14 vatra zjarri në të gjithë Shqipërinë, reagon Ministria e Mbrojtjes: Rrezik shumë i lartë në disa qarqe
Shqipëria vijon të jetë në luftë me flakët e zjarrit prej disa ditësh për shkak të temperaturave të larta dhe erës në zona të caktuara që i favorizon.
Ministria e Mbrojtjes thotë se në 24 orët e fundit janë shfaqur 38 vatra zjarri në të gjithë vendin, prej të cilave janë aktive 14.
Situata më e rëndë vijon të jetë në Finiq, ku për ditë me radhë zjarri kalon nga njëri fshat në tjetrin. Në fshatin Leshnicë e Poshtme të Finiqit u dogjën disa banesa. Momentalisht zjarri ka kaluar në fshatin Krane, të njësisë administrative Mesopotam.
Në terren kanë qenë 37 efektivë me 6 automjete zjarrfikëse, 20 forca policore, 30 forca bashkiake dhe vullnetare, të ndihmuar nga Forcat e Armatosura me 28 efektivë, 4 automjete zjarrfikëse, 1 autoambulancë, 1 autobot, 60 forca ushtarake dhe mbështetje nga ajri. Ndërsa nga ajri ka hedhur ujë avioni Canadair i ardhur nga Kroacia.
Edhe në fshatin Krongj të Finiqit është riaktivizuar vatra e zjarrit, e për pasojë janë evakuuar banorët.
Në zonën e mbrojtur “Rëzom” të njësisë njësia administrative Vergo, mbi tunelin e Skërficës që lidh Sarandën me Gjirokastrës, ka një vatër zjarri. Për shkak të terrenit të thyer është e vështirë ndërhyrja nga toka.
Në fshatin Bolenë të Himarës ka vatër zjarri, ku forcat operacionale, të ndihmuar edhe nga 20 efektivë të Forcave të Armatosura, po punojnë për shuarjen e flakëve.
Në fshatin Lukovë të Himarës, ka rënë zjarr në një sipërfaqe me shkurre dhe ferra. Në terren po punojnë efektivët e MZSH Himarë, Sarandë me 3 automjete zjarrfikëse dhe 11 efektivë, për shuarjen e tij. Gjithashtu ka operuar edhe avioni kroat Canadair. Ditën e sotme forcat operacionale po punojnë për shuarjen e zjarrit, të ndihmuar dhe nga 1 mjet zjarrfikës me 3 efektivë të MZSH, Fier.
* Qarku Lezhë. Në fshatin Malaj i Epërm, në lagjen “Vjollcë”, njësia administrative Rrëshen, bashkia Mirditë, ku zjarri është izoluar në sipërfaqe pyjore me pisha, lis dhe shkurre. Vatra e zjarrit është nën kontroll të plotë, por forcat operacionale po e mbajnë në monitorim.
* Qarku Dibër. Malin e Allushit, në afërsitë fshatit Plani Bardhë, bashkia Klos, vatra e zjarrit është nën kontroll dhe po monitorohet nga 6 efektivë të MZSH dhe 1 automjet zjarrfikës.
* Qarku Berat. Në bashkinë Poliçan, jashtë territorit të Uzinës Mekanike, vazhdon aktive vatra e zjarrit në një sipërfaqe me shkurre dhe ullishte. Zjarri ka kaluar mbi ujësjellësin, pranë një grupi banesash dhe pranë qytetit tek Azili i të Moshuarve. Në terren kanë operuar forcat e MZSH të bashkisë Poliçan, Berat, Skrapar, Lushnje, Patos dhe Roskovec me 7 automjete zjarrfikëse dhe 25 efektivë, të ndihmuar nga 60 efektivë të FA e mbështetje nga ajri. Vazhdon puna me intensitet nga forca operacionale për vënien nën kontroll të tij. Janë bërë evakuime të banorëve.
* Qarku Tiranë. Në vendin e quajtur “Mali i Bërzhitës”, fshati Ibë, njësia administrative Bërzhitë, bashkia Tiranë. Zjarri është përhapur në një sipërfaqe prej 5 Ha në zonë me shkurre dhe ferra. Ditën e sotme forcat operacionale po punojnë për shuarjen e zjarrit.
* Në fshatin Ballaj dhe Zhabjak, njësia administrative Kryevidh, bashkia Rrogozhinë. Zjarri mori përmasa duke rrezikuar banesat e fshatit Ballaj, por pas një pune të palodhur të forcave zjarri është vënë nën kontroll, ndihmuar edhe nga një helikopter i FA dhe 50 efektivë. Janë shpëtuar mbi 50 banesa, ku në 6 prej të cilave zjarri arriti deri në oborr, por fatmirësisht pa shkaktuar asnjë dëm. Ditën e sotme forcat operacionale po punojnë për eliminimin e plotë të vatrës.
* Në fshatin Okshtun, njësia administrative Lekaj, bashkia Rrogozhinë. Ditën e sotme forcat operacionale po punojnë për shuarjen e zjarrit.
* Në fshatin Peqinaj, njësia administrative Synej, bashkia Kavajë, Si pasojë është përshkuar rreth 10 ha sipërfaqe. Ditën e sotme forcat operacionale po vijojnë të punojnë për shuarjen e zjarrit.
* Qarku Durrës. Në malin e Krujës, sipër fabrikës së çimentos, bashkia Krujë, ka rënë zjarr në sipërfaqe me pyll pishe. Në terren janë angazhuar 15 forca operacionale, të cilët kanë bërë të mundur izolimin e tij. Intensiteti i zjarrit është ulur. Ditën e sotme forcat operacionale po e mbajnë në monitorim.
* Qarku Gjirokastër. Në fshatin Turan, njësia administrative Qendër Tepelenë, bashkia Tepelenë, ku vatra është izoluar, por po vijon monitorimi.
* Qarku Elbasan. Në fshatin Mukaj, njësia administrative Kukur, bashkia Gramsh, situata ka qenë problematike për shkak të erës, duke rrezikuar edhe banesat. Ditën e sotme forcat operacionale po punojnë për shuarjen e zjarrit, të mbështetur dhe 8 efektivë dhe 12 forca te bashkisë Gramsh.
* Në vendin e quajtur tek “Uzina”, bashkia Cërrik. Aktualisht zjarri është izoluar dhe vijon puna për fikjen e plotë të vatrës se zjarrit.
Në operacionet për shuarjen e zjarreve u angazhuan 68 automjete zjarrfikëse dhe 601 forca operacionale, të ndihmuar nga FA me 183 forca ushtarake, 3 automjete zjarrfikëse dhe 3 helikopterë të FA. Gjithashtu morën pjesë edhe 2 avionë Canadair nga Kroacia dhe Italia. Një prej avionëve Canadair nga Kroacia ka ndërhyrë prej orëve të para në Synej të Rrogozhinës.
Në dispozicion sot janë edhe dy helikopterët Black Haëk të Forcës Ajrore të Emirateve të Bashkuara Arabe.
Helikopterët e Forcës Ajrore çeke dhe asaj sllovake kanë operuar sot nga Baza e Kuçovës drejt Gramshit.
Nga parashikimet e IGJEO, sot nuk priten reshje.
Sa i përket zjarreve, pritet nivel rreziku I “LARTË” në të gjitha qarqet. Nё disa qarqe pritet rrezik “SHUMË I LARTË” vetёm nё zona tё lokalizuara, konkretisht: qarku Shkodër (Jug), qarku Lezhë (Veri), qarku Elbasan (Perëndim).
Temperaturat maksimale pritet të arrijnë deri në 42 °C në vendet e ulët, ndaj përsërisim thirrjen për qytetarët të tregojnë kujdes të shtuar në këto ditë të nxehta dhe të njoftojnë çdo vatër zjarri pranë autoriteteve vendore.
KOHA JONË SONDAZH

