Teodor Keko: Kompromisi i rrezikuar

(Botuar me 28 Janar 1998 në KOHA JONE)

Nga Teodor Keko

“Gjuha kocka s’ka, por kocka bluan”, thotë një proverb i lashtë. Nëse kjo thënie respektohet nga shumë prej nesh, ndoshta me një qëllim të vetëm, ruajtjen e urave lidhëse, mjerisht nga politikanët, nga ata që “duhet të flasin, duke thënë shumë dhe pa thënë asgjë”, nuk respektohet aspak. Kjo mungesë respekti dëmton rëndë kompromiset, aq të domosdoshme edhe në shoqëri tepër të zhvilluara, e jo më primitive, si kjo e jona.

Fill pas debatit televiziv të së dielës, i gjithë shtypi ynë po merret, me të drejtë, me problemin e hapur pas dy frazave të shkëmbyera mes Islamit dhe Pollos. Por, nëse shtypi ka të drejtë të merret me informacionin e lëshuar nga një shkëmbim gjaknxehtë batutash, politikanët nuk kanë të drejtë të dekonspirojnë marrëdhëniet e tyre, të cilat, rëndom, vendosen për shkak të pozicioneve që ata kanë në nivele të ndryshme politike dhe jo si pasojë e shijeve personale. Në këtë kuptim, kompromisi shqiptar mori një goditje të rëndë me përgojimet më të fundit të Brojkës dhe Shehut nga Islami. Edhe sikur të mos jetë asgjë e vërtetë, tani është e vështirë të gjenden njerëz – ura lidhëse, për të zbutuar gjakrat. Tani është gati e pamundur të lulëzojë iniciativa personale pozitive në politikë, sepse ajo mund të dekonspirohet menjëherë, pa arritur të lulëzojë akoma.

Politikanët nuk janë pijanecë ordinerë, që zbatojnë teorinë “ç’ka barku, nxjerr bardhaku”. Po të ishte kështu, jeta do shkonte në luftë! Përkundrazi, ata janë njerëz me “stomak të madh”, që përtypin shumë dhe “harrojnë” vogëlsira, për hir të qëllimit final. Është e papranueshme, që, sot, në një kohë që situata po qetësohet me shumë mund, të ketë dekonspirime, apo provokacione skandaloze, si ai i së dielës. Vaj hallit ç’do të ndodhte, sikur të gjithë “ustallarët” e politikës sonë të hapnin zorrët e barkut! Kjo situatë, që të vihet në shinat e duhura, kërkon veçanërisht kujdes në fjalë, për të mos rindezur zjarre. Gjithashtu, politikanët duhen bërë koshientë, që, edhe përpara se të japin frymën e fundit, duhet të mendohen mirë kur të përmendin emra. Sepse, e përsërisim, bisedat janë bërë, bëhen e do të bëhen me postin dhe jo me individin.

Ngjarja e fundit e vështirëson kompromisin shqiptar, por urimi ynë është që kjo të konsiderohet një lapsus nga të “mëdhenjtë” e politikës shqiptare dhe të ecet në rrugën e lulëzimit kombëtar me një kompromis të përhershëm, çka është më e mira për të gjithë ne. Përndryshe, që sot e tutje politikanët tanë duhen detyruar ligjërisht të mos flasin fare ose të mos përmendin më emra, pasi kështu “urat lidhëse” do të vazhdojnë të shemben pambarimisht.

SHKARKO APP