14 kilometra larg njëri-tjetrit, si u gjetën në pesë ditë trupat e Almës dhe të fëmijëve

Vetëmbytja e Alma Arrazit dhe tre fëmijëve të saj, tronditi mbarë opinionin publik. 39-vjeçarja u largua në datën 2 maj nga shtëpia bashkë me tre fëmijët e vegjël, dy vajzat 9 dhe 6 vjeçe, dhe djalin 3 vjeç, dhe u pa për herë të fundit duke pirë kafe në një lokal në Shkodër, afër urës së Bunës.

Bashkëshorti denoncoi në polici zhdukjen, ndërsa nisën kërkimet për lokalizimin e tyre. Ishte një peshkatar i zonës ai që në orët e para të mëngjesit të 4 majit, teksa kishte dalë për peshk në ujërat e Bunës, pikasi trupin e pajetë të vajës 9 vjeçare.

Dje pasdite u gjet trupi i pajetë i vajzës së dytë, ndërsa sot u gjet 3-vjeçari dhe më pas edhe Alma Arrazi. Sipas një harte, trupi i vajzës së madhe u gjet në Darragjat, 6-vjeçarja u gjet në Dajlan afër urës së Bunës, ku mendohet që janë hedhur, djali u gjet në Zues, e ndërsa nëna në Pentar.

Nga rrjedha e lumit trupat janë shpërndarë në një distancë prej 14 kilometrash. Policia vijon hetimet për zbardhjen e plotë të kësaj ngjarjeje tronditëse, ndërsa bashkëshorti i Almës, Erdys Arrazi, është lënë në burg këtë paradite, pasi dyshohet se ishte ai që ka shtyrë të shoqen drejt aktit të vetëflijimit.

SHKARKO APP