Spartak Ngjela: Spartak Ngjela: Ja si zgjidhet kriza e kryeministrit Nano me Presidentin Meidani
(Botuar me 24 Prill 1998 në KOHA JONE)
Nga Spartak Ngjela-
Mosdekretimi ende nga presidenti i Republikës i tre ministrave të emëruar nga Z. Fatos Nano, ka krijuar një precedent të rrallë për politikën. Çështja duket sikur nuk ka zgjidhje dhe për pasojë ngjan të jetë nga ato kriza që duhet ta çojnë kryeministrin në dorëheqje për faktin që nuk i funksionon mekanizmi qeveritar. Por në të vërtetë ekziston ende një rrugë kushtetuese për zhbllokimin e situatës -VOTËBESIMI.
E them këtë sepse në rast se tre ministrat e propozuar për shkarkim, Brokaj, Dade dhe Sherifi nuk lirohen nga detyra me dekret prej presidentit, rruga e mocionit të votëbesimit për këta të dy në parlament është e hapur. Prandaj, për faktin se prezumohet se kryeministri ka shumicën e mazhorancës, ai nuk e ka të vështirë që me numrin e kërkuar të parlamentarëve të vet të motivojë mocionin e mosbesimit të tre ministrave të kabinetit të tij, ndërkohë de facto të shkarkuar. Mbas mocionit të votëbesimit, në rast se parlamenti nuk i votëbeson, shkarkohen juridikisht pa qenë nevoja e dekretit presidencial. Mocioni i votëbesimit, mund të paraqiste risk në rast se Partia Socialiste nuk do t’i kishte pranuar shkarkimet kryeministrit 10 ditë përpara, por këtu duket se Nano është i fortë në parti, ndërsa presidenti është i fortë në shtet.
Esencialisht, këtu kemi përplasje midis kreut të pushtetit politik me kreun e pushtetit juridik (Presidentit). Natyrisht, është e kuptueshme që votëbesimi ka ngarkesë politike në këtë rast dhe patjetër që procedura juridike kushtetuese e votëbesimit përdoret me ngarkesë politike. Përfundimisht, ky është momenti procedural kur politika gjen valvulën e shpëtimit për t’iu shmangur bllokimit presidencial, i cili nuk duhet paragjykuar. Me këtë veprim, Nano shmang të shkarkuarit de facto, që i kanë bllokuar qeverinë dhe menjëherë i paraqet presidentit kandidaturat e reja zëvendësuese.
Presidenti nga ana e tij, firmimin e dekretit për ngarkimin e tre anëtarëve të rinj të qeverisë, mbas shkarkimeve nga parlamenti me votëbesim, është i detyruar t’i firmosë, pasi në këtë rast kompetenca e tij është krejtësisht formale. Është formale në krahasim me shkarkimin presidencial, sepse vetëm te shkarkimi, presidenti kërkon vetëm motivim dhe në këtë rast kompetenca nuk është formale, por substanciale./Spartak Ngjela/