Gjeneral francez, Henri Descoins tregon “Gjashtë muaj historie të Shqipërisë”, nëntor 1916 – maj 1917
Ne, francezët, s’kemi të drejtë të mos interesohemi, as me punët ballkanike në përgjithësi, as me punët shqiptarëve në veçanti. Duke marrë parasysh qëllimin e vazhdueshëm, do të kufizohem të shënoj shkurtazi, veprimet ushtarake që ndodhen në Kazanë e Korçës, në periudhën e lartpërmendur, dhe do të mundohem t’i theksoj çështjet që kanë një karakter politik ose ekonomik. Që të zbus ashpërsinë e një studimi të tillë, e gjeta të udhës ta paraqes si një rrëfim që e kam ruajtur vet
(Nëntor 1916 – Maj 1917)
Gjeneral Henri Descoins
Hyrje
Urdhrat e marra prej kryetarëve të mi së pari, rrethanat më vonë, më sollën të luaja një rol tepër aktiv në ngjarjet që u bënë në Korçë, prej muajit nëntor 1916 gjer në maj 1917.
Këto ngjarje kanë qenë me rëndësi të madhe në historinë e Shqipërisë. Kanë rënduar me një peshë të rëndë, ndoshta vendimtare, në të ardhmen e këtij vendi. Kanë shkaktuar duf në opinionin botëror në Greqi dhe Itali.
Në Francë, kanë qëndruar një kohë të gjatë, fare pak dhe fare keq të njohura. Në fillim, s’ishin gjë tjetër veç pasqyrimit të ndjenjave që autorët kishin ndaj grekëve e italianëve. Më vonë, mendjet e ndritura, personalitete të çmuara, kuptuan që në çështjen shqiptare, nuk ka vetëm një pikëpamje greke, italiane, serbe, por edhe një pikëpamje frënge. U munduan pra ta bëjnë të njohur këtë pikëpamje.
Nga ana e ime, çmova se mendimi dhe dokumentimi i një “punëtori të orës së parë”, mund të shërbenin për të nxjerrë në shesh idetë që vijojnë:
1. Sa herë që do të mundohen të shkoqitin çështjen shqiptare, në një mënyrë që nuk përputhet me aspiratat kombëtare, do të ketë gjithnjë me vete, farën e një casus belli. Atyre që dyshojnë, do t’u kujtojnë se në ditët e fundit të gushtit 1923, një incident i keq në kufirin shqiptaro-grek, shkaktoi një konflikt italo-grek. Në qoftë se incidenti ishte tragjik, ditët që vazhduan ishin të ankthshme, dhe si gjithkush pati frikë që atentati i Janinës më 1923, mund të kishte pasojat e atentatit të Sarajevës më 1914…
2. Fqinjët e Shqipërisë së Re, janë në pamundësi të rregullojnë vetëm çështjet shqiptare në të cilat janë tepër të interesuar drejtpërsëdrejti. Nuk munden tjetër veçse t’i helmatisin më shumë.
3. Ne, francezët, s’kemi të drejtë të mos interesohemi, as me punët ballkanike në përgjithësi, as me punët shqiptarëve në veçanti.
Duke marrë parasysh qëllimin e vazhdueshëm, do të kufizohem të shënoj shkurtazi, veprimet ushtarake që ndodhen në Kazanë e Korçës, në periudhën e lartpërmendur, dhe do të mundohem t’i theksoj çështjet që kanë një karakter politik ose ekonomik. Që të zbus ashpërsinë e një studimi të tillë, e gjeta të udhës ta paraqes si një rrëfim që e kam ruajtur vet.
I
Vendosja e regjimit frëng
Pasi “detashmenti i Strumës”, komandën e të cilit e kisha vet, u shpërnda më 10 nëntor 1916, për arsye të ndryshimeve në përndarjen e njësive në frontin ballkanik, erdha në Selanik, për të pritur një detyrë të re.
Të mërkurën, më 15 nëntor, mora shënimin që më emëronte si komandant të një detashmenti gjithë armësh, që kishte për mision ta okuponte regjionin e Korçës, dhe u thirra prej gjeneralit Sarrail, për t’i marrë udhëzimet. Gjenerali dhe unë patëm bisedimin si vijon:
Ai: A njihni Z. Argjiropullo?
Unë: Po.
Ai: A e dini ku ndodhet?
Unë: Po, gjenerali im; ai ndodhet në Korçë.
Ai: Ai po më mërzit, prandaj do të vini ta dëboni.
Unë: ? …
Ai: A dini çështjen shqiptare?
Unë: Jo, gjenerali im.
Ai: S’ka gjë. Shkoni të dokumentoheni….
* * *
Sigurisht e njihja z. Argjiropullo.
Kur isha caktuar, të nesërmen e luftërave ballkanike, të merrja pjesë në misionin frëng në Greqi, kisha marrë komandën e brigadës së kalorësisë që qëndronte në Selanik, dhe kisha mbajtur këtë komandë gjersa u ktheva në Francë, për arsye të mobilizimit (gusht 1914).
Zoti Argjiropullo ishte atëherë prefekt i Selanikut.
I rritur në Francë, duke pasur me neve lidhje të ngushta familjare, ai kishte simpati të thellë për vendin tonë. Më kishte ndihmuar me gjithë fuqinë e vet në përmbushjen e komandës sime.
I larguar përkohësisht nga punët publike kur qeveria e Athinës kish rënë në duart e gjermanofileve, kishte qenë më vonë një nga agjentët më aktivë të kryengritjes venizeliste. Prandaj, pasi që në Selanik kishte formuar “qeverinë provizore’’, zoti Venizelos i kishte dhënë një portofol ministri, dhe e kishte dërguar në Shqipëri të bënte propagandë.
Këtë gjë e dija. i dija gjithashtu qëndrimin grek mbi Epirin, si dhe kundërshtimet lokale, po nuk kisha mjaft elemente në dorë të gjykoja legjitimitetin e tyre.
E dija gjithashtu se Z. Argjiropullo, patriot i zjarrtë, besonte në panhelenizmën, dhe se përpara vështirësive të vërteta që gjente në Korçë, përsëriste me gjithë qejf fjalën e Clemeveausë: nuk është nevoja të shpresosh që të ndërmarrësh, as të fitosh që të durosh në udhën e nisur.
Të gjitha këto nuk më orientonin mbi çështjen shqiptare, ashtu si mund ta shikonte Komanda frënge, as mbi atë që duhej të bëja në Korçë.
Duke lënë gjeneral Sarrailin, vajta në zyrat kompetente të shtatmadhorisë, për të kërkuar një dokumentim. Dokumentimi u përmblodh në këtë: Gjenerali s’do në Korçë as grekë të çfarëdo lloji, as italianë, as esadistë.
Në mëngjesin e 16-s, mora urdhrin të nisem po atë ditë. Vajta t’i lë lamtumirë kryekomandantit dhe e pyeta nëse dokumentimi që më ishte dhënë prej Shtatmadhorisë së tij i përgjigjej dëshirave të tij. Përgjigja e tij ka qenë fare afirmative, pa shtuar asnjë hollësi.
Për arsye të vështirësive materiale të udhës në kohën për të cilën flas, arrita në vendin për të cilin qesh nisur vetëm në mbrëmjen e 21 nëntorit.
Me të arritur në Korçë, gjeta qytetin në zierje e sipër. Qëndrimi aty i regjimentit të parë të gjuajtësve t’Afrikës (1) në vend që t’i zbuste mendjet, i kishte turbulluar më tepër. Arsyen e mësova më vonë: qe hapur fjala me insistim se regjimenti i parë i gjuajtësve të Afrikës, qe dërguar në Korçë, sepse Franca donte të impononte me fuqi qeverinë venizeliste. Ndihej që emocioni ishte në kulm dhe se mjaftonte incidenti më i vogël që të shkaktonte turbullime: natën e arritjes sime pati disa shkrepje dyfekësh. Zoti Argjiropullo kishte qenë lajmëruar prej z. Venizelos për ardhjen time dhe qe ftuar të më jepte në dorë fuqitë që kishte. U mundua të më japë “udhëzime” të rregullta, dhe më dha disa shënime që më ishin me të vërtetë të vlefshme për fillimin e misionit tim të ri.
Duke marrë parasysh personalitetin e lartë te autorit të tyre, ato paraqesin një interes dokumentar të dorës parë. Po riprodhoj aty poshtë, in extenso atë më me rëndësi, që mban titullin:
ÇËSHTJA E KORÇËS NGA PIKËPAMJA GREKE
Pas luftërave ballkanike, nën shtytjen e Italisë dhe Austrisë, Korça dhe gjithë Epiri i Veriut, kishin qenë ngjitur me mbretërinë e re të Shqipërisë. Korça i qe dorëzuar shqiptarëve, pasi qe administruar për një kohë prej Greqisë.
Po Korça është fanatike. Në qoftë se fusha është në shumicë myslimane, qyteti ka shumicë të krishterë, dhe që prej kohës së vrasjes së kryepeshkopit më 1908, populli është lidhur fanatikisht me neve. Administrata shqiptare u rrëzua dhe Korça me kusurin e Epirit të Veriut, bëri Epirin Autonom, që më vonë hyri në mbretërinë e Greqisë:
Trupat autonome u bënë trupa të rregullta.
Ligjet, administrata janë greke; – edhe myftinjtë marrin rrogë nga buxheti i Shtetit.
Flamuri është grek, deputetët mblidhen në Athinë.
Banorët varen në vendet e huaja nga konsujt e Greqisë.
I vetmi ndryshim i pashëm është fjala “Epir i Veriut”, mbishkruar në pullat e postës.
Dhe vet Evropa na njihte si të ngarkuar të nevojshëm të thirrur ose të pranuar prej popullsisë për të ruajtur qetësinë dhe siguruar administratën e vendit.
Neve nuk mund të dëshironim tjetër gjë përveç status quos.
Të akuzohemi se duam ta ndërrojmë është një absurditet. Mjafton të hiqet një mbishkrim.
Ky status quo, ka qëndruar në këmbë gjer më sot, ditë ku vihet në fuqi një qeveri ushtarake frënge në Korçë.
1. – Ky status quo nuk do të prishet në qoftë se autoritete ushtarake frënge besojnë se administrata greke e vendit është vënë provizorisht nën urdhrat e tyre, për arsye ushtarake.
2. – Ky status quo, do të ndryshohet kryekëput, në rast se autoritetet ushtarake frënge besojnë që vendi u është dorëzuar të administrohet për arsye politike, dhe jo për arsye ushtarake.
Në qoftë se frënget duan të sigurojnë vetëm fitimin e veprimeve të tyre ushtarake, besoj se shkoqitja e parë imponohet, sepse luftërat dhe zëniet politike nuk do të ushqehen. Do të jetë dhe një përfitim lokal.
Në qoftë se pikëpamja e dytë merret parasysh, do të bëhet gabimi i madh të ngatërrohet edhe më shumë gjendja e turbullt e vendit, ku luftojnë aleatët, duke ringjallur luftërat politike, dhe të pengojnë me manovra politike, aksionin ushtarak.
Sa na përket neve, e përsëris, ne duam që vendi të mbetet thjeshtësisht ashtu si është: Epir i Veriut, dhe të mos bëhet Shqipëri e Jugut.
Ka dhe një pikë mbi të cilën vë këmbë:
Partizanët e Greqisë, që janë shumica e madhe e të krishterëve, janë autoktonë. Nuk janë koloni grekësh të ardhura nga gjetkë.
Pothuajse të gjithë dinë greqisht, po përgjithësisht në shtëpitë e tyre flasin dialektet e ndryshme të vendit. 95% të njerëzve që dinë të shkruajnë dhe të lexojnë, lexojnë dhe shkruajnë greqisht.
Shënimet e tjera më jepnin njoftime mbi popullatën myslimane, ndarjen e saj në pikëpamje politike, mbi “çetat” e armatosura që kishin në dorë fushën, mbi organizimin gjyqësor, mbi sistemin e taksave dhe së fundi mbi mënyrën e ecjes të një spitali në Korçë.
Ky dokumentim i shkruar, u plotësua me njoftime të bëra me gojë. Veçanërisht, Z. Argjiropullo, më rekomandoi dy krerë të Korçës: z. Gjini, inspektor i shkollave greke dhe doktor Dardha. Më tha se i pari ishte nacionalist shqiptar, po me arsyetim të shëndoshë. Sa për të dytin, z. Argjiropullo nuk më fshehu se përfaqësonte thellësisht opinionin grek aneksionist. Nga ana tjetër më tha se ishte shumë frankofil. Duke marrë mesataren e mendimeve të zotërinjve Gjini dhe Dardha, duhesha, sipas z. Argjiropullo ta kisha mendimin e drejtë për sa më interesonte.
Studiova në mënyrë të imtë idetë e ministrit venizelist. Aq prej shënimeve të tij sa edhe prej thënieve të tij gojarisht, kisha një bazë fillimi. Për herën e parë më qe dhënë baza precize mbi çështjen shqiptare. Ishte pikëpamja greke, mirëpo qe një pikëpamje.
Sa për pikëpamjen frënge, nuk mu dha kurrë as më i vogli njoftim. (2)
Sidoqoftë, nuk do të shkonte shumë kohë, para se të kuptoja se z. Argjiropullo, gabohej shumë mbi ndjenjat filogreke të shqiptarëve.
* * *
Nga ana tjetër, edhe duke mos pasur udhëzime të shkruara të qarta, ato që pashë në Korçë, që me të arritur atje, nuk më lanë as më të voglin dyshim, mbi arsyet e dërgimit tim në Shqipëri, dhe mbi atë që duhej të bëja. Më doli në shesh qartazi, se komanda që kish ndërmarrë operacione në qarkun e Manastirit, nuk donte të kishte telashe prej agjitacionit, turbullimeve dhe prej luftës të çetave të mbajtura në këmbë prej fqinjëve: duhej të shuhej, sado që mund të kushtonte, zjarri që rastësisht mund të vinte në rrezik sigurimin e krahut tonë të mëngjër, dhe duhej krijuar në Korçë një zonë qetësie të plotë.
Ky ka qenë qëllimi që s’kam lënë kurrë mënjanë, dhe arsyeja e gjithë veprimeve të mia në Shqipëri.
Nxitova t’ia bëja të njohur Komandës se si e kuptoja misionin tim dhe cilat ishin mjetet që kisha ndërmend t’i përdorja për ta përmbushur.
Kjo solli dokumentin në vijim:
RAPORT MBI SITUATËN NË KORÇË
në datën e 23 nëntorit 1916
Koloneli de Bournazel ma dorëzoi komandën e detashmentit frëng të Korçës më 21 nëntor.
Z. Argjiropullo, sipas udhëzimeve të marra prej z. Venizelos, m’i dorëzoi në duar, shërbimet e ndryshme të Korçës. Po përpiqem të përmbledh aty poshtë situatën e qarkut në datën 25 nëntor.
1- GJENDJA USHTARAKE.
a). Në Jug të Korçës, në qarkun e Ersekës dhe të qafës të Qarrit, ndodhen çetat mbretërore greke.
Qëllimi i tyre:
1. Të kundërshtojnë veprimtarinë venizeliste në Shqipëri.
2. Të sigurojnë marrëdhëniet postare midis oborrit të Athinës dhe pushteteve qendrore.
3. T’i shërbejnë kauzës të këtyre të fundit, duke mbajtur agjitacionin në Shqipëri.
b). Në perëndim të Korçës, çetat austro-shqiptare të Sali Butkës.
Qëllimi i tyre: T’i shërbejnë kauzës austriake, nën pretekstin e ruajtjes së autonomisë së Shqipërisë.
c). Në veri të Korçës, çetat bullgare-shqiptare (Themistokli), që veprojnë me trupat bullgare, të së cilave janë pjesë të pandara.
Ikja e autoriteteve venizeliste, heq arsyen e qenies së çetave mbretërore, dhe kam shpresë që nga kjo anë gjendja të sqarohet për së shpejti.
Veprimtaria kundër Sali Butkës, më duket të jetë tani e rendit krejt ushtarak.
Sa për Themistokliun, ai më ka kërkuar që të hyjë në bisedime me mua, për të bërë nënshtrimin dhe të lerë kauzën bullgare.
Bisedimet do të qenë bërë dje, po të mos kishin ndodhur disa veprime te këqija të bëra prej andartëve (fjalë greke për snajper) të Kondakos, të cilat e bënë Themistokliun të druhej.
Thuhet se këta andartë, që paguhen prej nesh, kanë bërë shumë veprime grabitjeje dhe po aq masakrime të popullatës. Veprimtaria e tyre, është baza e shumicës të ankesave të popullatës shqiptare dhe mëria kryesore, që të mos them e vetmja, kundër francezëve.
Prandaj kërkoj prej jush shpërndarjen e kësaj çete. Do të bëj ç’është e nevojshme, që të rifillojmë bisedimet me Themistokliun, posa që të jetë e mundur. Duket të jetë e interesit sipëror, për operacionet që janë në veprim e sipër, që çeta e Themistokliut të lërë armët sa të jetë e mundur më shpejt…
2 – GJENDJA POLITIKE
Gjendja politike e Korçës megjithëse duket shumë e ngatërruar, nga shkaku i shumë mendimeve politike dhe fetare; nga shumë qeveri që pasuan njëra pas tjetrës, dhe më në fund për arsye të ndikimeve të jashtme ose vendëse, mund të përmblidhet si vazhdon: një shumicë njerëzish tregtarë dhe të pasur (3) s’duan tjetër veçse ta ruajnë qetësinë dhe sigurinë; duan të vihen nën mbrojtjen e një fuqie e cila, në vend që të ëndërrojë të dominojë në emër të një ideje politike, fetare, ose edhe në emër të një fiksioni, t’ua garantojë, me qenien e saj, ecjen e rregullt të punëve të tyre tregtare.
3 – MJETET E VEPRIMTARISË.
a). Ushtarake (për rikujtim) (4)
b). Politike
Vija e sjelljes sime është e ravijëzuar nga nocioni i qëllimit që duhet arritur dhe prej gjendjes ashtu siç e shoh.
Duke i marrë në dorë shërbimet e ndryshme të qarkut, u thash nëpunësve të ndryshëm:
“Nuk jam dërguar këtu të bëj politikë, por që të përmbush një mision krejtësisht ushtarak. Komanda frënge, do që paqja të mbretërojë në Korçë, sepse kjo është e nevojshme për operacionet ushtarake që po bëhen në rrethin e Manastirit. Nga ana tjetër popullata e Korçës dhe e rretheve përbëhet prej një shumice njerëzish të ndershëm që s’duan tjetër veçse të rrojnë në paqe, dhe prej një pakice agjitatorësh, që nën pretekste të ndryshme duan të mbjellin agjitacion prej të cilit duan të përfitojnë.
Del në shesh se interesi i popullatës është tërësisht i njëjtë me atë të Ushtrisë frënge.
Do të mundohem t’i zhduk gjithë arsyet e grindjeve, ngado që mund të vijnë, dhe do të shpërndaj çetat, cilido qoftë preteksti i formimit të tyre.
Kështu pra, ndenjësit e qarkut mund të venë e rrinë rehat në punët e tyre, dhe jeta publike do të jetë siguruar normalisht, nën mbrojtjen e trupave frënge”.
Me kujdes të madh lashë mënjanë çdo çështje politike të jashtme ose vendëse, dhe besoj se më kanë kuptuar. Do të siguroj administratën e qarkut me nëpunësit e vendit.
Formulë: Administratë vendëse nën kontroll frëng. Duhet të tërheq vërejtjen tuaj nga fakti se Korça është qendra e një prefekture administrative, dhe nuk është e mundur të kufizohemi në një administrim bashkie, po të mos duam anarki, në vend.
Është e nevojshme që çështjet që janë thelbi i jetës publike (drejtësi civile, taksa, rrugë, etj.) të vazhdojnë të shihen. Studimi i këtyre çështjeve detyron komandën frënge të zgjerohet gjer në vendet e prefekturës, në të cilat gjendja ushtarake lejon liri lëvizjeje. Kam shpresë t’ia arrij këtij qëllimi me mjetet që kam në dispozicion.
Në rast se kam nevojë për personel vartës (përkthyes, telefonistë etj.) do t’jua kërkoj kur të paraqitet nevoja. Sot për sot po ju kërkoj të kini mirësinë të më jepni besimin tuaj. Në qoftë se kini direktiva të më jepni, do t’ju jem mirënjohjes të m’i dërgoni.
Disa sqarime mbi këtë raport janë të nevojshme:
“Çetat” (5): Nuk duhet të merret kjo fjalë në kuptimin frëng të termit, por me kuptimin shqiptar “trupa”. Është e vërtetë që janë trupa të parregullta, por nuk duhet lënë mënjanë se janë me cilësi të mëdha dhe me numër të madh. Përbëhen prej njerëzish që luftojnë në vendin e vet, të cilin e njohin me pëllëmbë, prej malësorësh që qarkullojnë me një lehtësi të çuditshme nëpër shkëmbinjtë më të pjerrtë, prej njerëzish të mësuar të luftojnë dhe që u pëlqen lufta. Thjeshtësia e jetës së këtyre burrave është e pakuptueshme. Rrojnë javë të tëra vetëm me bukë si ushqim. Flenë atje ku ndodhen në mbrëmje, pa u preokupuar për mjete fjetjeje vetëm të mbështjellë në gunat e tyre. Çetat shqiptare ishin armatosur mirë. Në përgjithësi kishin Mannlicher austriak, dyfek me vleftë të madhe dhe që dinin ta përdornin mirë. Çdo çetë nëndahet në grupe prej nja pesëdhjetë burrash. Të gjithë çetat e Themistokliut, kishin vlerën e një batalioni frëng; gjithë çetat e Sali Butkës, vlenin disa batalione.
Në paragrafin që flet mbi mjetet e veprimtarisë politike kam përcaktuar modus vivendin që kisha ndërmend të mbaja kundrejt popullatës shqiptare: ishte bazuar në shoqërimin e interesave.
Më në fund kërkoja besimin e Komandës.
Kur një vartës duhet të veprojë dhe të marrë vendime larg nga prijësi prej të cilit varet, nuk mund ta ketë lirinë e mendimit, po të mos e ketë besimin e prijësit të vet. Dhe kur ky besim mbështetet në dërgimin e direktivave që e orientojnë, vartësi mundet, sipas rrethanave ose edhe kundër rrethanave, të veprojë sipas dëshirave të prijësit. Sipas meje kjo është formula e iniciativës të vartësve.
koha.net