Rudina Xhunga: Jozefina Topalli/E bukura dhe Parlamenti…!
(Botuar me 22 Maj 1998 në KOHA JONE)
Nga Rudina Xhunga-
Shumëkush thotë se Jozefina Topalli është grua e bukur. Ajo është tejet modeste për ta pranuar. “Kështu kam qenë gjithmonë. E ndrojtur, gati turpanjose, askurrë mikeshë me pasqyrën, aq më pak me trillet, lajkat, lojnat femërore, të cilat asnjëherë nuk m’u bënë të miat. Kurrë ndonjëherë koketë”. E megjithatë, flokët e zinj shpërndarë në supe, sytë që thonë, sa dhe fshehin, buzagazi shkëlqyes, e ndihmojnë jo pak për të bërë politikanen. “Vetëm në momentin e parë, pastaj më duhet ta justifikoj.”
Zonja Topalli të krijon idenë e gruas, që në moshën 34-vjeçare, (nuk duket megjithatë), bën një jetë interesante, plot arsye për të qenë e kënaqur nga vetja. Ka vite që s’derdh lot dhe vetëm dje, ndërsa kujtonte kohën kur qante, ndezi një cigare. Si për shoqërim mendimesh, i erdhën ndërmend problemet me biografinë. Koha kur dy xhaxhallarët e saj, ish-studentë jashtë shtetit, të dënuar me pushkatim nga regjimi i Hoxhës, sollën në jetën e 18-vjeçares shkodrane telashe që s’kishin të sosur. Me të mbaruar gjimnazin, si vajzë e një familjeje të persekutuar, i prenë në mes ëndrrën për të vazhduar studimet e larta. Për dy vjet askush nuk i ofronte punë, derisa vështirësitë dhe varfëria e një familjeje, e gjitha pa punë, e detyruan të bënte bujkeshën në fshatin Dobraç. “Ato fusha, në të cilat punoja i kam larë me lot. Isha vetëm 20 vjeç dhe doja me çdo kusht të studioja.
Megjithatë mbillja e korrja në mes të vapës bashkë me ato gra kokëmbuluara nga shamitë, të vrara nga jeta që dukeshin plaka, siç nuk qenë. Nuk do t’i harroj kurrë, sepse më rrethuan me dashuri dhe përkujdesje nënash e motrash”. Megjithatë, këmbëngulshëm, çdo maj, për 6 vjet rresht, dorëzonte dëftesën e saj gjithë 10-ta dhe bënte kërkesë për shkollën e lartë. Mandej shkonte të shikonte listat me shpresën se diçka mund të kishte ndodhur dhe emri i saj do kishte dalë. Por jo, asnjëherë nuk ndodhi çudia. “Nuk mërzitesha, provoja sërish. Mbaja lotët dhe shkoja në Komitet të Partisë. Kujtoj ata instruktorët e komitetit, të cilët lexonin certifikatat e olimpiadave të matematikës, ku kisha fituar 4 herë çmim të parë. Ata më vështronin me aq shumë keqardhje, sa unë jo vetëm nuk i merrja inat, por gati më vinte keq për ta. Ishin të pafuqishëm. Persekutimi ishte ideologji e ngritur në sistem dhe askush nuk mund t’i dilte kundër, duke më ndihmuar mua”.
Persekutimi i fuste duart e frikshme deri në ndjenjë. Ndërsa shoqet e saj ëndërronin pas mbrëmjeve princin e kaltër, të cilit i vishnin gjithë cilësitë e filmave të realizmit socialist, Jozefina e dinte mirë se duhej të gjente “një princ të persekutuar”.“As që mund ta mendoja se mund të dashuroja dikë që ishte normal, pra i padeklasuar. Ky ishte kufiri që mua më kishin vendosur, sikundër unë i kisha vënë ndjenjës sime. Që të ndihesha mirë, duhej të zgjidhja një njeri si vetja.” Dhe s’kish si ndodhte ndryshe, kur, ndërsa kalonte rrugicave të Shkodrës, bashkëmoshatarët e saj, që netëve e ëndërronin ta kishin, i binin me bërryl njëri-tjetrit: “E mirë, por e deklasume, e shkreta”.
Mami pse nuk rri në shtëpi?
Më 10 korrik ’89, zonjusha Çoba u bë zonja Topalli. “Më kujtohet që ishte dita e festës së Ushtrisë”. U vesh me të bardha dhe ftoi gjithë miqtë e saj në vite, të cilët e deshën, edhe kur ajo u përjashtua nga të drejtat që ata i gëzonin. “Im shoq kishte të njëjtat probleme biografie”. Dashuri? Ajo hesht një grimë, mandej përgjigjet: “Sigurisht, ai ishte këmbëngulës”.
Pas martesës erdhi dhe fati. Nisi studimet për matematikë në ’89, pasi fitoi të drejtën e shkollës me korrespondencë, ndërsa në vitin e dytë vazhdoi ditën. Menjëherë pas matematikës, vazhdoi juridikun të cilin e mbaroi më ’96, gjithmonë me rezultate të shkëlqyera. “Mësoja edhe për inat, edhe me dëshirë, edhe me dhimbje që kisha djegur gjithë etapat e më duhej ta nisja nga e para”.
Ndërkaq kishte lindur fëmijën e parë, Megin, mandej djalin Genar, të cilët i krijonin jo pak preokupime. Ajo i dedikon shumëçka bashkëshortit të saj, i cili edhe pse punonte, ishte mbështetja kryesore, që ajo të mbaronte shkollën. “Çdo burrë dëshiron ta shohë sa më mirë gruan e vet, por sidomos im shoq, pse donte që unë të realizoja, atë çka atij dhe mua më kishte munguar”. Një tjetër njeri, ndaj të cilit zonja Topalli ndjen shumë detyrime, është vjehrra. “Po të mos ishte ajo, që është kujdesur për shumëçka në familje, unë nuk do mbaroja dot shkollën, e as që do bëhej fjalë për t’u futur në politikë”. Ndërsa dy fëmijët e saj, 9 dhe 3 vjeç janë dy krijesat më të dashura, për të, të cilët çdo ditë e prekin, ndërsa i pëshpëritin: “Mami, pse nuk rri më shumë në shtëpi.” Kjo është arsyeja që do ta detyrojë “mamin” të shpërngulet nga qyteti i saj dhe t’i japë fund udhëtimeve të përditshme nga Shkodra, për të marrë një apartament në Tiranë.
Politika, rastësi apo trashëgimi
“Hyra në politikë për të shlyer një borxh ndaj Partisë Demokratike, pasi ndryshimet e ’90 bënë që të ndryshonte kryekëput jeta ime dhe e familjes sime”. Konceptin e borxhit ndaj PD-së, zonja Topalli, nuk pranon ta shpjegojë si emocion, por si detyrim moral. Nga ’90 në ’96 nuk kishte pasur të bënte me politikën, madje ndërsa bënte kancelaren në universitetin e Shkodrës, as që i shkonte ndërmend, që dikujt do t’i shkonte mendja tek ajo. Ishte koha kur PD, nën fasadën e gruas së integruar në politikë, zgjodhi si të përshtatshme kandidaturën e Jozefina Topallit.
Dobraçi, ku dikur vajzë kishte punuar në fushë, përfshihej në zonën elektorale dhe megjithëse banorët ishin socialistë, ia dhanë votën vajzës me gjithë dashurinë dhe dhimbjen që dikur provonin për të. Në takimin e parë elektoral, mes njerëzish që e njihnin, ajo shkoi më e skuqur dhe e ndrojtur se kurrë. “Ajo ç’më ka mbetur peng është pse nuk bëra ato që do dëshiroja, për ata njerëz të mirë, që edhe sot vijnë e më takojnë”. Koha ishte shumë e shkurtër dhe shpejt u bënë zgjedhjet e tjera, në të cilat ajo kandidoi sërish, por në një zonë tjetër.
Megjithatë futja e saj në politikë nuk është vetëm rastësi, sa ç’mund të jetë destin familjar, trashëgimi. “Në familjen e babait janë marrë të gjithë me politikë. Gjyshi ka qenë anëtar i Këshillit të Lartë të Shtetit, në vitet ’22, ’23. Lexoj në librat e bisedimeve të Këshillit Kombëtar dhe ndihem krenare, kur gjej fjalimet e gjyshit”. E s’përbën dyshim që, nëse rritesh mes një ambienti familjar, ku flitet për politikë, apo dhe vuan nga politika, është normalitet të gjendesh i mësuar me ajrin e saj. Ndoshta kjo ishte arsyeja që deputetja shkodrane futi këmbët pa komplekse në sallën gjithë drita të parlamentit shqiptar, ku shpejt e zgjodhën Kryetare të Komisionit të Ligjeve.
Profesor Gjinushi, ju kujtohem?
Sërish deputete e PD-së në parlamentin e ’97. Nuk e shleu dot borxhin e dikurshëm? Sërish sentimentalizëm, apo ka lindur tashmë dëshira për protagonizëm? “Për PD-në nisën vështirësitë dhe më dukej e pandershme ta braktisja”. Të duket si një grua, që nis padashur një histori dashurie, me të cilën përshtatet edhe pa ndjerë. Pak nga pak përgatit largimin, por befas vendos të mos e braktisë, pikërisht pse njeriu afër saj gjendet mes vështirësish. Dashuri për keqardhje, apo keqardhje nga dashuria? Sidoqoftë, zonja Topalli thotë sërish po, kur i kërkuan të kandidonte për PD-në, madje nuk refuzoi edhe kur e propozuan nënkryetare të parlamentit.
“Nuk më pëlqente të rivalizoja me Arbnorin, njeriun që ka kaluar vite burgu me axhat e mi, për të cilin unë kam shumë respekt. Për më tepër e mësova propozimin tim nga gazetat dhe nuk më erdhi shumë mirë që s’më pyetën më parë”. Ditën e parë kur nënkryetarja u prezantua në Kryesinë e Parlamentit, iu drejtua me “profesor” Gjinushit, njeriut që e mbante mend me dashuri, qëkur ishte 18 vjeç dhe shkëlqente në olimpiadat e matematikës. Dikur nxënëse, tanimë një karrige larg tij, ajo megjithë respektin që ushqen, nuk ngurron të ndërhyjë, nëse i duket se diçka nuk shkon. Madje, kur Gjinushi i kërkoi Berishës të ndërpriste fjalën, sepse kishte kaluar minutazhin, ajo iu drejtua se nuk kishte lexuar ndonjë nen në rregulloren e Parlamentit, që ta ndalonte, duke ndihmuar kryetarin e partisë së saj.”Respektova ligjin”.
Jozefina Topalli nuk ndihet e shënjuar nga sulmet e pozitës, as të shtypit. “Ndoshta, jo pse jam femër, por pse nuk shfaq emocione, qoftë pozitive, qoftë negative në fjalët dhe veprimet e mia”. Ajo mendon se politika shqiptare vuan mungesën e emancipimit dhe kjo vërehet pikërisht në faktin se ajo ka më shumë se logjikë, dominim emocioni. Për zonjën Topalli kundërshtarët politikë nuk janë armiq, andaj marrëdhëniet mes tyre duhet të jenë sa më njerëzore. Është shumë e rëndësishme të dialogohet sepse armiqësia mes nesh, sjell armiqësinë mes popullit të ndarë në fansa. Një ditë para se të nisesha në Vlorë, vajza ime kishte lexuar në teleteks se demokratët nuk mund të hynin në Vlorë dhe më lutej të mos shkoja se mund të më ndodhte gjë”. Për të është normale që demokratët hynë në Vlorë, apo socialistët hynë në Shkodër, sepse s’mund të ketë kufij brenda shtetit, apo brenda vetes. Ky është emancipimi i politikës, e cila e vuan mungesën e tolerancës, komunikimit, etj, veti, që zakonisht i kanë gratë. “Politikës i mungojnë gratë, të cilat ushqejnë dashurinë, edhe aty ku urrejtja ka zënë rrënjë”. E megjithëse është pro ekzistencës së shumë femrave në politikë, zonja Topalli, tani mendon se do të qëndrojë në politikë derisa PD të jetë në opozitë. Pastaj do largohet për t’iu kushtuar, ndoshta një ëndrre të fshehtë, diplomacisë. Megjithatë ajo tund kokën në shenjë mohimi, kur e pyet nëse do të jetë një ditë e para ministre e Jashtme.
Preferencat; Berisha energjik, Nano politikan
Nuk di të përgjigjet, kur e pyet nëse është një ndër njerëzit e preferuar nga Berisha. “Atë e di ai”. Ndërsa për pse-në e pëlqesës për kryetarin e partisë së saj, thotë: “Është shumë shqiptar. Është energjik.” Po Genc Pollo? “Politikan perëndimor. Këta 7 vjet në politikë, së fundi edhe në plan të parë, e kanë bërë një figurë shumë të njohur, madje edhe jashtë”. Nga figurat e pozitës aktuale preferon Ilir Metën. “I ri, i moderuar”. Ndërsa kryeministri i pëlqen si personazh, për faktin se është i vetëpërmbajtur. “Kur dëshiron di të jetë i padepërtueshëm dhe vështirë të kuptosh çfarë mendon. Nuk e shpreh inatin, as zemëratën e momentit, sepse është i ftohtë, pa emocion”. Nënkryetarja e parlamentit kujton një seancë, kur Fino u sulmua nga opozita dhe nisi të reagojë keq, ndërsa Nano, i tërhoqi krahun, duke i thënë,“Ç’ke? Më shanë dhe mua, por s’fola”! Për deputeten demokrate, Nano është politikan, por ai dhe qeveria që drejton, ndonëse kanë pasur shansin të fitonin politikisht dhe qeverisnin gjatë, për fat të keq nuk do munden. “Nuk kanë mbështetje nga jashtë dhe brenda”.
/RUDINA XHUNGA/