Robert Goro: Mbresa nga koncerti që organizoi gazeta “Koha Jonë” në Athinë për emigrantët

(Botuar me 31 Maj 1998 në KOHA JONE)

Nga Robert Goro-

Që “Koha Jonë” është gazeta më e lexuar nga emigrantët shqiptarë në Greqi, kjo nuk përbën ndonjë zbulim dhe mund ta konstatojë kushdo që vjen në Athinë, unë për vete e kam konstatuar në kufi me Turqinë, apo në fshatin më të fundit të ishullit të Kretës, ku gazetën e gjeje në kioskat e shitjes së shtypit vendas e të huaj. Kështu që, çfarë është më e natyrshme se emigrantët t’i përgjigjen ftesës së “Koha Jonë”, për koncertin e 23 majit? Është një praktikë mjaft e përhapur tashmë që gazeta, radio apo televizione të organizojnë veprimtari artistike për publikun e tyre, për lexuesit, drejtuesit e shikuesit.

Me shqiptarët në Greqi këtë e bëri “Koha Jonë” dhe, pavarësisht se financierët e kompanisë mund të kenë mbetur të pakënaqur nga të ardhurat që u arkëtuan, mendoj se në këtë rast nuk ka fort rëndësi ana ekonomike.

Për herë të dytë brenda këtij viti, gazeta ka arritur të mbledhë si askund tjetër kaq shumë shqiptarë, të cilët kanë përjetuar një ekstazë të vërtetë për disa orë. Sepse vërtet janë larg atdheut, mirëpo kanë nevojë për Shqipërinë dhe këtë nuk mund t’ua përmbushë asgjë më mirë se sa arti. Pas dështimit, jo për faj të KJ, të koncertit të 12 prillit, organizatorët qenë përpjekur që pesë javë më vonë të sillnin përsëri “ajkën” në skenën e pallatit të sportit të AEK-ut. Dhe mendoj se më shumë se vetë spektatorët, ata që u emocionuan në kulm ishin vetë artistët, të cilët dhe e shprehën pas përfundimit të shfaqjes:

Afrim Agalliu – E veçanta e kësaj shfaqje ishte pjesëmarrja e madhe, gjithë ata të rinj që kishin ardhur dhe ai entuziazmi i paparë ndonjëherë tjetër. Në shfaqjet që bëjmë në sallat tona në Shqipëri, nuk mund kurrsesi të mendohet që të ngrihet gjithë ai spektator dhe të këndojë e të kërcejë bashkë me ne. Më emocionuan shumë spektatorët.

Françesk Radi- “Ne erdhëm në Athinë për të dhënë një koncert, por këtu ishte si të jepje njëkohësisht koncert në Tiranë, Vlorë, Gjirokastër, Tropojë, në Kukës. Sepse këtu ishte e gjithë Shqipëria”.

Gjithë ata çuna e goca të reja, me trupat e tyre të bukur që gjarpëronin në erë, nën ritmin e këngëve, me siguri nuk do të lenë rast tash e tutje pa ndjekur muzikën e vendit të tyre, prej nga shumica u larguan fëmijë. Pjesa më e madhe e suksesit të koncertit u dedikohet pikërisht atyre, por me ata, gjithashtu, lidhet edhe vlera më e madhe e këtij aktiviteti. Sepse atdheu është diçka që nuk imponohet, është diçka që e mbart me vete që kur lind dhe të thërret orë e çast nga thellësitë e shpirtit.

Në shkallët e stadiumit nuk kishte vetëm shqiptarë, kishte dhe grekë. Fotoreporteri i njohur Nikos Ikonomopullos, nuk reshtte së shkrepuri aparatin e tij, ashtu si dhe kolegë të tjerë dhe në përfundim të shfaqjes nuk mund të përmbante edhe ai emocionet, aq më tepër që Shqipëria dhe shqiptarët janë shumë të njohur, gati të afërt për të, teksa e ka vizituar dhjetëra herë dhe para dy muajsh përgatiti një fotoreportazh mjaft impresionues për gjakmarrjen. Mes spektatorëve ishte edhe atasheu i shtypit i ambasadës greke, Nikos Vllahakis, i cili dha ndihmesën e vet për realizimin e koncertit. Pranë tij, e bija, vogëlushja Emanuela, që ndonëse nuk kuptonte, e ndiqte spektaklin si e përpirë nga magjia e tingujve.

“Ishte një iniciativë shumë e mirë, do të thoshte pas shfaqjes Nikos VIlahakis. Fakti se shfaqja u organizua nga një gazetë shqiptare dëshmon për rolin që mund të luajë shtypi, nga njëra anë për të shpërbërë disa stereotipa dhe nga ana tjetër për nxitjen e shkëmbimeve kulturore ndërmjet dy popujve tanë. Ishte një eveniment i gëzueshëm, ku emigrantëve shqiptarë në Greqi iu dha rasti të shijojnë vlerat kulturore të atdheut të tyre, dhe njëkohësisht ishte dhe një pushim në betejën që këta njerëz japin përditë për mbijetesën e tyre në Athinë. Shteti grek i përshëndet iniciativa të tilla, pse ndihmojnë në forcimin e marrëdhënieve mes Greqisë e Shqipërisë, në të gjithë nivelet, ndërsa ambasada greke në Tiranë, ashtu si dhe në koncertin në fjalë, do të japë gjithmonë kontributin e vet, për vënien në jetë të ideve të tilla, të cilat e përsëris, ndihmojnë zgjerimin e shkëmbimeve kulturore dhe zhvillimin e mëtejshëm të marrëdhënieve dypalëshe”.

Me të njëjtat përshtypje, pak a shumë, u largua nga shfaqja edhe atasheu ushtarak grek në Tiranë, Aleksandros Ksiros, ndërkohë që ministri i shtypit, Dimitris Repas, aq edhe ai i Kulturës, Evangelos Venizellos, nuk mundën ta ndiqnin shfaqjen, sikundër kishin konfirmuar për spektaklin e 12 prillit (që nuk u realizua dot), pasi programi i tyre qeveritar i ngarkonte me detyrime të tjera, jashtë Athinës.

Koncerti dhe spektatorët – emigrantë impresionuan edhe të dërguarën e gazetës më të madhe greke “Elefterotipia” në stadiumin e AEK-ut. Gazetarja Georgia Dama, shkroi të hënën, më 25 maj në një faqe të tërë të gazetës:

Bukuria shqiptare

Momente kulminante u përjetuan në koncertin e parë të artistëve shqiptarë që organizoi gazeta “Koha Jonë” në stadiumin e AEK-ut me spektatorë emigrantë shqiptarë. Momente kulminante që burojnë në pjesëmarrjen dhe në emocionet që u shkaktuan.

Një masë e madhe njerëzore mbështillte hyrjen e stadiumit. Një burrë i moshuar, kur vjen radha e tij pyet se sa bën bileta. I thonë, 4.000. Ul kokën dhe largohet i pezmatuar, megjithatë u prenë shumë bileta. “Dashuria për atdheun kushton shtrenjtë” na thonë emigrantët. E hedhim vështrimin në një stendë me libra shqip. Veprat e Ismail Kadaresë tërheqin më shumë vëmendjen e blerësve. Fytyra me makijazh të theksuar, minifunde provokuese, bluxhinse, mbushin shkallët e stadiumit. Shumica janë familje dhe çifte të rinj. Është e qartë se janë lexues të “Koha Jonë”.

“Është rasti i vetëm që të dëgjojmë muzikën tonë”, thotë Elena nga Gjirokastra.

Në skenë del prezantuesja, e veshur me një blu të shndritshme. Pas saj, parodistët e Vlorës. Historia e një emigranti, që ndërroi emrin dhe u bë Manolis Papathanasis, përcillet nga aktori Mane Lumani. Rrugës për në kufi e kafshoi një gjarpër. Duke ngritur një gur për ta vrarë, mendoi: “Më mirë të më hajë gjarpri, se sa të më zhveshë ushtari në kufi”, më përkthejnë. Është e pikëlluar kënga e emigrantit që vjen më pas.

“Ju punoni për të jetuar, po kurrë mos harroni nënën Shqipëri”, fjalët e prezantuesit Kastriot Çaushi, i pasojnë ovacionet e stuhishme. “Ne e duam shumë Shqipërinë” kjo është përgjigja e shkruar në një banderolë të madhe që mbajnë emigrantët. Brenda një reje të bardhë shfaqet një këngëtare bionde, mjaft seksi. Dëgjojmë muzikën moderne shqiptare që nuk ka pse t’i ketë zili muzikës greke. Ritme evropiane të lidhura me një çiftatel të ngadaltë. Duke iu afruar shkallëve, mijëra duar iu zgjatën për ta takuar. I hedhin një trëndafil të kuq bashkë me lot dhe duartrokitje të nxehta. Janë ngritur në këmbë, varen nëpër hekurat ndarës, duartrokasin edhe policët. Disa djelmosha kanë hequr këmishat dhe bluzat e i shpalosin në erë. Stadiumi ndriçohet nga çakmakët e ndezur, Redon Makashi me pantallona të zeza lëkure, vendos të ngjitet mes spektatorëve. Shkallët shndërrohen në një përqafim gjigant. E mbështjellin me një flamur të madh kuq e zi. “Është një popull krenar dhe pasionant”.

“Enver Hoxha, që të mundej të na nënshtronte, na mbylli çdo dritare komunikimi”, thotë Gazmend Kapllani, kryetar i Forumit të emigrantëve shqiptarë. Këndojnë dhe kërcejnë ritme të njohura për ne. Këngëtari u hedh spektatorëve një lule margarite dhe shkallët shndërrohen në fushë lufte. Po kështu edhe aty ku drejtohet kamera e Televizionit Shqiptar. Mirëpo me të njëjtin emocion u shprehën edhe kur një këngëtare shqiptare këndoi këngën greke: “Të dua fort dhe të betohem”.

Reportazhi që unë bëra në BBC për koncertin ishte nga më të lehtit. Sepse nuk ishte nevoja të lodhej gazetari për të gjetur fjalët. Flisnin vetë emigrantët, e gjithë atmosfera ishte e tillë që frymëzonte këdo. Shpëtim Baxhai nga Tirana, kishte ardhur në koncert familjarisht, edhe me dy fëmijët e vegjël, që ndonëse kanë ardhur në Greqi 2-3-vjeçarë “të thajnë” në shqip. “Nuk mund të mos vinim, thotë Shpëtimi, e kemi ndjekur gjithmonë muzikën tonë dhe këtu na mungon”.

“Sot ndihem shumë e lumtur, plotëson gruaja e tij, sikur e kam Shqipërinë këtu afër” dhe shton: “I falënderojmë të gjithë, artistët dhe organizatorët, do të donim përsëri shfaqje të tilla”.

“Do të donim përsëri shfaqje të tilla”. Kjo është një dëshirë e të gjithë emigrantëve, jo vetëm në Athinë. Prandaj dhe, kur në përfundim të koncertit, botuesi Nikoll Lesi u ngjit në skenë dhe tha vetëm pak fjalë: “Ju falënderojmë të gjithëve! Kompania “Koha Jonë” ju premton se do të jetë pranë jush me koncerte të tilla çdo dy muaj”, i tërë stadiumi shpërtheu në duartrokitje dhe ovacione. Dhe dy muaj kalojnë shumë shpejt. /ROBERT GORO, ATHINË/

 

SHKARKO APP