21 mijë amanetet që Adriatik Lapaj tenton të ”kapë mat” Parlamentin: Projektligji duhet të votohet nga deputetët

Adriatik Lapaj foli për lëvizjen ”Shqipëria Bëhet”, e cila është finalizuar me grumbullimin e 21 mijë firmave për hapjen e listave. Ai tregon rrugëtimin deri në këtë fazë, duke u shprehur se ka kaluar më herët të gjitha hapat, ndërsa i janë dashur 3 muaj deri në mbledhjen e firmave. Nga ana tjetër, nënvizoi se projektligji duhet të votohet nga deputetët pasi në të kundërt do të ishte në shkelje të dy vendimeve të Kushtetueses. Ai paralajmëroi se do të çojë në SPAK deputetët nëse do ta votojnë kundër këtij projektligji.

“Në nisje të rrugëtimit tonë kemi kërkua demokratizimin e vendit, i cili kalonte përmes 4 pikave. 1-Ndryshimi i sistemit zgjedhor, hapjen e listave. 2-E drejta e votës së emigrantëve shqiptarë. Kjo do të sillte një përmbysje të raporteve, që do ta zhvlerësonte shitblerjen e votës në Shqipëri. 3-Depolitizimin e administratës zgjedhore. 4-Ligji për referendumet, që qytetarët të kenë në dorë një armë juridike për të korrektuar çdo vendim në nivel vendor dhe qendror, që marrin politikanët në Shqipëri.

Për të realizuar këto pika, ne nuk u mjaftuam vetëm te fjalët, as vetëm te takimet me njerëzit, por shkruam dy projektligje, të cilat i depozituam, votën e diasporës dhe hapjen e sistemit zgjedhor. Të dyja nuk janë marrë në konsideratë nga 140 deputetët. Për të korrigjuar këtë, ne ndërmorëm atë që Kushtetuta e konsideron si detyruese për Parlamentin, detyrimin e tyre përmes 20 mijë firmave të qytetarëve.

Dolëm në terren, propozuam ndryshimet e kodit zgjedhor për hapjen e listave. Në një tur prej 90 ditësh morën 21 mijë firma, nënshkrime, të cilat ne i quajmë 21 mijë amanete, të cilat i depozituam sot në KQZ dhe referuar ligjeve, brenda 30 ditëve duhet të bëjë verifikimin e firmave dhe më pas t’ia kalojë Parlamentit për të hedhur në votim projektligjin në fjalë”, tha Lapaj.

SHKARKO APP