Sokol Balla: Hajdari, pranga letre

(Botuar me 19 Shkurt 1998 në KOHA JONE)

Nga Sokol Balla

Dje në televizionin zyrtar kryeprokurori Arben Rakipi ka deklaruar kërkesën e institucionit të tij drejtuar parlamentit shqiptar, për heqjen e imunitetit të deputetit Azem Hajdari. Duke zgjidhur në një farë mënyre enigmën që mbizotëronte në ambientet e medias dhe të opinionit publik për fatin e deputetit “të pabindur” dhe supereskortës prej më se 14 vetash. Në fakt, askush nuk kishte dyshim se një gjë e tillë duhet të ndodhte, por kur do të ndodhte. Për Azem Hajdarin nuk është ky rasti i parë që i hiqet imuniteti, pasi një gjë të tillë kishte vendosur rreth 5 vjet më parë për të edhe parlamenti i Berishës. Por ndërsa atëherë gjithçka u zgjidh në pak orë, për të rihequr një imunitet, që ndërkohë ishte vetërefuzuar nga Hajdari, u desh që Prokurori i Përgjithshëm të zhvillonte një rreth të mbyllur takimesh, që nisën me Nanon dhe vazhduan me Mejdanin. Ndërkohë që thuhet që vetë Nano në këtë takim kishte ardhur pas një bisede kokë më kokë me një nga diplomatët kryesorë në Tiranë.

Por sot ajo që të gjithë duket se mendojnë, është se politika edhe një herë ka vendosur mbi strukturat e sistemit të drejtësisë. Procesi “Hajdari”, ashtu si edhe paraardhësit e vet, rrezikon përfundimisht të transformohet në një gjyq politik. Gjithçka do të ishte ndryshe nëse që të hënën, të ndaluarit do të gjykoheshin për masën e tyre të arrestit dhe nëse kërkesa e Rakipit nuk do të shkonte në tryezën e Gjinushit ditën e mërkurë, por të hënën, atëherë kur me procedurë normale dhe me logjikë, kjo duhet të ndodhte. Kështu është dëmtuar qëllimi kryesor i punës së institucionit të Prokurorisë: të hetojë mbi të vërtetën dhe vetëm mbi të vërtetën e incidentit të Milotit. Rakipi edhe nëse e ka pasur këtë qëllim të mirë, pas takimeve me figurat kryesore të vendit ka gabuar, nëse s’e shkelur, si minimum e ka paragjykuar pavarësinë e institucionit të Prokurorisë. Në bisedat e tij me krerët e pozitës, mesa duket është vendosur edhe fati i mëtejshëm i Azem Hajdarit. Në të gjitha rastet, përfundimi i këtij procesi ka rrezikun e madh që të mos jetë i besueshëm. Nëse Hajdari do të shpallet i pafajshëm, baza e PS-së që mesa duket ka ndikuar jo pak në vendimin e prokurorisë, do të mbetet e pakënaqur dhe nëpër dhëmbë do të shprehë pakënaqësinë ndaj liderit Nano me zemër të butë. Ndërsa opozita do të ngrejë edhe një herë lart flamurin e akuzës ndaj një shteti që po e persekuton, nëse mbi kyçet e Azem Hajdarit do të vendosen prangat. Në këtë rast ama, prangat do të ishin prej letre dhe nuk do të kishin asnjë vlerë.

SHKARKO APP