
Një peshk i verdhë i ndezur është zbuluar në ujërat e liqenit Oswego, në shtetin e Nju Jorkut. Krijesa ka tërhequr vëmendjen e shkencëtarëve në Shtetet e Bashkuara për shkak të pamjes së tij tepër të rrallë. Ekzemplari i përket species Lota lota, e cila normalisht ka ngjyrë kafe të errët, gri ose të zezë, shpesh me njolla.
Shërbimi Amerikan i Peshkut dhe Jetës së Egër e ka cilësuar ekzemplarin si një rast jashtëzakonisht të rrallë, pothuajse një në një milion, shkruan Newsmax Balkans. Sipas ekspertëve, ngjyra e pazakontë shkaktohet nga një fenomen biologjik i quajtur ksantokromizëm. Ky është një ndryshim i rrallë gjenetik që ndikon në pigmentimin e trupit. Ai krijon nuanca të forta të verdha ose portokalli.
Zbulimi u bë rastësisht nga një grup biologësh gjatë një kontrolli rutinë për specie ujore pushtuese në portin e Oswegos. Megjithatë, studiuesit vunë re se kafsha ishte shumë e dobët dhe shfaqte shenja të gjendjes së keqe shëndetësore. Për këtë arsye, peshku u dërgua në Fakultetin e Mjekësisë Veterinare të Universitetit Cornell, ku do t'u nënshtrohet analizave të specializuara.
Shkencëtarët shpresojnë se studimi i këtij ekzemplari të rrallë do të ndihmojë jo vetëm në kuptimin e ndryshimeve gjenetike. Ai mund të ndihmojë edhe në vlerësimin e gjendjes së popullatave të kësaj specieje dhe mbrojtjen e tyre në të ardhmen.
