
Bashkia e Tiranës pezullon detyrimet fiskale vendore për bizneset e dëmtuara gjatë protestave të ditëve të fundit në kryeqytet. Pezullimi do të jetë në fuqi deri në rihapjen normale të aktivitetit të këtyre subjekteve, në përputhje me procedurat dhe legjislacionin në fuqi.
Vendimi vjen në një kohë kur dhjetëra biznese kanë pësuar dëme materiale gjatë protestave. Sipas të dhënave të publikuara nga Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve, deri më tani janë identifikuar 127 subjekte të prekura, ndërsa vlera e dëmeve të evidentuara arrin në 2.15 milionë euro.
Nga bizneset e identifikuara, 55 janë evidentuar përmes verifikimeve në terren nga administrata tatimore, ndërsa 72 të tjera kanë raportuar dëmet përmes shërbimit elektronik “Dëmi im”.
Procesi i evidentimit dhe vlerësimit të dëmeve vijon. Administrata Tatimore u ka bërë thirrje bizneseve të prekura që të raportojnë dëmet përmes shërbimit “Dëmi im” në portalin e-Albania.
