1.7 milionë turistë vetëm në korrik, Koçollari: 1-2 ditë i kalojnë në Tiranë
Numri i turistëve po vjen në rritje në Shqipëri, duke kulmuar në korrik me 1.7 milionë turistë. Një rritje të madhe kanë turistët nga Spanja dhe Franca. Sipas të dhënave të Ministrisë së Turizmit numri i turistëve përgjatë Korrikut është rritur me 26% në krahasim me Korrikun e vitit të shkuar.
Flukset e turistëve nuk janë vetëm në zonat bregdetare, por edhe në qendër të Tiranës. Sipas drejtores së përgjithme të promovimit të qytetit të Tiranës, Mirela Koçollari, edhe ata vetë janë të befasur nga prurjet e turistëve.
“Shifrat janë fantastike në krahasim me dy vitet e fundit. Këtë vit në fakt të jemi të sinqertë dhe ne nuk e prisnim një numër kaq të madh. Të gjithë turistët që vijnë e vizitojnë Shqipërinë një ditë në mënyrë absolute e kalon në Tiranë, kështu që le të themi që është e njëjta shifër e publikuar nga Ministria e Turizmit”.
Sipas saj ndërlidhja e mirë e Tiranës me vendet e tjera është një faktor ndikues në rritjen e turistëve. “Tirana tashmë është bërë një nga kryeqytetet më të lidhura së pari me Italinë, janë hapur shumë linja me destinacione të ndryshme të Evropës, me low cost, me bileta shumë ekonomike ku të gjithë e gjejnë veten”.
Qendra mbetet zona që turistët vizitojnë më shumë në kryeqytet. “Pikënisja është sheshi Skënderbej dhe vazhdojmë përtej në bulevard, vizitojnë të gjitha institucionet apo objektet kult siç është xhamia apo muzetë siç është bunkarti që shohin që kanë një kuriozitet për atë periudhë historike. Kalaja e Tiranës që ka një ndërthurje të historisë dhe kulinarisë, gjithashtu Pazari i Ri, një nga atraksionet e fundit ka qenë Piramida. Bëjnë dhe itinerare ditore”.