11 maj 2025, presidenti Begaj dekreton datën e zgjedhjeve
Zgjedhjet e përgjithshme do të mbahen më 11 maj 2025. Presidenti Bajram Begaj ka firmosur sot dekretin. Për këto zgjedhje, Presidenti kishte në dispozicion katër të diela midis datave 15 prill dhe 15 maj 2025. Shkaku themelor për caktimin e datës 11 maj 2025 si datë për mbajtjen e këtyre zgjedhjeve qëndron në nevojën e shprehur nga KQZ-ja për të shfrytëzuar të gjithë kohën në dispozicion për përgatitjen e infrastrukturës ligjore dhe organizative, me qëllim që të bëhet i mundur votimi i sukseshëm dhe rezultativ i shqiptarëve nga jashtë vendit.
Njoftim i plotë për shtyp nga Presidenca
Sot Presidenti i Republikës nxorri dekretin për caktimin e datës së zgjedhjeve për zgjedhjet për Kuvendin e Shqipërisë. Zgjedhjet e përgjithshme do të mbahen në datën 11 maj 2025. Për këto zgjedhje, Presidenti i Republikës kishte në dispozicion katër ditë të diela midis datave 15 prill dhe 15 maj 2025. Shkaku themelor për caktimin e datës 11 maj 2025 si datë për mbajtjen e këtyre zgjedhjeve qëndron në nevojën e shprehur nga KQZ-ja për të shfrytëzuar të gjithë kohën në dispozicion për përgatitjen e infrastrukturës ligjore dhe organizative, me qëllim që të bëhet i mundur votimi i sukseshëm dhe rezultativ i shqiptarëve nga jashtë vendit.
Presidenti i Republikës shpreh bindjen se sfida madhore e këtyre zgjedhjeve është votimi nga jashtë vendit dhe përfshirja masive e zgjedhësve me banim jashtë shtetit në këtë proces thelbësor për demokracinë. Të gjitha forcat politike kanë shprehur publikisht vendosmërinë për të ndihmuar këtë proces dhe për t’ia nënshtruar caktimin e datës së zgjedhjeve këtij interesi prioritar. Presidenti i Republikës bashkohet plotësisht dhe e respekton pa mëdyshje këtë vullnet.
Partia Demokratike dhe një pjesë e konsiderueshme e partive parlamentare i paraqitën Presidentit të Republikës shqetësimin, se planifikimi i samitit të 6-të të Komitetit Politik Evropian (EPC) për datat 8 dhe 9 maj të vitit 2025, dy ditë para datës së fundit të mundëshme për zhvillimin e zgjedhjeve, formon ndikim dhe avantazh të papranueshëm për qeverinë, si dhe cënon ndjeshëm parimin e barazisë së armëve që kërkon Kodi Zgjedhor për fushatën zgjedhore.
Pa vënë në diskutim lejueshmërinë ose jo të një veprimtarie të tillë, sepse kjo është kompetencë ligjore e KQZ-së, Presidenti i Republikës bashkohet në qëndrimin, se zhvillimi nga ana e qeverisë i një takimi të kësaj natyre në finalen e fushatës zgjedhore, me pjesëmarrjen e jashtëzakonshme të lidershipit politik evropian, nuk mund të jetë pa ndikim në caktimin e datës së zgjedhjeve.
Për këtë arsye, Presidenti i Republikës, pasi bëri të gjitha verifikimet e nevojshme me autoritetet kompetente të Shqipërisë, mori zyrtarisht sigurimet, se aktiviteti i mësipërm do të zhvillohet pas zgjedhjeve parlamentare, fakt ky i konfirmuar për Presidentin e Republikës edhe nga interlokutorët ndërkombëtarë.
Konfirmimi zyrtar si më sipër heq rezervën e shprehur nga Partia Demokratike dhe nga pjesa tjetër e partive parlamentare ndaj datës 11 maj 2025 dhe e bën këtë datë të pranueshme dhe të pëlqyeshme për të gjithë faktorin politik. Për këto arsye Presidenti i Republikës vendosi që të respektojë kërkesën e KQZ-së dhe të caktojë datën 11 maj 2025 si datë për zhvillimin e zgjedhjeve për Kuvendin e Shqipërisë.