2 korrik 1990 – 2 korrik 2021, eksodi vazhdon!

Nga Afrim Krasniqi-
2 korrik 1990 – 2 korrik 2021
Vlerësimi? Ngjarjet e korrikut 1990 patën impakt të rëndësishëm në ecurinë e zhvillimeve politike dhe shoqërore në Shqipëri. Periudha e sjelljes represive korrik-gusht 1990 i la vendin zhvillimeve të reja në shtator-nëntor, kulmi i të cilave ishte lëvizja studentore e dhjetorit. Shumica absolute e atyre që u larguan përmes ambasadave në korrik 1990 apo kaluan klonin kufitar gjatë atij viti nuk arritën në tri dekada të krijojnë zë publik dhe të bëhen faktorë referimi. Dëshmitë e tyre, kryesisht në raste përvjetorësh, në tërësi kufizohen në përjetime personale, në evokim të njohjeve e detajeve të kohës, të cilat kanë vlerë modeste dokumentare. Akti i tyre dhe sidomos impakti që ai pati në historinë e re të Shqipërisë është shumë më i madh sesa dëshmitë e rrëfyera. Eksodi i korrikut u pasua nga valë të reja eksodi në janar, mars e gusht 1991, në pranverën e vitit 1997 dhe në vitet pasuese. Asnjë prej tyre nuk ka tiparet, rëndësinë, natyrën dhe impaktin që pati korriku 1990. Ekdosi i korrikut nuk ishte ikje nga regjimi, por fillimi i fundit të ikjes së vetë regjimit.
Kurba e tranzicionit tregon se dosja e ambasadave pati të njëjtin fat si të gjitha ngjarjet e tjera të mëdha në historinë tonë, – ata më të pushtetshmit imponuan trajtimin e tyre historik, herë me retushim faktesh e ngjarjesh, herë me injorim të disa prej të vërtetave, përfshirë edhe të protagonistëve realë shqiptarë e të huaj. Kjo monografi e publikuar pak muaj më parë tenton të plotësojë boshllëkun e krijuar dhe të hedhë sado pak dritë në dokumentacionin dhe të vërtetat e korrikut 1990, si pjesë e të vertetave mbi shtetin e shoqërinë shqiptare në një prej viteve më të rëndësishme të tyre gjatë shekullit të XX.

SHKARKO APP

KOHA JONË SONDAZH

Kush mendoni se duhet të jetë në emër të PD dhe opozitës kandidat për kryebashkiak në Tiranë?