A marrin drogë policët e “Shqiponjave”?

Nga Herion Mesi

Zv/kryeredaktor i KOHA JONE.

Një pyetje po zien në publik për policët e “Shqiponjave”: A marrin drogë këta policë që janë kaq të dhunshëm që nuk shikojnë dhe nuk njohin asnjë sens logjik. Dhe që veprojnë në kundërshtim me Ligjin.

Përherë ka vërejtje ndaj çdo policie, por për të qenë realist, pjesa tjetër e policisë së shtetit duket korrekte dhe njeh ligjin, e natyrisht dhe sensin e sjelljes me publikun. Natyrisht që ka element apo drejtues policie që veprojnë politikisht, duke prekur votat, pra shkelin ligjin, por janë shumë të sofistikuar.

Reparti “Shqiponja” i krijuar në kohën e Sajmir Tahirit është përzgjedhur në masë dërmuese si repart special dhunues, militant të Rilindjes, të rinjë të moshës 20 deri në 30 vjeç, të beshëm fizikisht dhe që nuk hanë shumë pykë. Natyrisht që mes tyre ka djem e vajza korrekt dhe që të bëjnë ti admirosh për sjelljen e tyre ligjore. Por mënyra se si sillen një pjesë e tyre, të dhunshëm, dhe që nuk respektojnë asnjë rregull e ligj, por turren si qentë ndaj presë së tyre, e që në këtë rast janë opozitarët, mediat kundra qeverisë si dhe të vobektit; e gjitha kjo të krijon dyshime të mëdha se ça pijnë këta?!

Me të fortët janë të butë!

E njohin dajakun edhe këta të “Shqiponjave”! Ndaj me të fortët e lagjeve, ruhen dhe nuk e kruajnë!

Edhe këto ditë, sidomos në ditët e fundit, ky repart special në polici po manifeston skajmërisht dhunë. Dhunë ndaj gazetarëve, dhunë ndaj të rinjve, dhunë ndaj minorenëve, dhunë ndaj kujtdo që nuk do Edi Ramën në pushtet.

Në punë e sipër policia, edhe nga ngarkesa e madhe e tensioni përditë, mund të nxitohet, gabon por ama kërkon falje. Që të jemi konkret; nëse “Shqiponjat” ndalojnë iks person dhe e shoqërojnë në komisariat, nuk kanë pse ushtrojnë dhunë në makinën e policisë apo në furgonin e tyre. As në komisariat, kur personi nuk reagon apo nuk kthen dorë.

Jemi deshmitarë se si këto forca “Shqiponja” sillen harbutçe, mizorisht dhe pabesisht, pasi kur e ke ndaluar një person në makinën e policisë dhe e ke me pranga, nuk mundet e nuk lejohet kurrsesi ta godasësh me grushte në stomak apo ta qëllosh në kokë.

Kjo është makabre, sepse pushtetet ndërrohen!

Me këtë logjikë, një pjesë të këtij reparti militantësh partiak që mbajnë emrin “Shqiponja”, kur të ndërrohen me “Shqiponja” të tjera sapo të ikë qeveria Rama, do t’iu duhet të hanë dajakë, siç po u japin të tjerëve sot!

Por nuk është kjo udha e ligjit dhe e drejtësisë, ndaj pyetja që po shtrohet se “a mos marrin apo iu japin kastile drogë që t’ju bllokojnë mendjen dhe t’ju zgjerojnë muskujt, po shtrohet për një përgjigje nga Policia e Shtetit.

E fundit për të qenë të saktë, duhet përulje për qindra e qindra policë dhe punonjës e specialistë të Policisë së Shtetit që përballen me krimin, bile me paga minimale dhe pa asnjë shpërblim, ndërkohë që vetë qeveria hedh miliona për qejfet e saj.

SHKARKO APP