105 vite Arma e Xhenios, ministri Vengu: Shtyllë e sigurisë kombëtare dhe zhvillimit të infrastrukturës
Ministri i Mbrojtjes, Pirro Vengu mori pjesë në ceremoninë përkujtimore të 105-vjetorit të Armas së Xhenios, së bashku me drejtues të lartë ushtarakë, ish-komandantë të forcës xheniere, si dhe ushtarakë në rezervë dhe në lirim. Vengu vlerësoi kontributin historik dhe aktual të Batalionit të Xhenios në mbështetje të sigurisë kombëtare, zhvillimin e infrastrukturës dhe përballimin e emergjencave civile.
Ai theksoi se ky përvjetor nuk përbën vetëm një moment festiv, por edhe një reflektim mbi domosdoshmërinë e rritjes së vazhdueshme të kapaciteteve profesionale dhe teknike të kësaj force. “105 vite Arma e Xhenios- Simbol i specializimit dhe profesionalizmit, element i një ushtrie moderne, ku kapaciteti teknik është po aq i rëndësishëm sa aftësitë luftarake.
Reparti ka luajtur ndër vite një rol thelbësor në ndërtimin dhe mirëmbajtjen e infrastrukturës, në përballimin e emergjencave civile, si dhe në garantimin e mbështetjes operacionale për sigurinë kombëtare. Përtej mbrojtjes dhe reagimit, Xhenio i jep ushtrisë dimensionin e rindërtimit dhe ripërtëritjes, me ndikim të drejtpërdrejtë në komunitetet ku shërben. Mirënjohje dhe përkushtim për të ndërtuar mbi trashëgiminë, një Shqipëri më të sigurt dhe më të fortë”, tha Vengu.

