Sokol Balla: Koalicion dhe hipokrizi
(Botuar me 29 korrik 1998 në KOHA JONE)
Nga Sokol Balla-
Që sot qeveria do të ketë një ministër më pak. Ky është i shumënjohuri dhe i shumëpërfoluri Gaqo Apostoli. Një nga grupet ndërministeriale të varur direkt nga strukturat e kryetarit të këshillit të ministrave pritet sot të paraqesë në qeveri për miratim një dekret që tërheq nga Rezervat e Shtetit rreth 300 milionë lekë. Ky fond shtesë do të shkojë për rrugët dhe rregullimin e sistemit ujësjellës. Dhe gjithçka është bërë pa dijeninë dhe bashkëpunimin e dikasterit të Apostolit. Ky i fundit ndodhet në Amerikë në një samit ndërkombëtar, por ndërsa bredh me limuzinë në autostradat e shtruara të Tokës së Premtuar, shefi i tij i madh ka filluar “grushtin” e vogël të shtetit me rrugët me gropa.
Vendimi i Nanos për të marrë vendime që i përkasin një dikasteri pa dijeninë dhe bashkëpunimin e titullarit, është një veprim që precedentët ende i ka të rrallë në qeverisjet e këtyre shtatë viteve të fundit. Me pak fjalë grupet e politikave ndërministrore që sot e tutje jo vetëm mund të përcaktojnë e korrigjojnë strategjitë, por edhe mund të marrin kompetenca vendimore për llogari të ministrive. Sidomos kur është fjala për njerëz që ndërtojnë koalicionin qeverisës. Emri i Apostolit u përmend shumë kur priteshin ndryshimet në qeveri, por stina e dimrit dhe mungesa e parave, pa dyshim edhe prezenca e Gjinushit, shpëtuan Gaqon nga një eliminim mëse i mundshëm. Fillimi i punimeve intensive për rregullimin e rrugëve ekzistuese dhe i makroprojekteve për boshtet kryesore, duket se i mbushën mendjen përkohësisht Nanos për zellin e Apostolit. Por paqja ka zgjatur pak, Kryeministri nuk i ka hequr përfundimisht dyshimet nga vartësi i tij. Por frika për prishjen e koalicionit e ka shtyrë Nanon që të marrë vendime indirekte. Duke shfrytëzuar strukturat e ngritura pranë zyrës së tij.
Megjithatë është e qartë se që sot e tutje Apostoli është ministri i parë honorifik i qeverisë, ose titullari i parë i një ministrie me kompetencat e një nëpunësi të thjeshtë. Nesër nëse i teket apo e mendon të arsyeshme, Nano për të mos e hequr dhe për të ruajtur koalicionin, mund t’i heqë Apostolit fare të drejtën për të marrë vendime, apo për të organizuar tenderat e famshëm dhe Gaqos, po në emër të ruajtjes së koalicionit, nuk i mbetet gjë tjetër veçse të tundë kokën. Për të qenë realistë nuk i dihet sesi do të reagojë Apostoli pas kthimit nga Amerika. Megjithatë zgjedhjet i ka të reduktuara. Ose të largohet e të prishë koalicionin, ose të rrijë e të lërë peng moralin personal, përballë një kryeministri që nuk e vlerëson. Nuk është ende e qartë se përse Nano e ka të vështirë të heqë një ministër të një partie tjetër, të paktën me po atë lehtësi që eliminoi Cekën. Por që sot e tutje të gjithë ata që kuptojnë diçka më tepër, e dinë se koalicioni politik po bëhet gjithnjë e më fiktiv dhe se aleatët i mban bashkë akoma hipokrizia e “bashkëqeverisjes gjithëpërfshirëse”./Sokol Balla/