Kryeministri Edi Rama ka ndarë fotografinë familjare nga Samiti i Liderëve të Procesit të Berlinit, që po zhvillohet në Miloçer, pranë Budvës, në Mal të Zi. Në këtë takim janë mbledhur liderët e gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor, Shqipërisë, Kosovës, Serbisë, Maqedonisë së Veriut, Malit të Zi dhe Bosnjë-Hercegovinës, së bashku me përfaqësues të vendeve dhe institucioneve evropiane.
Samiti synon të forcojë bashkëpunimin rajonal dhe të avancojë procesin e integrimit evropian të vendeve të Ballkanit Perëndimor. Në fokus të diskutimeve janë zhvillimi ekonomik, rritja e konkurrueshmërisë, siguria rajonale dhe zgjerimi i bashkëpunimit mes vendeve të rajonit. Takimi zhvillohet në kuadër të Procesit të Berlinit, një nismë që synon të afrojë më tej vendet e Ballkanit Perëndimor me Bashkimin Evropian përmes bashkëpunimit ekonomik dhe politik.
Në një kohë që trazirat me protestat kanë shpërthyer në Europë, kancelari gjerman, Friedrich Merz dha një mesazh të fortë, duke thënë se dhuna dhe polarizimi nuk mund të jenë përgjigje ndaj sfidave politike. Merz apeloi për dialog, stabilitet dhe vijim të reformave.
“Të gjithë i shohim protestat në mbarë rajonin, në mbarë Evropën dhe në vendet tona. Këto protesta japin një mesazh të qartë: duhet të vazhdojmë me procesin e zgjerimit dhe duhet të sigurohemi që qytetarët tanë të përfitojnë prej tij”, deklaroi ai. Kancelari gjerman tha se dhuna nuk duhet të jetë kurrë një alternativë nga asnjëra palë.
Në 13 vite të Procesit të Berlinit, Shqipëria ka përfituar mbi 1 miliard euro, kryesisht grante për infrastrukturën rrugore, ujitjen dhe kullimin. Sipas ekspertit të ekonomisë Fatos Çoçoli, fondet e reja, përfshirë 152 milionë euro për Unazën e Madhe të Tiranës, konfirmojnë përfitimet e këtij procesi. Për të përfituar nga 6 miliardë eurot e tjera të fondeve europiane, Shqipëria duhet të përmbushë kushtet dhe të zbatojë reformat e kërkuara. Në samitin e fundit në Londër u firmosën marrëveshje për njohjen e diplomave, Tregun e Përbashkët Rajonal dhe tregtinë e lirë.
Lexoni edhe:
Rama në Budva, kryeministri me batutë: Mali i Zi, i vetmi vend ku gjithnjë ke helikopter mbi kokë
Samiti në Malin e Zi, Marta Kos: Shqipëria të ruajë ritmin e reformave drejt BE-së
