181 viktima nga aksidentet në vitin e pandemisë nga Covid-19
Edhe pse 2020 është viti ku shqiptarët u izoluan dhe bota u fut në karantinë, jetët e humbura nga aksidentet rrugore janë në shifra të larta. Vetëm në dy muajt e parë të këtij vitit, 40 persona humbën jetën në rrugët e vendit, një rritje e ndjeshme krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë, ku 29 persona humbën jetën në aksidente rrugore.
Në muajt janar-shkurt 2021 ndodhën 204 aksidente rrugore nga 199 aksidente të ndodhura në dymujorin e parë të vitit 2020, duke u rritur me 2,5%. Në 7 vitet e fundit në vend, 1646 persona kanë humbur jetën si pasojë e 12366 aksidenteve rrugore të ndodhura, ndërkohë që numri i të plagosurve është 14985.
Përgjatë 2020, në rrugët e vendit u regjistruan 1234 aksidente rrugore në të cilat humbën jetën 181 qytetarë. Përdorimi i alkoolit është ndër shkaktarët e aksidenteve rrugore, ndonëse në 4 vitet e fundit ka pësuar ulje.
Vdekjet si pasojë e aksidenteve rrugore përllogariten në vlerën e rreth 1,5 për qind të vdekjeve totale të ndodhura në vend. Shqipëria renditet ndër vendet me numrin më të lartë të vdekjeve nga aksidentet në rrugë në raport me popullsinë.