20-vjeçari nga Memaliaj: 10 vite i paralizuar, por me shumë ëndrra

“Jeta është e bukur, jetoje atë çdo ditë”.

Ky është mesazhi që përcjell Denisi, 20-vjeçari nga Memaliaj, që prej më shumë se 10 vitesh gjendet në shtrat i paralizuar.

Denisi është prekur nga një sëmundje e rrallë, “Diskopia muskulare” që prek 1 në 10 mijë persona.

Por pavarësisht kufizimeve fizike dhe avancimit të sëmundjes ai nuk ka reshtur për asnjë moment së qeni optimist. Kompjuterin që nuk e largon nga vetja e ka si dritaren kryesore që e lidh me botën.

Apeli i nënës së Denisit, Enkelejda Çapuni është për më shumë shpresë, kurajo e forcë për të gjithë ata që gjenden në kushte të njëjta si djali i saj.

Ajo tregon se fillimisht ka qenë e vështirë ta pranonin dhe ta përballonin sëmundjen e tij dhe shpeshherë ka qenë Denisi ai që u ka dhënë forcën për të ecur para edhe atëherë kur sëmundja e vështirësitë ekonomike i kanë mposhtur.

Eva Maldonado është një prej motrave katolike të ardhura nga Spanja, tashmë ajo është bërë një prej njerëzve më të afërt të Denisit. Ajo tregon se Denisi ka një forcë të brendshme të habitshme dhe është rasti perfekt i njeriut që nuk e lejon veten të mposhtet nga vështirësitë.

“Denisi ka qenë për mua dhurata më e madhe nga Shqipëria, pasi tek ai pashë një forcë të madhe të brendshme që ma shtoi edhe më shumë besimin. Denisin nuk e kam parë kurrë të trishtuar për veten. Ai trishtohet për të tjerët, por jo kur vuan vetë.

Ai ka gjithmonë dëshirë të tregojë se jeta mund të jetë e bukur pavarësisht të gjitha problemeve apo vështirësive që mund të kesh”-thotë ajo. Pavarësisht kushteve në të cilat ndodhet, Denisi vijon të ndjekë mësimet e vitit të parë me mësues në shtëpi./news24

SHKARKO APP