2 turistët belgë mbetën të bllokuar në liqenin e Shtrazës, policia katër ore operacion për shpëtimin
Dy turistë belgë janë shpëtuar nga uniformat blu të Shkodrës, pasi kishin mbetur të bllokuar gjatë eksplorimit të liqenit të Shtrazës në Lëpushë. Policia e Shkodrës thotë se operacioni për shpëtimin e tyre ka zgjatur 4 orë, ndërsa në ndihmë i kanë ardhur edhe forcat e policisë malazeze.
2 turistët janë aktualisht në gjendje të mirë shëndetësore, ndërsa kane falenderuar punonjësit e Policisë për gatishmërinë dhe humanizmin e treguar.
”Mëngjesin e sotëm, sapo janë njoftuar se 2 turistë belgë kërkonin ndihmë sepse kishin shfaqur probleme shëndetësore gjatë eksplorimit të liqenit të Shtrazës në Lëpushë, SPK Grabom dhe PKK Bashkim, në bashkëpunim me Policinë malazeze (për shkak se lokacioni ishte më i aksesueshëm nga Mali i Zi), kanë organizuar punën për të gjetur dhe ndihmuar turistët.
Pas 4 orësh kërkime në një terren shumë të vështirë malor, ata janë gjetur dhe janë transportuar në spital, për të marrë asistencë mjekësore”, thotë policia.