21 janari, SPAK thërret Sali Berishën të premten në orën 10:00
SPAK ka thirrur ish-kryeministrin Sali Berisha për të dëshmuar lidhur me çështjen e 21 janarit, ku mbetën të vrarë 4 protestues në bulevard. Mësohet se ish-kryeministri është njoftuar të paraqitet të premten në orën 10.00. Fletëthirrja është dërguar në adresën e Parlamentit, PD dhe në banesën e Berishës.
Kjo është hera e parë që Berisha do të pyetet nga SPAK për 21 janarin dhe rolin e tij në këtë çështje që tashmë është në hetim nga Prokuroria e Posaçme.
Pak ditë më parë, në SPAK u thirr ish-ministri i Brendshëm i asaj kohe, Lulzim Basha.
“Për nevoja të hetimit, me urdhërin e datës 03.11.2025 “Për thirrjen e shtetasit”, është urdhëruar thirrja e shtetasit Sali Berisha, i biri i Ramë dhe Shiqere, i datëlindjes 15.10.1944, me kombësi dhe shtetësi shqiptare, lindur në Tiranë dhe banues në Rruga “Mustafa Matohiti” ndërtesa nr. 36, Hyrja nr. 1, Njësia Bashkiake nr. 2 Tiranë, me numër personal E40701031R, për tu paraqitur në Prokurorinë e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, me qëllim pyetjen e tij me cilësinë e personit që tregon rrethana të dobishme për hetimin, në lidhje me procedimin penal nr.138 të vitit 2024, konkretisht për rrethanat e hetimit që kanë të bëjnë me ngjarjen e datës 21 Janar 2011. Urdhër thirrja është dërguar në adresën e banimit të shtetasit Sali Berisha, me shkresën nr.38725.prot, datë 03.11.2025 të Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar. Praktika e thirrjes së shtetasit Sali Berisha, është dërguar nga Posta Shqiptare në adresën e sipër cituar, me zarfin me bar kod “RR79743625AA”, datë 03.11.2025″, thuhet në fletëthirrjen e SPAK.
KOHA JONË SONDAZH

