1.2 milionë pushues nga Kosova? Operatorët: Jo të gjithë vijnë si turistë, përdorin Rinasin për të ikur jashtë
A janë ende kosovarët, turistët që kryesojnë vendin e parë për pushime në Shqipëri? Ministria e Turizmit dhe Mjedisit raporton se deri në maj, vendin e kanë vizituar më shumë se 1.2 milionë pushues nga Kosova, gati 30 për qind më tepër se në po të njëjtën periudhë kohore të një viti më parë. Mirëpo, shifrat nuk përputhen me atë që operatorët turistikë prekin çdo ditë.
“Këtë vit ka më pak shqiptarë nga Kosova dhe ko është e dukshme nga të gjithë. Kjo për shkak të liberalizimit të vizave. Ajo që ndodh është kjo: Ata vijnë në Tiranë sepse çmimet e biletave janë ndjeshëm më të lira se në Prishtinë”, Jetmira Hoxha, operatore turistike.
Numri i pushuesve serbë në 5-mujorin janar-maj është gati 2-fishuar në raport me një vit më parë. Të dhënat nga Ministria e Turizmit dhe Mjedisit tregojnë se turistët nga Rumania, India, Kina, Polonia dhe Franca kanë regjistruar rritjen më të fortë në krahasim me 2023-shin.
Në gjysmën e parë të vitit, në vend rezulton të kenë hyrë 4.5 milionë të huaj. Në raport me një vit më parë, shifrat janë zgjeruar me 1.1 milionë apo 32.4 për qind. Por numrat nuk po reflektohen edhe në terren, të paktën deri më tani.