20 mijë euro për një ekzekutim me tritol, vrasjet dyshohet se porositeshin nga Admir Tafili

Pas arrestimit të 24-vjeçarit Kristi Pine dy ditë më parë, që akuzohet si vrasës me pagesë, dalin të tjera detaje. Ky i fundit, sipas News 24, merrte urdhër nga burgu për të kryer vrasjet.

Ai ka kryer disa ekzekutime në Shkodër, bashkë me personin me inicialet A.G dhe Alfred Qefalia. Mendohet se urdhrat për vrasjet jepeshin nga një emër i njohur për krimin, Admir Tafili, që ndodhet në burg për vrasje. 

Dy shtetasit Kristi Pine dhe Alfred Qefalia vepronin në grup dhe nga hetimi 5 mujor ka rezultuar se ky grup merrte urdhra nga burgu nga Admir Tafili, i cili merrte porosi për vrasje me pagesë, porosi këto që ekzekutoheshin nga dy personat e lartpërmendur. Grupi hetimor do të marrë në pyetje Admir Tafili për atentatet me pagesë të ndodhura në vend gjatë vitit të fundit.

 

Të njëjtat burime nga grupi hetimor bëjnë me dije se për një vrasje grupi kriminal paguhej nga 5000 euro deri në 20000 euro. Atentati më i fundit që kanë kryer është ai ndaj një tëriu në qytetin e Shkodrës. Hetimet për grupin po vijojnë për kapjen edhe të pjesëtarëve të tjerë të grupit. Në shtëpinë e Qefalisë në momentin e arrestimit janë sekuestruar një arsenal armësh. Gjithashtu në lokalin e Kristi Pines pranë ‘Astirit’ në Unazë të Re, janë gjetur armë të kalibrave të ndryshëm.

SHKARKO APP