
YouTube, Facebook, TikTok dhe platformat e tjera online do të duhet të marrin autorizim për përdorimin e veprave të mbrojtura nga e drejta e autorit dhe të reagojnë në rastet kur konstatohen shkelje. Kjo është një nga risitë e ligjit për të drejtën e autorit, të miratuar sot në Kuvend, sipas ministrit të Turizmit, Kulturës dhe Sportit, Blendi Gonxhja.
Një tjetër ndryshim është detyrimi për platformat ndërkombëtare që operojnë në Shqipëri, por nuk kanë seli në vend, që të caktojnë një përfaqësues ligjor. Sipas Gonxhjes, kjo do t’u japë autorëve shqiptarë një adresë konkrete ku mund të kërkojnë zbatimin e të drejtave të tyre.
Ligji parashikon gjithashtu forcimin e pozitës së autorëve në kontrata. Ata do të kenë të drejtë të informohen se si përdoren veprat e tyre, sa të ardhura gjenerojnë dhe të kërkojnë rishikimin e kontratës në rastet kur e konsiderojnë të padrejtë shpërblimin.
Gonxhja njoftoi edhe riorganizimin e strukturës përgjegjëse për të drejtën e autorit pranë Ministrisë së Turizmit, Kulturës dhe Sportit. Sipas tij, do të krijohet një strukturë e posaçme për mbrojtjen e të drejtave të autorit në fushën digjitale, ndërsa stafi do të shtohet me 11 punonjës. Sipas ministrit, ligji synon të mbrojë më mirë krijuesit shqiptarë, të rrisë përgjegjësinë e platformave online dhe të përafrojë legjislacionin shqiptar me standardet europiane.
