1 miliardë lekë minus nga taksa e pronës – Mungesa e kadastrës fiskale solli dështimin e formulës

61 bashkitë në vend kanë mbledhur rreth 1 miliardë lekë më pak sa ishte parashikuar nga taksa mbi ndërtesat në 11 muaj, duke vërtetuar se iniciativat e nxitura, siç ishte kjo,  dështojnë në rast se nuk është garantuar infrastruktura e duhur.   Këtë gjë e faktojnë edhe treguesit fiskalë, ku rezulton se taksa mbi ndërtesat për periudhën Janar-Nëntor,  është mbledhur në nivelin e rreth 4.8 miliardë lekë nga 5.8 miliardë që ishte plani.

Ndërsa është  në të njëjtat shifra të një vitit më parë, ku në total janë mbledhur rreth 4.8 miliardë lekë.  Përpos mosfunksionimit të metodologjisë së re për shkak të mungesës së kadastrës fiskale, këtë vit kanë ndikuar edhe zgjedhjet vendore dhe fakti që administrata lokale nuk ka pasur përqendrimin maksimal.

Sipas të Dhënave të Shoqatës së Bashkive të Shqipërisë, sistemi në tërësi nuk po funksionon mirë dhe pushteti vendor po  vjel këtë taksë me metodat e vjetra. Ndërsa duket se Ujësjellës Kanalizime Tiranë ka marrë masa duke iu bërë apel qytetarëve që të  bëjnë vetë-deklarimet për sipërfaqet banuese, në mënyrë që të kenë të dhëna më të të sakta për çdo familje dhe nga Janari 2020 të aplikojë mbledhjen e saj sipas vlerës së tregut.  Pranë këtij institucioni është ngritur edhe drejtoria e taksës së pronës që do të menaxhojë këtë sektor.

Ndërsa formula e re ka hyrë në fuqi që në 1 Prill 2018, duket se zbatimi saj është shumë larg, ndërsa qeveria ka parashikuar rritje të të ardhurave me 50-70 milionë euro në vit.

SCAN

SHKARKO APP