15-vjetori i “News 24”, bashkon politikën
15 vjetori i televizionit News 24, ka bërë bashkë politikanë të ndryshëm, personalitete të kulturës, medias dhe artit. Në këtë ceremoni kanë qenë të pranishëm dhe autoritet më të larta të shtetit, Presidenti Ilir Meta dhe kryetari i Kuvendit, Gramoz Ruçi.
Ndonëse opozita ka sulmuar dhe vijon të sulmojë kreun e Kuvendit Gramoz Ruçi, kjo se ka penguar ish-kryetarin e LSI-së, tashmë President, që të qëndrojë krah për krah në një tavolinë me Gramoz Ruçin, edhe pse në këtë event ishte e pranishme edhe e shoqja, kryetare aktuale e LSI-së, Monika Kryemadhi.
Në mbrëmjen gala të organizuar për këtë 15-vjetor, Presidenti Hysenbelliu dha një mesazh dhe urim për të gjithë të pranishmit. Ai tha se News24 nuk është një biznes por një investim për shoqërinë, zëri i të pafuqishmit.
“I nderuar zoti President, i nderuar zoti Kryetar i Parlamentit, i nderuar Kryetar i parlamentit të Maqedonisë dhe të nderuar miq nga vendet fqinj! Të nderuar përfaqësues të trupit diplomatik, përfaqësues të komuniteteve fetare! Është nder i veçantë t’ju mirëpres të gjithëve në këtë 15-vjetor për të festuar një moment të rëndësishëm për News24. Është kaq e mrekullueshme të jesh në praninë e personaliteve të tilla. Ky përvjetor është i veçantë për mua. Është frymëzuese kjo histori e shkurtër, është model i suksesit. Historia e një investimi modest, prej disa njerëzve vizionarë. Është e veçantë sepse mishëron pasionin, përpjekjet e qindra djemve e vajzave që i dhanë shpirtin kësaj risie që do mbërthente shqiptarët para ekranit dhe do bëhej modeli për shumë media të tjera. Pas eksperiencës së fëmijës tim të parë mediatik, gazeta Panorama një tjetër histori suksesi. Ju bashkova këtij projekti të veçantë me vendosmërinë për të arritur, një impakt. News24 nuk është biznes por investim për shoqërinë, zëri i të pafuqishmit. Ky është impakti që kisha ëndërruar, por News24 u ngrit mbi këtë filozofi”, tha Hysenbelliu.
Ai theksoi se “në këto vite ja kemi dalë ta rrisim për ta bërë më modern, më të pavarur dhe të paanshëm, historia frymëzuese e këtyre viteve është modeli i së ardhmes. Një televizion që i shërben më shumë shqiptarëve. Dhjetëra gazetarë, spikerë, drejtues emisionesh, punonjës të shkëlqyer që kanë mirënjohjen time pa kufi. Urime të gjithëve në këtë festë të mrekullueshme”, deklaroi Presidenti Hysenbelliu.