Rudina Xhunga: Kërcënimi serb dhe fantazma UÇK
(Botuar me 28 Prill 1998 në KOHA JONE)
Nga Rudina Xhunga
Rrugës Tiranë-Kukës, më tepër se lëvizje makinash të zakonshme, të qëllon të ndeshësh makinat e Kryqit të Kuq, që çojnë ndihma ushqimore dhe batanije për refugjatët aktualë, apo kontingjentin e pritshëm. Shikon gjithashtu edhe IFA ushtarake të mbuluara, të cilat kanë për destinacion kufirin. Nuk mungon as makina e këshilltarit ushtarak amerikan, apo makinat e OSBE-së, si dhe taksitë që çojnë në zonën e nxehtë, gazetarë të huaj e shqiptarë.
Në Kukës, ku jeta vijon në normalitetin e saj të ngahershëm, kupton se banorët, vetëm në orën 15.00 të çdo dite, mësojnë nga gazetat, për ç’ndodh në pikat kufitare që i ndan nga Serbia. Megjithatë ata duken dyshimtarë ndaj gjendjes që paraqet shtypi, madje lufta në prag, u duket përrallë dhe sulmet serbe, pamundësi. Të vetmin shqetësim e kanë tregtarët, të cilëve u janë reduktuar tanimë mundësitë për të bërë shkëmbimet e zakonta të mallrave me njerëzit përtej kufirit. Edhe në Krumë, qytezën gati 2 orë larg Kukësit, banorët as që flasin për luftën, por vetëm komentojnë me zili mundësinë që kanë për t’u pasuruar njerëzit pranë pikave kufitare, të cilët i janë kushtuar së fundi trafikut të armëve.
Ndërkaq, për kosovarët, atje duket se flitet me një ndjenjë keqardhjeje, por kjo s’duket aq e mjaftueshme, sa ta dëshirojnë ardhjen e tyre në masë. Madje ata nuk mungojnë të shprehin edhe dyshimin ndaj refugjatëve të parë. Sa për UÇK-në, fantazma e saj është kthyer në burim mashtrimi për zonën, pasi nuk mungojnë njerëzit që të bindin se janë luftëtarë të saj dhe për një shumë të hollash, të premtojnë takimin me “shokët” e tyre në malet matanë kufirit…
Në pikëkalimin kufitar të Morinës
Pikëkalimi kufitar Morinë gjendet rreth një orë larg Kukësit. Një vijë e kuqe dikur, tani pa ngjyrë, ndan kufirin shtetëror shqiptar, prej atij jugosllav. Dikur ajo pikë kalohej nga shqiptarë e jugosllavë që merreshin me tregti. Tashmë, prej pothuaj 2 muaj e gjysmë, s’kalojnë fare kosovarë, aq më pak jugosllavë, ndërsa janë rralluar gjithashtu kalimi i kuksianëve që shkojnë në anën tjetër të kufirit për tregti. Ylber Dyraku shef i komisariatit Kukës, tregon për “Koha Jonë”, se në këtë pikëkalimi nuk ka pasur asnjë incident krijuar nga pala serbe, megjithatë nga ana shqiptare janë marrë gjithë masat për gjithfarë probabiliteti provokimi.
Ndërkaq në Morinë policia shqiptare ka shtuar vigjilencën, duke kontrolluar imtësisht çdo makinë e person. Porse kontrolli i serbëve është shumëfish më i kujdesshëm. Madje së fundi ata kanë nisur të bëjnë edhe kontroll personal, për të mos lejuar kalimin e armëve, drogës dhe ilaçeve. “Nëse të kapin me ilaçe pohon një qytetar kuksian është njësoj si të të kenë kapur me armë. Të rrahin keq, të grisin pasaportën dhe të kthejnë.
Disa ditë më parë, disa qytetarë nga Kukësi, të cilët i kishin shpëtuar kontrollit të policisë, kishin mundur të kalonin një sasi të vogël ilaçesh deri në Gjakovë. Atje i kanë kapur, keqtrajtuar dhe lënë në mëshirë të vdekjes, në mes të qytetit, si një mësim i mirë për kë guxonte të fuste medikamente. Mesa duket ilaçet për kosovarët tani janë më të domosdoshme edhe se ushqimet për faktin se të rrahurit dhe plagosurit, kanë nevojë për t’u mjekuar, por farmacitë e tyre prej kohësh janë bosh.
Serbët kanë bllokuar furnizimet në bazë të teorisë: “Shqiptarët kanë detyruar botën të na vërë embargo, kështu që ne do i lëmë të vdesin nga uria”. Janë këto e të tjera që të tregojnë njerëzit që presin me orë në pikëkalimin kufitar të Morinës, për të kaluar në anën tjetër. Ata tregojnë se dikur bënin jo pak tregti me jugosllavët, duke mundësuar kështu mbijetesën, gjë që prej kohësh tani s’është më e mundur. Tani atyre u lejohet të kalojnë vetëm pak shishe vaj, ndonjë thes miell, sheqer, sapun e ndonjë tjetër gjë, në sasi të vogël. Njëri prej tyre tregon se pasi i kontrollojnë në doganë, i fusin në një dhomë, ku i bëjnë pyetje nga më të ndryshmet, si psh: “A stërviten njerëzit e UÇK-së te ju dhe a ju kanë sjellë armë amerikanët e gjermanët”. “Duhet të japësh ndonjë përgjigje, që të kalosh, në të kundërt s’e kanë problem të të kthejnë.”-shprehet ai.
22 refugjatët kosovarë Shigjeçi
Në një hotel privat të qytezës së Krumës janë strehuar 22 refugjatë kosovarë, 5 vëllezërit Shigjeçi me gratë dhe fëmijët. Për t’i takuar, marrim fillimisht leje në komisariat, mandej kërkojmë zonjën e bujtinës, e cila, pasi nxjerr nga xhepat e fundit një tufë me çelësa, hap derën e kyçur disa herë dhe na drejton në oborrin e pasmë të ndërtesës, ku rrinë kosovarët.
Në katin e dytë të ndërtesës janë dhomat e tyre, me nga dy krevate dhe ndonjë orendi të vogël. Në dhomë, pasi ke trokitur dhe treguar kush je e ç’kërkon, dëgjon çelësin që rrotullohet disa herë, e kur të hapin derën, përballesh me fytyra të frikësuara. Ata duken aq të trembur sikur të kishin hyrë në gjak me kënd në vendin e tyre dhe nga momenti në moment, presin të trokasë hakmarrja.
Flasin pak, ose më mirë aspak. Ajo ç’ka artikulojnë më lehtësisht është falënderimi për policinë e Krumës që i ka strehuar falas dhe për çdo vakt u sjell ushqim nga i saji; çaj në mëngjes, fasule në drekë, patate në darkë. Familja e madhe Shigjeçi, tregon se ka ardhur në Shqipëri, pasi nuk i përballonte dot kontrollet e policisë serbe, e cila i kishte shënjuar në listat e saj si njerëz që mbajnë armë në shtëpi.
Kur i pyesim, nëse ata vërtet kishin armë, njëra prej grave, përgjigjet se serbët nuk u kishin gjetur gjë, porse burri i saj shton se ata nuk kanë pasur ndonjëherë armë. Një vajze të vogël i shket goja, teksa thotë se herën e parë u kanë gjetur ca armë, por pastaj… i çuan në mal. Kaq mund të mësosh nga 22 njerëzit gojëkyçur, ardhur nga fshati Planej, që të shohin gjithë frikë e dyshim. Madje, ata gati nxehen, kur i pyet nëse vëllai i tyre i gjashtë, që ka ngelur në anën tjetër, është ushtar i UÇK-së. “UÇK-ja është në mal, por ne nuk kemi gjë për të thënë.” Fëmijët janë të vetmet fytyra të gëzueshme mes tyre. Demokratja, Artistja, Fajdoni, Borena etj, luajnë në livadhin e bujtinës dhe kur i pyet në duan të kthehen në shtëpitë dhe shkollën e tyre, të thonë: “Këtu jemi më mirë. Atje na vranë loken. Por nuk mendojnë kështu prindërit e tyre që besojnë se s’ka dyshim që do të kthehen një ditë në Kosovë. “Do luftojmë për pragun e shtëpisë sonë”- thonë ata.
Kush i ruan kufijtë tanë?
Ushtarakët janë të vetmit në Kukës që kanë kuptuar dhe pranuar se në kufi me Serbinë, situata nuk është e zakonshme. Për ta është provokuese, ngritja e shumë fushimeve të ushtrisë serbe deri dhe 150-200 metra larg vijës së kufirit. Kjo, sipas tyre përbën demonstrim të mjeteve dhe forcave ushtarake, për t’u treguar shqiptarëve, se cilët janë dhe ç’mundësi kanë.
Gjeneral Lama, duke dashur të bindë median, për së pari, se edhe shqiptarët nuk mbeten pas në potencial luftarak dhe njerëzor, na shoqëron të vizitojmë regjimentin e artilerisë Bicaj, dhe atë të tankeve. Aty që në orët e para të mëngjesit, ushtarët e rinj, rekrutuar me shpejtësi së fundi, për shkak të situatës, stërviten dhe aftësohen për të përballuar sulmin e mundshëm. Për ta, serbi është armik, madje ushtarët të tregojnë se janë rritur me këtë ndjenjë armiqësie, qyshkur, nënat i shanin në vogëli, “Shkaj i keq”.
Oficerët të shpjegojnë se urrejtja dhe patriotizmi janë elementë që ndihin në rast lufte, por armatimi dhe përgatitja janë shumë më të domosdoshme. Major Fadil Groshaj, komandant i regjimentit të artilerisë na tregon topat e Divizionit që qëllojnë në një rreze prej 24 km, ndërsa kufiri, në vijë ajrore, është vetëm 19 km larg. Para 5 ditësh, ata kanë kryer qitje stërvitore, në poligonin 4 km larg kufirit. Pas një inspektimi të shpejtë të potencialit tonë ushtarak në Kukës, sipas ushtarakëve të lartë, të mjaftueshëm për të përballuar çfarëdo sulmi serb, ata të thonë: “Mjaft shkruat në gazeta se nuk kemi ushtri, nuk kemi armatim, nuk kemi mundësi për t’u mbrojtur. I keni parë serbët ç’thonë e shkruajnë për ushtrinë e tyre? Ne ushtarakët jemi patriotë, por duhet të jeni edhe ju gazetarët”. Këto fjalë na u dukën bindëse, për të shkruar vetëm se “repartet pranë kufirit janë të gjitha në gjendje gatishmërie numër 1, për të mbrojtur atdheun. “Gjithsesi, kjo gjendje luftarake në kufi, në mos për tjetër gjë, së paku i ka shërbyer ushtrisë për të sjellë në jetë repartet e shkatërruara e të vjedhura, të cilat janë ngritur në këmbë nga e para dhe funksionojnë normalisht. Sa për sulmin serb, ai më mirë mos ardhtë ndonjëherë…
A ka trafik armësh në kufi?
Kruma e Kukësit, qyteza një orë larg kufirit të Qafës së Prushit, është e përfshirë nga fjalët për trafik të paligjshëm armësh me kosovarët. Për këtë, nuk na tregojnë vetëm qytetarët, apo fëmijët, por e pranojnë, duke dashur të mbeten në anonimat, edhe policët e ushtarakët. Madje, ata që e kanë inspektuar disa herë kufirin shpjegojnë me detaje për mënyrë organizimin e këtij trafiku: “Në Cahan, fshat pranë kufirit të Qafës së Prushit, dikur ka qenë një repart artilerie, më pas i vjedhur nga banorët e zonës. Tani atje nuk ka më repart, as ushtarë, por armët nuk mungojnë në shtëpitë e fshatarëve, të cilët përnatë ngarkojnë mushkat, regjistrojnë emrin te “magazinieri”, kalojnë kufirin dhe vetëm kur kthehen, marrin 7 mijë lekë të reja për çdo ngarkesë.”
Ndërsa pyesim si është e mundur që kufiri kalohet aq lehtësisht, ushtarakët tregojnë se në Qafën e Prushit, kufiri kalon nëpër kreshtë dhe është krejt e pamundur të ruhet nga pala shqiptare. Ndërsa në anën tjetër, kufiri mirëruhet ditën, por natën është pothuaj i lirë. Serbët nga frika e UÇK-së, nuk para patrullojnë netëve e ndërsa hyjnë në fushimet e veta, shqiptarët e kanë fare të lehtë të kalojnë armët, në zonën, ku i presin njerëzit e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Për këto armë paguhet paraprakisht nga emigrantët kosovarë në Zvicër e gjetkë, të cilët përpiqen për të fuqizuar ushtrinë e tyre, prej së cilës shpresojnë të fitojë lirinë Kosova.
Në Krumë ka edhe policë që kanë bërë roje në postblloqe, të cilët tregojnë se IFAT me përforcime për Divizionin e Kukësit, në fakt shkojnë në kufi. Kur ata kanë kërkuar të kontrollojnë ngarkesat, kanë vënë re se dokumentet mbanin firmën e ministrisë së Brendshme, ngarkesa ishte armatime. Sipas tyre, këto IFA shkarkohen në Cahan. Sigurisht gjithçka, ndonëse e pranuar nga shumëkush, për ne ngelet në kufijtë e hipotezave të pavërtetuara, rrjedhimisht të pabesuara. Nuk mund të themi kush e organizon trafikun e paligjshëm të armëve, por dimë se mënyra si justifikohej ky trafik, ishte e njëjtë për të gjithë; “Në mos na pasuroftë shitja e armëve, të paktën çdo kosovar do e ketë një mjet për t’u mbrojtur. Madje edhe të luftojë. Mjaft janë keqtrajtuar dhe vrarë nga serbët. Kosova të jetë e kosovarëve.” Ndërsa Gjenerali i Divizionit të Kukësit, gjatë një shkarje goje, shkon edhe më tej: “Kosova është jona…”