Ermal Hasimja tregon marrëveshjen e re të opozitës
Politologu Ermal Hasimja, i cili është në krye të Forumit për Dialogun Politik, foli në emisionin “Terminal” në A2 CNN, duke zbuluar diskutimet dhe marrëveshjen mes partive opozitare për reformën zgjedhore.
Ai tha se puna për këtë çështje ka zgjatur rreth një muaj e gjysmë, gjatë së cilës është takuar me kryetarët e partive, por edhe përfaqësues të tjerë politikë. Sipas Hasimjas, fillimisht është propozuar sistemi proporcional kombëtar, ndërsa më pas është marrë një propozim më i detajuar nga “Shqipëria Bëhet”, si dhe një variant tjetër nga LZHK.
Hasimja theksoi se propozimi më i plotë ka ardhur nga “Shqipëria Bëhet” dhe se këto variante janë diskutuar edhe me Sali Berisha si drejtues i Partisë Demokratike. Ai shtoi se është arritur një dakordësi për proporcional kombëtar me 140 deputetë, lista të hapura dhe koalicione parazgjedhore.
“Kemi një muaj e gjysmë që punojmë me këtë çështje. Kemi takuar kryetarët e partive, por jo vetëm ata. Kemi propozuar që në fillim proporcionalin kombëtar, pastaj kemi marrë një propozim shumë të detajuar nga ‘Shqipëria Bëhet’ për proporcionalin kombëtar. Edhe LZHK na ka paraqitur një propozim të vetin. Kërkonin ose proporcionalin kombëtar, ose kthimin në sistemin e mëparshëm. Propozimi më i plotë ka ardhur nga ‘Shqipëria Bëhet’. Këto propozime i kemi diskutuar edhe me PD-në, si partia më e madhe. Kemi pasur dakordësinë e z.Berisha, duke qenë se me atë kam folur sa herë ka qenë e nevojshme. Kemi një dakordësi për proporcional kombëtar, me 140 deputetë, me koalicione parazgjedhore dhe lista të hapura”, tha Hasimja.
Politologu ftoi edhe partitë “Mundësia” dhe “Lëvizja Bashkë” që të ndryshojnë mendje dhe t’i përgjigjen ftesës.
“Vetëm dy parti s’i janë përgjigjur ftesës, s’i janë përgjigjur fare, as po, as jo, është Mundësia dhe Lëvizja Bashkë. Mirë do të ishte thjesht për mirësjellje të kthenin përgjigje. Shpresoj që në të ardhmen të ndryshojnë mendje”.
KOHA JONË SONDAZH

