14 Maji, Paloka akuzon Alibeajn: Loja bëhet për të mbajtur Ramën në pushtet
Deputeti i PD-së Edi Paloka thotë se partia nuk ndodhet në kushtet e 6 marsit, duke shtuar se asokohe bëhej fjalë për zgjedhje të pjesshme, ndërsa në 14 maj zgjedhjet janë jo vetëm për demokratët. Paloka u shpreh se roli i Ali-Bashës është për të çuar deri në fund dëshirat dhe synimet e Edi Ramës, por se në këtë rast ai do dëmtojë Ramën, se kandidatët e tij do jenë kandidatët e Edi Ramës dhe se në vend të ndajnë votat e PD, do ndajnë votat e Ramës.
“Ai është i vendosur ta çojë deri në fund misionin që i ka dhënë Rama, ka një grup që i kërkojnë të mjaftohet me këshilltarët, por çfarëdo që të bëj ne jemi të ndarë në këtë pikë. Anëtarësia poshtë që nuk është e marrë peng dhe e lidhur me interesa financiare me Ramën, janë njerëz që kanë 10 vite pa punë. Anëtarët e PD e kanë vuajtur dhe po e vuajnë në të gjithë format.
Rama opozitën e ka parë dhe e sheh si armiken e tij. Ata poshtë e dinë mirë se çfarë do të thotë të vihesh në shërbim të Ramës. Baza dhe elektorati janë të qartë si do votojnë. Uzurpimi nga grupimi i Ali-Bashës të vulës që i dha Rama, mund të bëjë një lloj dëmi diku, por nuk besoj se do të ketë efekt. E pranojnë vetë deputetët që qëllimi i tyre është dëmtimi i PD.
Më qartë se kaq nuk besoj se ka jo militantë në PD, por çdo qytetar që mbështet opozitën nuk mund ta çojë votën te Rama, se të çosh votën te Alibeaj, është ta çosh te Rama. Gjithë loja e Alibashës është në funksion të mbajtjes së Ramës në pushtet, vota për të është votë për Ramën”,-tha Paloka për ”MCN TV”.