Rudina Xhunga: Poshtërimi helen. Reagime pas incidentit të rëndë me artistët dhe gazetarët shqiptarë në Kakavijë

(Botuar me 14 Prill 1998 në KOHA JONE)

Nga Rudina Xhunga-

Flasin për KOHA JONE:

Jorgos Dikiakos, sekretar i Ambasadës Greke në Tiranë

Nuk mund të bëj deklaratë, përveçse t’ju shpjegoj se ne po përpiqemi të ulet tensioni. Mendoj se gjithçka ka përfunduar. Sinqerisht na vjen keq për gjithë ç’ndodhi. E pranoj se mënyra si janë sjellë në kufi ka qenë e gabuar. Neve s’na mbetet veçse të shprehim keqardhjen tonë, për më tepër që ngjarja ka koinciduar me vdekjen e kryepeshkopit. Ambasada greke në Tiranë, do të kujdeset, që ngjarje të tilla të mos ndodhin përsëri.

Kastriot Robo, ambasadori i Shqipërisë në Greqi

Unë mund të them se ambasada jonë është lajmëruar me vonesë. Ndoshta, nëse do të lajmëroheshim më parë, situata do të kishte qenë ndryshuar. Sidoqoftë në momentin që kemi mësuar për mbajtjen në kufi të një grupi artistësh dhe gazetarësh, ne jemi lidhur urgjentisht me konsullatën në Janinë. Ata kanë komunikuar me pikën kufitare të Kakavijës, duke marrë shpjegimin: “Presim përgjigje nga Athina”. Kur u lidhëm për herë të dytë, morëm vesh se grupi ishte nisur në Shqipëri, pa pritur përgjigjen përfundimtare. Për ne, ajo që ndodhi përbën incident, por ky është shteti grek, që ka organet dhe institucionet e tij, e këta janë grekërit, që kanë mënyrat e tyre të komunikimit. Ambasada jonë ka përditë incidente të tilla, ndonëse jo të këtyre përmasave, me njerëz që kthehen në kufi, në situata nga më të pashpjegueshmet. Kështu që përditë na duhet të përballemi jo me pak probleme dhe për sytë e kujt, nuk e mbrojmë dot, dukemi jashtë loje. Sidoqoftë këto tre ditë kanë qenë ditë pushimi në Greqi dhe nuk ka funksionuar asnjë institucion. Sot do të lidhemi me ministrinë e Jashtme greke, për të marrë shpjegimet përkatëse.

Ministria e Jashtme Shqiptare

Nuk ka patur asnjë reagim, deri dje, nga ministria e Jashtme Shqiptare, duke qenë se e diela dhe e hëna kanë qenë pushim. Megjithatë, sipas burimeve nga ky dikaster, mësohet se ministri i Jashtëm, ka ngarkuar kë do të merret me grumbullimin e të dhënave dhe zbardhjen e incidentit. Sot, pritet që në ministri të ketë takim mes palës shqiptare dhe ambasadës greke në Tiranë, për të sqaruar situatën.

Enkel Demi, drejtor i radio “Koha”

Ishte një turp. Për arsye se nuk bëhej fjalë për njerëz që kërkonin të kalonin kufirin në mënyrë të paligjshme, por për një grup të madh artistësh dhe gazetarësh. Ne ishim të pajisur me dokumente të rregullta dhe nuk ëndërronim aspak të mbeteshim refugjatë në Greqi. Mënyra si na trajtuan në doganën greke, dëshmon nivelin e ulët të shtetit grek, i cili mesa duket është i interesuar vetëm për fasadë politike, të ketë marrëdhënie të mira me Shqipërinë. Ndërkohë që ka një fshesë greke kundër emigrantëve shqiptarë, duket se këtë fshesë, shteti grek ka vendosur ta bëjë edhe ndaj ambasadorëve të paqes, artistëve.

Elsa Lila, këngëtare

U ndjeva shumë e fyer nga trajtimi që na bënë në kufi. Atje mendova se, kur grekët sillen kështu me një grup të madh artistësh, kushedi sa keq i trajtojnë emigrantët që janë atje për të punuar. Ne u nisëm për në Athinë, që të organizonim një koncert, me anë të të cilit do çonim te shqiptarët larg vendit, pak atdhe. Kjo nuk na u bë e mundur. Por ne do ta bëjmë sërish atë koncert, sepse e dimë se në Greqi ka njerëz që na presin. Unë jetoj jashtë dhe e di ç’ngallëzim provohet, kur në Itali vjen një trupë shqiptare, andaj jam e vendosur të shkoj sërish në Athinë për të kënduar.

Agron Llakaj, prezentator i spektaklit

Për mua personalisht, keqtrajtimi ynë në Kakavijë ka qenë diskriminimi më i madh që i është bërë së fundi kombit shqiptar. Sepse në kufi, tallën dhe fyen jo thjesht një grup shqiptarësh, por kombëtaren e artit tonë, që është fytyra e dinjitetit të një vendi. Më duket e tmerrshme, kur kujtoj si qëndruam për orë të tëra në shi dhe të ftohtë, duke pritur agimin për të ngrënë diçka. Turp 1000 herë. Na kontrolluan sikur të ishim njerëz të egër, jo artistë. Madje mua më kontrolluan dhe për drogë, se kisha dy kuti salep me vete. Nuk e shfajësoj dot policinë kufitare, e cila për qëllime të caktuara politike, na mbajti me orë të tëra, duke shkaktuar terror psikologjik mbi ne. Dukej qartë se qarqe të caktuara antishqiptare, ishin ato që e krijuan incidentin. Për më tepër aty kishte kontradikta midis Ministrisë së Jashtme dhe Ministrisë së Brendshme greke, pasi atje mësuam, nga goja e vetë policëve se ata dëgjonin vetëm MB dhe nuk pyesnin fare për urdhrat nga ministria e Jashtme. Kur erdhi Marinela e tyre në Tiranë, shumëkush u ngazëllye sepse bëhej fjalë për idhullin e muzikës greke dhe u prit nga të gjithë me shumë mirëdashësi e nderim. Ndërsa kur një grup i madh i artistëve më të përzgjedhur shqiptarë shkuan në Greqi, policët nuk na krijuan as mundësitë me elementare. Pasi organizatorët u ranë ca telefonave, policët u përpoqën të na mbushnin mendjen që të vazhdonim rrugën për në Athinë, por ne nuk pranuam dhe mendoj se bëmë mirë. Kur e kujtoj më duket tragjedi dhe komedi njëherësh. Sepse fyerjeve të tyre “u treguam dhëmbët”, kuptohet nga të qeshurat. E kaluam shumë mirë me njëri tjetrin, nuk e ndaluam për asnjë moment humorin, duke i çuditur grekët. Unë mendoj dhe besoj se të këtij mendimi janë edhe organizatorët e artistët e tjerë, që shumë shpejt ta bëjmë koncertin e planifikuar. Të shkojmë në Greqi, madje edhe me më shumë tambure që zëri ynë të dëgjohet nga gjithë Athina.

Nikoll Lesi, deputet

Ishte një turp për palën greke, e cila u soll në mënyrë barbare me artistët shqiptarë, aq sa nuk i lejuan të ushqeheshin, apo të blinin të paktën edhe ujë në dyqanet greke, për mbi 15 orë rresht. Pas disa informacioneve që kam nga filiali i “Koha Jonë” në Athinë, të shtunën dhe të dielën (në kohën që ne ishim ndaluar) është kërcyer dhe kënduar në të gjitha buzuqet greke, duke harruar se kanë zi kombëtare. Mbetet që vetëm shqiptarët në Greqi kanë mbajtur zi për priftin grek! Megjithatë sot do të kërkoj interpelancë urgjente me ministrin e Jashtëm, zotin Paskal Milo në lidhje më këtë incident. Mendoj se ministri ynë i Jashtëm duhet të mbrojë dinjitetin e artistëve shqiptarë dhe të harrojë konjukturat politike, të cilat nganjëherë rëndojnë edhe mbi dinjitetin kombëtar.

RUDINA XHUNGA

SHKARKO APP