte perfekt për nga mënyra e mashtrimit. Ai, secilit delegat, veç e veç i thoshte se “vetëm për ju po bëj një surprizë”. Edhe venezelianes së bukur e trupgjatë, aq e lakmuar nga të gjithë e aspak dorëlëshuar. Edhe vajzës bionde nga Sarajeva, e cila e ftoi Ylli Rakipin për vizitë, pa harruar edhe gazetaren e vogël nga Republika Domenikane, e cila e dehur nga vera e ftohtë që ia serveri grupi ynë dhe u hodh në pishinë, ashtu siç e kishte bërë e ëma. Të gjithave Williami iu thoshte “Only for you, No for another person”. Ishte pak më i talentuar se Sandri i “Klanit”, që herë turrej pas Berishës, herë pas Nanos. Sipas kohës që ishin në pushtet.
Kështu kaluam disa ditë në Kongres dhe në Recife, duke diskutuar në kongres, pa harruar edhe plazhin e sidomos netët braziliane me arrat e kokosit nëpër duar. Nga Tirana na vinin lajme për diskutimin e deputetit socialist Halil Lalaj kundër Nanos, ashtu si dhe për të “grupin Majko-Blushi-Meta” kundër Pëllumbit. Me aq sa mundja komunikoja me gazetën “Koha Jonë”, megjithëse isha 5 orë prapa në orë nga ajo e Tiranës. Kur ne ishim në festën e karnavaleve, gazetat në Tiranë ishin në tezgat e gazetashitësve. Ylli Rakipi, në një moment meditimi dhe reflektimi me thotë duke qeshur:-Edhe mund të jepja sot urdhra për gazetën “Koha Jonë”!- Ti?! Mos ke ngatërruar gjë “Albanian” me “KJ”- iu përgjigja, ashtu siç po rrinim një natë buzë oqeanit, duke pirë nga një gotë, ai ujë , ndërsa unë e Mandi verë brazilane.
-Eh, sa gjëra nuk di ti, i dashur koleg. Kot bërtet në parlament. Unë sot do të kisha 40 % të aksioneve të “Koha Jonë”, pra bashkëpronar me jue përfundoi Rakipi fjalën e tij, pakëz i penduar për këtë hapje “plagësh” të vjetra për mua. Megjithatë, poshtë syzeve të tij, vërejta një nënqeshje të lehtë. Kurioziteti nuk më la pa e ngacmuar deri në fund. Nga pak e nga pak, aq sa mund të flasë një njëri që di plot gjëra kundër teje, ai filloi me nota sinqeriteti:
-Ato ditë kur Aleksandër Frangaj të bllokoi gazetën me një shkresë drejtuar shtypshkronjës dhe ty të priste falimentimi apo bllokimi, quaje si të duash, Sandri, ortaku jot, me erdhi në zyrë dhe kërkoi 120 mijë dollarë për shitjen e 40 % të pronësisë së gazetës. Pra “Albania” do të bëhej ortak me “Koha Jonë”! -Në këtë moment Ylli heshti, por gjithsesi vazhdoi paksa me vonë duke lenë në merak edhe Armand Shkullakun për kulisat e vjetra që ishin bërë ndaj “KJ”.
-Por fatmirësisht ndërhyri Berisha, i cili me tha se vetëm këtë nuk duhet ta bëjmë, pasi të gjithë do të na sulmojnë. Edhe ajo shije qejfi e muzike samba që më kishte depërtuar brenda vetes mu zbeh, kur mora vesh prapaskenat nga miku që i kisha falur 40 % të pasurisë së gazetës vetëm e vetëm se një ditë hyri më një paketë cigare “DS” në vitin ’91 dhe punoi dy vjet pas meje, por në të vërtetë kundër meje. Tamam si braziliani Zhoze, i cili na mashtroi me 400 dollarë për të cilin do të flas pak më poshtë.
Nuk ke se si të flasësh për Brazilin e të mos tregosh diçka për Amazonën. E veçanta e këtij vendi të stërmadh është pikërisht kjo zonë, në të cilën gjenden të ngatërruara njëra me tjetrën: historia, natyra e mrekullueshme, fiset indiane, dëshira për qytetërim e pjesës ngjitur me indianët, ari, diamantet dhe konkurrenca kapitaliste.
Shtrati i lumit të Amazonës mbledh në vetvete prurjet e 1100 lumenjve dhe zë 2/5 e kontinentit të Amerikës së Jugut. Nuk mund të mos përmendësh se grykëderdhja përfshin 2.5 milionë metër katrorë. Ai ka një sipërfaqe më të madhe se sa Evropa Perëndimore. Lumi Solimoes, Amazona rrjedh nga Andet e shtetit të Perusë dhe derdhet në oqeanin Atlantik, duke përshkruar rreth 4000 milje nëpër natyrën e egër dhe të pashfrytëzuar, duke habitur, mrekulluar e frikësuar njëkohësisht çdo turist.
Por interesante për këtë zonë gjigante është ekzistenca akoma e fiseve indiane, të cilët përbejnë një numër pak më të madh se 100 mijë individë, e që jetojnë të shpërndarë (tamam si redaktorët e një reviste shqiptare) në 198 komunitete. Ata kanë mbetur prapa nga qytetërimi dhe janë goditur disi nga shfrytëzimi i burimeve natyrore të tokës si nxjerrja e diamanteve dhe arit. Njerëzit atje punojnë dhe jetojnë në një mjedis të ashpër e jomiqësor, që përbehet nga izolimi dhe distancat e mëdha, të cilat mund të përshkohen vetëm me anije lumi apo me avion, pasi ana e gjatë stinës së shirave nuk funksionon rrjeti rrugor.
Nuk ka vend për romantizëm të madh në Amazonë. Ajo i përket mitologjisë, legjendave, ndërsa në realitet kjo zonë u përket udhëtarëve që pëlqejnë të zbulojnë tokat e largëta e që të shumtën e herës lënë kockat pa iu ditur edhe varri. Në grykëderdhjen e Amazonës ndodhet edhe i shumëkërkuari Ishulli Marajo, një nga me të mëdhenjtë në botë me sipërfaqe 1900 m katrorë. Lumi nuk është vetëm për të lundruar. Nëpërmjet tij dikur vinin shumë materiale, të cilat përdoreshin për industrinë e re të gomës.
Por lufta për tregjet dhe konkurrenca, na tregon shoqëruesi William, sollën kolapsin. Britanikët e thyen monopolin brazilian duke shpërndare farëra dhe transplantuar kauçuk në Malajzi dhe Indonezi, ku toka ishte më e përshtatshme për bujqësinë dhe më produktive. Ky ishte fillimi i luftës për kauçukun që solli rënien e çmimeve dhe humbjen e pasurisë së madhe nga ana e “baronëve të kauçukut”. Amazona është kufiri me Brazilin modern. Nga këtu çdokush mund të nisë një “aventure udhëtimi” intriguese për të zbuluar “kontinentin e Brazilit”. Është një udhëtim nëpër shpirtat e gëzueshëm dhe të trishtuar të brazilianeve, të cilët edhe në çastet me të vështira të jetës nuk harrojnë vallen e bukur, samba.
Vendi i taksave të larta
Ndofta brazilianët, duke e ditur dëshirën e të huajve për të parë këtë vend ekzotik, janë treguar disi jo miqësor me taksat. Të marrësh një vizë braziliane duhet të paguash 100 dollarë, të shkelësh në tapetin e secilit aeroport internacional duhet të paguash 9 dollarë, të fluturosh nga njëri qytet në tjetrin, duhen edhe 7 dollarë të tjerë për çdo vizitor dhe kur kërkon të kthehesh për në vendin tënd të pret aventura fundit: duhet të paguash 38 dollarë për të dalë nga Brazili! Ndryshe mbetesh atje duke kërcyer samba, pirë lëng arre kokosi si dhe duke luajtur futboll buzë oqeanit, i ndriçuar nga një mori dritash, thuajse pa fund. Çdo njëri që ëndërronte të prekte tokën e të famshmit Pele duhej të pajisej më vizë të rregullt, edhe evropianët, paçka se brazilianët mund të hynin, fjala vjen, në Itali pa vizë. Me sa duket qeveritarët aktualë e ndjenin fuqinë e turizmit dhe pasurive si kafeja, kallami i sheqerit, arit, diamanteve, pyjeve, shpendëve të rrallë, etj.
Një dollar shkëmbehej në raportin 1 me 1 me monedhën vendase, paçka se mund të ndodhte që në “tregun e zi” raportet mund të shkonin 1 me 1.17 në favor të dollarit amerikan. Ndofta të nisur edhe nga ky treg i zi shumë gazetarë të Kongresit u munduan që të gjenin vendas, të cilët mund ti ndihmonin, ashtu siç gjetëm edhe ne të tre brazilianin e famshëm, mashtruesin me emrin Zhoze. Ai ishte i shkurtër, i zi sterrë, afërisht 30 vjeç sa një botues i një reviste shqiptare me emër klanesh. Zhoze dinte paksa italisht, gjermanisht, anglisht e spanjisht.
Qeveria braziliane e interesuar për thithjen e valutës së huaj dhe veçanërisht asaj amerikane nuk lejonte në asnjë aeroport që të blihej në “Duty Free Shop” me monedhën e vendit. Kështu valuta hynte dhe mbetej brenda mureve braziliane, çka kishte sjellë qytete gjigante si Brazilia (kryeqyteti), Rio de Zhanerio, San Paolo dhe Recife (qyteti turistik për plazhe). Norma mesatare e jetesës ishte 120 -130 dollarë në muaj. Pagat nuk ishin edhe aq të larta, sa edhe mund të kujtohej. Kontrastet ishin të skajshme. Në mes të qytetit gjigant dhe tipik perëndimor mund të gjeje lagje të tëra me kasolle si në mesjetë. Por vihej re një përulje e çuditshme ndaj të huajve e padronëve vendas. Ndofta kjo lidhej me pushtimin e tyre shekullor nga portugezët. Vetëm zona e qytetit të Recife kishte provuar edhe pushtimin holandez, ndërsa i gjithë Brazili kishte qenë koloni e Portugalisë dhe natyrisht gjuha zyrtare ishte ajo e shtetit portugez. Nga i gjithë kontinenti i Amerikës Latine ku flitej vetëm spanjisht, pasi kishte qenë “pronë” e Spanjës, vetëm atdheu i futbollistit Pele manifestonte kulturën e Lisbonës.
Gjithçka që vinte nga vendi që i kishte pushtuar e njëkohësisht civilizuar ishte mjaft shtrenjtë, ndërsa ajo që shkonte për atje tek “atdheu evropian” (siç e quanin Portugalinë) nisej me çmime qesharake. Ndofta ishte malli për “baballarët shekullorë”, pasi shumë prej banorëve vendas kishin gjak nga luftëtarët portugezë.
Atje i këndohej historisë së tyre të fiseve dhe Lisbonës. Me shumë vështirësi kishte hyrë vetëm kultura amerikane, e cila vitet e fundit ishte në ekspansion gjigant. Vetëm vallja samba nuk kishte degjeneruar në “samba amerikane”. Të tjerat ishin përzierje të kulturës portugeze me atë amerikane, e cila më parë kishte futur dollarin e më pas shpirtin e xhazit amerikan.
Oqeani Atlantik dhe biseda për Tiranën dhe Kosovën
Mbrëmjet buzë oqeanit ishin ekzotike. Me Yllin dhe Mandin, nga pishina e hotelit “Sheraton Recife Hotel”, e cila ishte 20 metra larg bregut ku putheshin ujërat e oqeanit (edhe çiftet e reja mulate) me tokën braziliane, ne tre shqiptarë, futëm temë të Kongresit Botëror të gazetarëve emrin Albania. Një gazetar kroat, i cili ishte shoqëruar nga Shkullaku në zgjedhjet e 29 qershorit ne zonën e Lezhës pyeti: “Si shkojnë punët në Shqipëri?“. -Disi mirë – iu përgjigj kolegu im. Pastaj biseda rrodhi drejt Kosovës, ndërsa kanali televiziv CNN jepte lajm të parë ose të dytë ngjarjet në kufirin shqiptaro-jugosllav.
Një bionde e vogël, me trup admirues për shumicën e brazilianëve e pse jo edhe të kongresistëve, na u ngjit grupit tonë nga Tirana. Ishte e shoqja e drejtorit të Agjencisë shtetërore të lajmeve të Bosnjës. Dinte gjithçka për Kosovën, por i frikej një lufte të re në Kosovë.
-Nuk do të jetë asgjë ajo që u bë në Bosnjë nëse fillon lufta në Kosovë, -thoshte ajo. Të jeni të bindur se Millosheviçi është një diktator pragmatist, por i pabesë. Atëherë kur ju të mendoni se gjithçka është në favorin kosovar, atëherë do të ngrihet muri i të vrarëve dhe lumi i gjakut. Millosheviçi është përfaqësues tipik i nacionalizmit të egër serb. Biseda e ndërprerë nga shoqëruesi William, i cili na thërriste për tek autobusët që do të na çonin te karnavalet, rifillonte papritur buzë një kioske e mbuluar nga avujt e birrës “Bavaria”.
Gazetarët italianë ishin me spektikë për influencën italiane në favor të çështjes kosovare. Politika italiane ishte e influencuar nga biznesi i fuqishëm i disa kompanive, të cilat kishin interesa në Serbi. Aq më tepër që Italia po bënte bisedime me Serbinë për privatizimin e “Telekomit Serb” në disa dhjetëra milionë dollarë. Pra biznesi financiar nuk përfillte viktimat kosovare. Vetëm administrata amerikane me Klintonin mbeteshin më të besuarit e zgjidhjes kosovare. Ky ishte edhe mendimi i gazetarëve të tjerë delegatë në Kongresin botëror. Pasdite në Brazil, asokohe kur në Tiranë përpiloheshin titujt e gazetave nëpër redaksi, shijonim edhe banjën e diellit në pishinën ngjitur bregut të oqeanit Atlantik, të cilin vetëm emrin i kishim mësuar kur ishim gjimnazistë. Ashtu të shtrirë, nën rrezet e diellit (ishim disa gradë poshtë tropikut) vjeshtor, fantazonim se çfarë po bëhej edhe në Tiranë. Saktësisht stina e vjeshtës po i linte vendin dimrit, por temperatura ishte gjithnjë mbi 35 gradë. Edhe nëse binte ndonjë ditë shi, një orë punë kishte dhe pastaj rrezet e diellit thërrisnin delegatët për pak shoqëri.
Siç kisha mësuar nga telefoni, në Tiranë ishte krijuar grupi gjoja “progresist” me treshen Majko-Blushi-Meta. Por me sa dukej ishte trillim gazetash ose matje pulsi e opinionit publik dhe veçanërisht të PS-së nga ana e Nanos, duke shfrytëzuar mjeshtërisht diabolizmin e Ben Blushit, i etur për aventura, ashtu siç bëri një vit më parë, duke krijuar një gazetë të re me emrin “Indipendent” dhe që u shua pas pak muajsh, duke i lenë bashkëkolegët në rrugë të madhe, të papunë. Megjithatë, mendoja atje në Recife, se Blushi është finok i madh dhe i pashoq. Sikur PS-ja të kishte edhe dy të tillë, atëherë Nano asfiksohej dhe kryetar bëheshin tre Blushët.
Aventura e fundit para nisjes
Disa ditë, si pa e kuptuar, na u ofrua një brazilian me emrin Zhoze, që u ngjitej turistëve. Me një shishe uji të ftohtë, ai u fut mes nesh dhe papritur u bë mik i treshes nga Tirana: Rakipi, Shkullaku, Lesi. Korrekt ditët e para, aq sa thonim, të ishin të gjithë brazilianët kështu bota mund të shkonte edhe 30 vjet më përpara. Natyrisht që shumica e gazetarëve shqiptarë nuk i tregojnë aventurat që u ndodhin për të mos u bërë objekt humori. Por, meqenëse, në një formë apo tjetër kjo gjë do të arrijë deri ne veshët e gazetarëve në Tiranë po e tregojmë. Kështu që edhe Dosti nuk mund ti shtojë edhe aq shumë trillim aventurës sonë të përbashkët. Nejse. Ai na shërbente, ai në sillte arra kokosi, ai na tregoi se përse rrinim 50 metra nga bregu anijet, kur njerëzit bënin plazh. Ishte rregull, pasi kudo mbizotëronte frika e peshkaqenëve, të cilët shfaqeshin papritmas me gojën hapur në pritje të gjuetisë së tyre. Natyrisht që nuk është e këndshme të provosh stomakun e një peshkaqeni! Nga bregu në një distancë afërsisht 30 metra kishte gurë, në mënyrë që njerëzit të mos e kalonin “vijën e rrezikshme” nga ku mund të mbinin peshkaqenët. Kështu të laheshe në oqean ishte jo vetëm e këndshme, por edhe e rrezikshme.
Megjithatë kurizioteti i njeriut shtrihet pikërisht atje ku është rreziku. Edhe ne iu ruajtëm këtij rregulli ujor, por u bëmë viktima të “peshkaqenit” me emrin Zhoze, që rrinte në breg. Ashtu dikur me ishte ofruar një “peshkaqen” i vogël, 45 kilësh, por me vonë përlau 220 mijë dollarë, (i donte dollarë dhe jo monedhë vendi, si në Brazil) nga 120 mijë që i kishte kërkuar Ylli Rakipit. Pra, një ditë Zhozeja mori 200 dollarë nga unë, nga 100 dollarë Mandit dhe Yllit. Do ti konvertonte në monedhën vendase, por u tret në heshtje gjatë gjithë ditëve. U kujtua, më shumë mirësjellje të merrte në telefon Mandin një ditë para nisjes sonë për në Romë. Pasi ishte treguar shumë mirënjohës për dollarët, i përmalluar foli: -Ju respektoj shumë. Jeni të mirë e dua t’ju përcjell në aeroport, por fatkeqësisht tani nuk kam kohë. Kur të vini herën tjetër do t’ju pres në Recife. Të fala nga Tirana! (ishte i vetmi që e mësoi emrin e kryeqytetit tonë).
Pas 10 ditësh morëm rrugën e kthimit, të mrekulluar nga Brazili, nga aventurat e të përmalluar me “sinqeritetin” e telefonatës së Zhozesë, me të cilin dolëm edhe në fotografi. Paguam edhe 38 dollarë për tu larguar nga Brazili e pas 10 mijë kilometrave do të preknim Rinasin, ku rruga do të na çonte te “Zhozeja i Tiranës”.
Recife, Brazil, me 8-9 maj 1998