Në Berat 135 mln € dëm nga përmbytjet, Salla: Jo përgjegjësi e Ministrisë, por do paraqesim projektligjin për sigurimet në bujqësi
Këtë të enjte në seancën pleanre është zhvilluar interpelanca mes deputetit demokrat Zija Ismaili dhe ministrit të Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Andis Salla. Ismaili tha gjatë fjalës së tij se fermerët e qarkut të Beratit dhe të të gjithë Shqipërisë nuk kanë marrë asnjë kompensim nga qeveria apo bashkitë, pas përmbytjeve të shkaktuara gjatë muajve të fundit. Ismaili tha se vetëm në qarkun e Beratit janë përmbytur në total 900 hektarë, të cilat sipas tij, nëse përllogariten si toka të mbjella me produkte bujqësore, dëmi do të shkonte deri në 135 milionë euro.
“Fermerët janë lënë jashtë vëmendjes së qeverisë, sepse nuk kanë përfituar asnjë kompensim pas përmbytjeve. Çmimi i lartë i naftës dhe mungesa e fondeve po shtyjnë fermerët të braktisin punën e tyre. Në qarkun e Beratit në total janë përmbytur 900 hektarë, duke shkaktuar dëme të mëdha dhe miliona euro humbje. Për 900 hektarë sera, kosto e fermerëve ka shkuar në 21 milionë euro. Rendimenti mesatar për 900 hektarë do të varjonte nga 72 mijë ton deri në 135 mijë ton perime në vit. Nëse këto perime do të shiteshin në tregun e shumicës, me një çmim mesatar prej 1 euro, dëmi ekonomik do të varionte nga 72-135 milionë euro. Shkak kryesor i përmbytjeve kanë qenë kanalet kulluese. Ka pasur një debat mes qeverisë qëndrore dhe asaj vendore, mbi kompetencat për menaxhimin e këtyre kanaleve. Qeveria ka bërë vetëm premtime. U ngritën komisionet lokale për dëmet në sera dhe në fund qeveria u shpërndau nga 1 kg ushqim për bagëtitë e imta dhe nga 5 kg ushqim për gjedhët, përmes kryepleqve të fshatrave, që në fakt janë vetëm patronazhistë”, tha mes të tjerash Ismaili.
Nga ana tjetër, ministri Salla tha se nuk është përgjegjësi e qeverisë kompensimi i dëmeve në rast të fatkeqësive natyrore, nuk është përgjegjësi e qeverisë, por e bashkive. Sipas Sallës, bashkitë kanë përfunduar inventarizimin e dëmeve në terren, për të bërë të mundur më pas kompensimin e fermerëve. Po ashtu, Salla tha se brenda vitit 2026 Ministria e Bujqësisë do të paraqesë në Kuvend projektligjin për sigurimet në bujqësi, e cila sipas ministrit, do të garantojë një zgjidhje të qëndrueshme për situatat e fatkeqësive natyrore.
“Përmes kësaj interpelance të kërkuar nga zoti Ismaili gjej rastin të sqaroj një çështje kaq të rëndësishme për qytetarët. Ministria ndjek në vijimësi situatën e krijuar nga fatkeqësitë natyrore. Reshjet intensive dhe për periudha të zgjatura kohe kanë krijuar përmbytje në tokat bujqësore. Osumi, Devolli e Semani dolën nga shtrati i tyre, duke dëmtuar tokat bujqësore. Ministria është angazhuar dhe në bashkëpunim me bashkitë dhe Emergjencat civile, për të normalizuar situatën në një kohë sa më të shkurtër. Në buxhetin e 2026 Ministria ka parashikuar disa rehabilitime në strukturat mbrojtëse, ku ka pasur dëme nga përmbytjet. Në kuadër të marrjes së masave, Ministria e Bujqësisë do të ndërhyjë në të tjera investime të plotë në basenin lumor, për mbrojtjen nga përmbytjet. Ministria ka bashkëpunuar me bashkitë për evidentimin e dëmeve në terren, për kapërcimin e çdo situate. Megjithatë strukturat e Ministrisë së Bujqësisë nuk e kanë në fushën e tyre përgjegjësinë e kompensimit të dëmeve në rast të fatkeqësive natyrore ndaj fermerëve apo subjekteve të tjera të prekura. Kompensimi i dëmeve bëhet nga organe të qeverisjes vendore. Bashkitë kanë përfunduar vlerësimin e dëmeve në terren. Qeveria siç është bërë e ditur ka shprehu angazhimin se do të vendosë në dispozicion vlerat financiare për të kompensuar dëme të tilla në buxhetin e 2026. Megjithatë për një zgjidhje të qëndrueshme, Ministria e Bujqësisë ka parashikuar që brenda këtij viti të paraqesë projektligjin për sigurimet në bujqësi”, tha mes të tjerash ministri Salla.
KOHA JONË SONDAZH

