14 Maji, Vangjel Dule: Në Himarë kishte trysni për zgjedhësit deri në asfiksi
Kreu i PBDNJ-së, Vangjel Dule në një intervistë televizive tha se gjatë procesit zgjedhor të 14 Majit ka pasur blerje masive votash. Ndaj ai theksoi se duhet të ngrihet një komision hetimor. ”Është i domosdoshëm një komision hetimor, por jo thjesht dhe vetëm për të argëtuar shqetësimet e qytetarëve sepse ne kemi një përvojë me to se asnjëherë nuk nxjerrin në pah thelbin e çështjeve. Ishte një blerje masive e votës, një trysni e gjithanshme, përshembull në bashkinë e Himarës, ishte një trysni deri në asfiksi për zgjedhësit”,-tha Dule.
Nga ana tjetër, Dule shpjegoi konkretisht një rast, ku sipas tij në Himarë manipuloheshin zgjedhësit për votën. ”Po ju them një rast, në një qendër votimi përballë ekziston një lokal, në të ishin njerëz të afërm të kryetarit të atëhershëm të bashkisë dhe punonjës të bashkisë, shkonin për të ushtruar të drejtën e votës qytetarët, sa afroheshin u binte telefoni. Mos harroni se kërkesën për legalizim prone e merrni ditën e Hënë, ishte diçka e drejtëpërdrejtë. Edhe punonjës të Kadastrës. Pse ankohemi për patronazhistët? Çdo qytetar është i skeduar me problemet e tij, e shkelin në kallo aty ku qytetari nuk mund të rezistojë”,-tha më tej Dule.
Kreu i PBDNJ-së deklaroi se pas arrestimit të Fredi Belerit, pati përgjegjësinë e gjithë fushatës në Himarë. Dule u shpreh po ashtu se në Himarë rrëmbehen prona në mënyrë të paligjshme çdo ditë.