14 Maji, alternativat e partive për qytetarët në qarkun e Vlorës
Vlora, epiqendra e turizmit shqiptar dhe një nga polet e zhvillimit ekonomik të vendit, po hyn në zgjedhjet lokale të këtij viti me zhvillime ambicioze, sfida serioze dhe probleme që ende nuk u shihet zgjidhja. Ndonëse gara përqarkun shtrihet në shtatë bashki, është qendër-qarku, Bashkia e Vlorës, ajo që mban vëmendjen më të madhe. Që pas trazirave të vitit 1997, Vlora ka votuar ekskluzivisht Partinë Socialiste, ndërsa vetë Kryeministri Edi Rama ka qenë tri herë deputet i zonës.
Këtë herë, PS po garon një diplomat karriere, Ermal Dredhën, i cili mund të ecë në gjurmët e të atit, që më herët ka drejtuar Bashkinë e Vlorës. Koalicioni opozitar “Bashkë Fitojmë” ka hyrë në garë me ekonomistin Hysni Sharra, i cili po ashtu ka një traditë familjare në politikë. Ndërsa Partia Demokratike zyrtare nuk ka kandidat për Vlorën.
Gjatë mandatit të fundit si edhe në hyrje të këtij mandati të ri të pushtetit lokal, Vlora ka marrë vëmendje të shtuar sa i takon investimeve dhe reformave. Përveç se një port strategjik, rëndësia që ka qarku në ekonominë e vendit është e dukshme dhe gjithmonë në rritje. Në vitin 2022, Vlorën e vizituan 1.6 milionë turistë krahasuar me 950 mijë në 2021-shin.Investimet në infrastrukturë transporti përfshijnë tunelin e Llogarasë dhe një sërë aksesh të reja rrugore. Ndërkaq është në zhvillim e sipër edhe Aeroporti i Vlorës pranë lagunës së Nartës, krahas projekteve të tjera siç është ai për portin e ri.
Paralelisht me këto zhvillime, Vlora po përballet me krizën e punëtorëve, sidomos gjatë sezonit turistik, si edhe me një rritje të fortë çmimeve të pasurive të paluajtshme –një sektor ky i karakterizuar nga ndërhyrjet e krimit dhe dorëheqjet në seri të drejtorëve të kadastrës.
Gjithashtu, në raporte ndërkombëtare, Vlora është përmendur pas Tiranës, si një nga zonat ku pastrohen dhe investohen para nga trafiku i drogës dhe lloje të tjera të krimit të organizuar. Ndërkaq, kandidatët për bashkinë, përveç vizionit të tyre në projekte të treja për zhvillimin e mëtejshëm të qytetit dhe të rritjes së mirëqenies për qytetarët, duhet të jenë në gjendje të adresojnë edhe problemet, ato të trashëguara si edhe sfidat e reja.
Qarku i Vlorës përbëhet nga 7 bashki; Vlora, Saranda, Himara, Selenica, Delvina, Finiqi dhe Konispoli, dhe për drejtimin e këtyre qyteteve, në garë janë 17 kandidatë.
Në Sarandë gara do të jetë e ndarë mes katër emrave, pasi PS kërkon që të vijojë qeverisjen me një emër të ri, Oltion Çaçin. Koalicioni “Bashkë Fitojmë” kërkon votëbesimin me Ardit Çakulin, ndërsa PD propozon emrin e Skënder Muços. Në këtë bashki garon dhe Gjergj Mërkuri si kandidat i pavarur i propozuar nga zgjedhësit.
Himara, si e treta bashki me e rëndësishme e këtij qarku do të ndahet mes dy kandidatëve, të cilët i përkasin minoritetit grek. Jorgo Goro nga Partia Socialiste kërkon mandatin e tretë. Ndërsa, Dhionisios Alfred Beleri nga koalicioni “Bashkë Fitojmë” aspiron për të tretën herë që të drejtojë Himarën, pas dy garave të humbura.
Në Selenicë përballja do të zhvillohet mes Nertil Bellajt nga Partia Socialiste dhe Leonard Rakipajt nga koalicioni “Bashkë Fitojmë”. Bashkia e vogël e Delvinës do të ketë një garë mes të përzgjedhurit e socialistëve, Besmir Veli dhe Ilir Mehmetit nga koalicioni “Bashkë Fitojmë”.
Finiqi është bashkia tjetër minoritare në qarkun e Vlorës, në të cilën gara do të zhvillohet mes tre emrave të spikatur të këtij qyteti. Partia Socialiste në këtë bashki bashkëpunon me Partinë “Minoriteti Etnik Grek për të Ardhmen” dhe propozojnë emrin e Romeo Çakulit. Koalicioni “Bashkë Fitojmë” garon me të përzgjedhurin e partisë minoritare PBDNJ, Leonidha Kristo. Partia Demokratike kërkon që votat e qytetarëve t’i fitojë me emrin e Leonidha Papas. Ndërsa në bashkinë e skajit më jugor, atë të Konispolit, gara për 14 Majin zhvillohet mes Ergest Dules nga PS dhe Fatmir Sheros nga “Bashkë Fitojmë”. /A2cnn/