Spartak Ngjela: Humbja e Millosheviçit

(Botuar me 20 qershor 1998 në KOHA JONE)

Nga Spartak Ngjela-

Takimi Jelcin-Milosheviç u duk sikur kaloi në një formë të thjeshtë aleatësh dhe madje në media u përcoll sikur Milosheviçi mori garanci për të qëndruar në pozitat e tij. Por në të vërtetë, politika që vërtitet në këtë ngjarje, patjetër që ka një vështrim më të ndryshëm. Së pari është rënia prej 30 për qind e bursës së Moskës menjëherë pas mbledhjes së dytë të Grupit të Kontaktit; pastaj është vizita e papritur e Jelcinit në Bon, mosangazhimi financiar i Bonit për ta ndihmuar në lidhje me rënien e bursës së Moskës dhe më në fund ftohtësia e të gjitha qarqeve financiare perëndimore për këtë çështje.

Në këtë vështrim, kuptohet se pozitat e Milosheviçit kanë qenë të pafavorshme. Megjithatë, ka edhe një arsye tjetër e cila mund të ketë qenë në favor të Milosheviçit: Është çështja e precedentit të ri që hapet në largimin e aleatëve të tjerë nga gravitacioni i Moskës. Deri tani kanë ikur Kroacia, Sllovenia, Polonia, Republika Çeke dhe Maqedonia, pasi kanë aderuar në Partneritetin për Paqe.

Disa ditë më parë, një gjë të tillë kërkoi edhe Bullgaria, kurse lufta në Jugosllavi kuptohet se mbetet një moment krahasimi ngaqë gjithë frika e Moskës qëndron te vendet baltike: Letonia, Lituania, Estonia. Në funksion të gjithë kësaj, ka të ngjarë të ngërthehet raporti Moskë-Beograd, por natyrisht dhe raporti Moskë-Perëndim. E pra, në gjendje të tillë ndodhet situata kur përpara disa ditësh NATO demonstroi në ajër nëpërmjet kufirit shqiptaro-maqedonas. Por, deklaratat e Andreatës, ministrit italian të Mbrojtjes, të enjten, për formimin e dy brigadave italiane me ushtarë të paguar (profesionistë), brenda arsyes se kjo forcë ushtarake formohet posaçërisht për luftën në Ballkan, të jep të kuptuar se Perëndimi nëpërmjet NATO-s e koncepton si serioz rrezikun e një konflikti me përmasa gjithëballkanike, i cili do të ketë si shkak gjendjen në Kosovë.

Është e kuptueshme se në këtë hulli konfliktesh dhe interesash, patjetër që hyn dhe politika shqiptare ose vetë shteti shqiptar dhe e gjithë popullsia shqiptare që gjendet në Ballkan, por si gjithmonë ne përsëri dukemi si të vonuar pasi dihet që kjo kohë duhej të na kish gjetur në një moment unik në lidhje me pozicionin, kërkesat dhe stabilitetin shoqëror në funksion të shtetit shqiptar. Megjithatë, gjithçka do të vendoset nga një teatër armësh, i cili nuk dihet ende, ose më mirë nuk mund të parashikohet se çfarë shkallëzimi do të marrë. Por ndërkaq, sidomos nga ditët e fundit, kuptohet që pas SHBA-së dhe Britanisë, po vërehet se edhe Italia kërkon të angazhohet seriozisht në këtë çështje. Politika shqiptare është e detyruar të penetrojë për të gjetur veten brenda kësaj vorbulle, që esencialisht është brenda kufijve të politikës së nxehtë, por deri tani krejt e pafavorshme për Milosheviçin./Spartak Ngjela/

SHKARKO APP